
Eshte ndare nga jeta ne moshen 64 vjecare gazetarja e njohur e televizionit, ne profilin e reporteres dhe moderatores televizive per kulturen, Rezarta Reci. Shumica e mediave te Shqiperise kane percjelle lajmin e hidhur, nderkohe qe Unioni i Gazetareve Shqiptare ne njoftimin e vet shprehet vleresueshem se Rezarta Reci perfaqeson gazetaren e adhurimit dhe pasionit te profesionit. Me poshte UGSH shton:
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëhet pjesë e pikëllimit për humbjen e një prej kolegeve më pasionante në profesionin e gazetarisë, moderatores dhe gazetares së njohur Rezarta Reçi.
Jeta e saj profesionale kaloi nëpër disa studio radiofonike dhe televizive, duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mbresa të shkëlqyera për audiencën shqiptare.
Gazetarja Rezarta Reçi më shumë se dy dekada më parë, përmes studios së Radio Tiranës komunikoi me dëgjuesit në emisionin “Tema dhe Dilema”, duke qenë një zë i dashur dhe tërheqës për debatet dhe mendimin intelektual kombëtar.
Vite më vonë Rezarta Reçi u bë imazh dhe simbol i gazetares së kultivuar të medias vendore në Durrës, duke pasuruar tipologjitë dhe vlerat e një komunikimi dhe pasioni të një gazetareje të mirësishme.
Emisioni më jetëgjatë dhe më gjurmëlënës në memorien e audiencës shqiptare, realizuar dhe drejtuar prej gazetares Reçi, “ Aratia e Peshkut të kuq” edhe pse ndërroi ekrane, mbeti një format origjinal dhe kaloi nëpër shumë vite transmetimi. Në jetën dhe veprimtarinë e vet profesionale Rezarta Reçi la një fond të shkëlqyer intervistimesh, dokumentarësh dhe përshkrimesh radiofonike dhe televizive për personazhe, figura dhe emra të shquar të artit shqiptar.
Kolegia jonë e paharrueshme solli në jetën dhe vitet e karrierës së vet modelin e një gazetareje, që edhe pse prej vitesh, u përball me sëmundjen malinje, e lartësoi dinjitetin dhe qëndresën e vet si një rast heroik dhe qytetar të pashëmbëllt, si një model të fisnikërisë dhe qëndresës njerëzore që pak njerëz e njohën, sidomos në epilogun e jetës së saj. Ajo la një shenjë të veçantë në shtypin e shkruar dhe në botime autoriale.
Rezarta Reçi ishte gazetarja që shumoi miqësi dhe shtoi pasion për profesionin e vet edhe në ditë të vështira të jetës së vet.
Koha e dhimbjeve dhe rëndimit të sëmundjes së saj, ishte një periudhë e veçantë e triumfit të vlerave vetiake njerëzore dhe profesionale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë bëhet pjesë e dhimbjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të koleges. Përcjell për familjarët e saj ngushëllimet dhe konsideratat më të larta për punën dhe jetën e Rezartës.
U prehsh në paqe, mikja dhe kolegia jonë e paharruar!”
Ndersa familja ka qene njoftuese e lajmit te trishte permes ketij teksti:
Njoftimi i familjes
“Rezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit e përkushtimit të miqve, të afërmve e mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit.
Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet nesër.
Rruga “Bardhyl”, më datë 2 Shkurt 2026, ora 15:00 Tiranë.
Me respekt familja Reçi”.


