Aktualitet/LajmeKryesore

URA DHE JO MURE

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Edicioni i 16-të, Dita e tretë
     Bari Itali 11.02.2024
   Nga Ymer Hysa & Vladimir Muça.
         Një titull në dukje i huazuar, por në fakt i përdorur me vend edhe pse pa citim, me shpresën që ai që e ka thënë apo shkruar i pari nuk do të më akuzojë për plagjiaturë, desha ta përdor pasi Edicioni i 16-të i UGSH në shkurt 2024 i realizuar në Bari të Italisë, i shkon më së tepërmi këtij evenimenti pothuajse historik. E mendoj dhe shpreh kështu, pasi këtë vit si asnjëherë u mblodhën sëbashku gazetarë e letrarë nga mbarë viset shqiptare dhe diaspora, duke ndërtuar urën solide mbarëshqipare dhe duke harmonizuar në një, gazetarinë e përgjithshme me atë letrare.
     I pagëzuar ”Ditët e Miqësisë” nga organizatorët, ky eveniment do të bashkonte si në një festival gala poetët dhe gazetarët që nga vendi amë Shqipëri, nga trojet Shqiptare, nga Europa e gjer në Amerikën e Largët.
       Do të ishin të pranishëm pena të shquara të gazetarisë shqiptare si Frrok Çupi, Aleksandër Çipa, Besim Dybeli, Valdete Qyfyrici, Ilir Krasniqi, Xhim Vila, Vladimir Muça, gazetari i shquar Hasan Aliaj që boton gazetën Rrënjët prej 22 vitesh në shtetin Italian, si dhe poetët Ilirjana Sulkuqi, Hasan Bulçari, Mimoza Leskaj etj.
VLERESIME DHE NDARJE ÇMIMESH
      Tashmë e kthyer në traditë të përvitëshme që në ditët e miqësisë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të ndajë dhe nderojë me çmime gazetarët më të spikatur, ndaj ky aktivitet për nga mënyra e organizimit dhe emocionet që dhuroi i kaloi përmasat e një evenimenti të zakonshëm.
      Gazetarja Vali Qyrfiçi, e cila hapi aktivitetin dhe njohu të pranishmit me veprimtaritë e organizuara nga UGSH-ja, pas prezantimit të të ftuarve dhe tematikës së aktivitetit ja dha fjalën koleges së saj nga Kosova Alketa Gashi Fazliu, e cila do ta moderonte mjeshtërisht duke i dhënë ngjyrat e një spektakli.
       Këtë vit, që përkon me edicionin e 16-të, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në emër të miqësisë dhe solidaritetit vlerësoi me Çertifikatë Mirënjohje gazetarin arbëresh Mario Calavia, i cili prej vitesh është një urë e rëndësihme lidhjeje mes medias shqiptare dhe asaj arbëreshe duke dhënë kontribute të mëdha e të vlefshme.
      Po kështu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vlerësoi me Çertifikatë Mirënjohje edhe z. Hasan Aliaj, kryeredaktor i gazetës periodike “Rrënjët”, e cila botohet prej mbi dy dekada në shtetin fqinj Itali. Vetë gazetari Aliaj në fjalën e tij falenderuese do të shprehej: “Ky vlerësim është për të gjithë miqtë gazetarë që me shkrimet e tyre në keto dekada bënë që gazeta të arrijë në mbi 500 numra dhe të lexohet nga mijëra lexues”.
      Një e veçantë tjetër e këtij edicioni ishte kur në prani të miqve gazetarë e poetë si dhe të Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Bari z.Arjan Vasjari, e bija e poetit të shquar shqiptar Elona Agolli e ardhur enkas nga Amerika, në emër të Fondacionit “Dritëro Agolli” nderoi me çmimin Ndërkombëtar “Dritëro Agolli” Kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, dhe njëkohësisht poetin Aleksandër Çipa. Vetë laureati Çipa për këtë vlerësim do të shprehej: “Një vlerësim që e konsideroj më të rëndësihmin e karrierës sime”.
     Nuk ishin vetëm çmimet që u akorduan, por edhe fjalët dhe përshëndetjet e të pranishmëve.
