Aktualitet/LajmeKronikPolitike

U ekstradua nga Spanja, GJKKO lë në burg ish kreun e bandës së Durrësit Lulzim Berisha

GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Lulzim Berishën, ish kreun e bandës së Durrësit që u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja në Shqipëri.

Gjykata e Posaçme në vitin 2020 caktoi ndaj Berishës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

54-vjeçari në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë plagosur 2 persona në vitin 2004, në 2005 ka vrarë me armë zjarri tre persona dhe ka plagosur një tjetër.

Lulzim Berisha u arrestua në shtetin spanjoll në dhjetor të vitit 2023 me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ai mbante një identitet bullgar ndërsa ishte transformuar tërësisht, me mjekër të bardhë dhe tatuazhe në të gjithë krahët.

Fillimisht u shpall në kërkim në 2020-ën për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë.

Për vrasjen e Lames çështja u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Lulzim Berisha, i dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje dhe trafiqe ilegale në vitet 1998-2000, mundi ta ulë dënimin nga burg përjetë në 25 vjet burg me vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2014.

2 vjet më vonë, ish-kreu i bandës së Durrësit mundi të lërë qelinë me vendim të Apelit të Durrësit, e cila përmes një llogaritje matematikore arsyetoi se 3 e 4-ta e dënimit ishte shlyer, sjellja e tij ishte e mirë dhe i faleshin 5 vite të mbetura dënimi.

Megjithatë, do ishte Gjykata e Lartë, e cila në dhjetor 2021 do të prishte vendimin e Apelit të Durrësit për faljen e 5 viteve, duke kërkuar rikthimin në qeli për vuajtjen e tyre.

Me këtë arsye Prokuroria e Durrësit e shpalli në kërkim në janar 2022 dhe u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023.

Me rikthimin në Tiranë, Lulzim Berisha ka dy llogari me drejtësisë, përmbylljen e dënimit të vjetër dhe gjykimin për vrasjen e 2005-ës të Klodian Saliut.

Artikuj të lidhur

Back to top button