     Vetë konsulli Z. Arjan Vasiari i cili vinte nga rrethet gazetareske u shpreh për rolin e medias si ura bashkëpunimi mes dy vendeve. Ai e vuri theksin në integrimin e mijëra shqiptarëve në këtë rajon dhe kërkoi vëmendje që kjo lidhje e herëshme dhe e përherëshme mes dy vendeve fqinj të jetë e vazhdueshme.
    Gjithashtu në këtë event morën fjalën dhe përshëndetën edhe gazetarët Frrok Çupi, Besim Dybeli, Hasan Bulçari etj.
      AKTIVITETE NË VAZHDIM TË DITËS
      Dita e sotme ishte e ngjeshur me aktivitete të shumta, Edicioni i 16-të i Ditëve së Miqësisë së Gazetarëve Shqiptarë do të përmbushej me aktivitete të tjera si vizita në Konsullatën Shqiptare në prani të Konsullit tonë z. Artur Bardhi në Bari, të ekspozitës Fotografike “Elbasani në 100 vjet”, “Ora poetike e fjalës shqipe”, ”Viset Arbëreshe një ftesë e përjetshme për shqiptarët arbërore”, ”Partneriteti strategjik ekonomik midis Italisë dhe Shqipërisë”.
       Ekspozita “Elbasani në 100 vjet” ishte vërtetë interesante e mbresëlënëse. Siç shprehet  znj.Ana Toçi nga Agjensia e kulturës dhe turizmit Elbasan “shumica e fotografive janë të nxjerra nga arkivi i Vjenës, pasi Elbasani në vitet 1916-1918 si e gjithë Shqipëria ka qenë protektorat i Austro-Hungarisë. Në ekspozitë pasqyrohet përmes fotografive zhvillimi kulturor, ekonomik dhe urbanistik i qytetit. Shumica e të pranishmëve shohin për herë të parë fotografi të rralla të realizuara nga Mjeku Italian Pier Luigji Zamperin ku mes të cilave edhe atë të vizitës së Musolinit në spitalin e Krrabës ku ishin të shtruar ushtarët italianë të plagosur në luftën Italo-Greke.
      Gjithashtu do të njiheshim përmes fotografive me dekovilin dhe ndërtesat kryesore të qytetit si Bibloteka, shtëpia e Shefqet Verlacit, Kulla e Sahatit, Muzeu Etnografik, si dhe me zejtarinë e qytetit. Theksojmë se në shekullin e 18-të Elbasani ka patur një zhvillim të madh të zejeve, veçanërisht të qeleshe punuesve, argjendarisë dhe sidomos të zbukurimit të armëve. Fotografitë pasqyrojnë jetën 100 vjeçare të Elbasanit të hershëm dhe të Elbasanit të sotëm, duke përfshirë edhe kalanë, do të vijonte me shpjegimet e saj zonja Entela.
       Aktivitetet e UGSH-së në edicionin e 16-të të pagëzuara si “Ditët e Miqësisë”u ndoqën me përkushtim dhe profesionalizëm nga të gjithë gazetarët e pranishëm, por veçanërisht nga Lirim Abazi i Tv Sampa dhe Fatmir Popja i News 24, të cilët bënë që këtyre aktiviteve të larmishme të mos u shpëtonte asnjë detaj, pa fokusuar në kamera.
    Me të njëjtën vëmendje dhe përkujdesje, do të ishin edhe gazetarët Besim Dybeli njëkohësisht Kryetar i UGSH-së Dega Elbasan, Vladimir Muçaj i Newsalbania.al, Ilir Krasniqi Kosova.info, dhe Kosovatimes, Nexhat Behluli i Jetel, Xhevdet Zekaj gazetar sportiv, Vali Qyrfici e Top Channel, Aulona Menalla e A1 Report, Gjergj Figuri  ABC News, Xhensila Mirashi drejtore ekzekutive e Act Think Center, Bardhi Quku i RTSH, Arjola Tashi e Tv Skampa, Belinda Uruçi e A2 CNN, Florenc Pisha nga Radio Club Fm, Entela Abazi zyra e medias Bashkia Elbasan.
     “Ditët e Miqësisë” së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Bari të Italisë e realizuan me sukses misionit fisnik të bashkëpunimit. Njohjet dhe shkëmbimi i përvojave, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i gazetarëve shqiptarë kudo ndodhen do të jenë kurdoherë në vëmendjen e tij.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button