Aktualitet/LajmeKryesoreKulture

Tryezë shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”

*Tiranë, 4-5 nëntor 2024

Kjo tryezë shkencore organizohet nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane si dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut si vazhdim i punës që u paraqit në Kuvendin e Dytë të Studimeve Albanologjike, organizuar në Tiranë në nëntor 2022, dhe merr shkas nga arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore.

Fjala është në radhë të parë për artikullin e revistës amerikane “Science”, me autor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese e duke përdorur një bazë të dhënash shumë të gjerë nga të gjitha gjuhët e familjes indoeuropiane, arriti në një përfundim të mesëm midis dy tezave te mepareshme (atë të stepës ponto-kaspike dhe atë të Gjysmëhënës pjellore),që përcakton një origjinë 8100 vjeçare të gjuhës së përbashkët indoeuropiane, e cila mbas 1000 vjetësh filloi të degëzohet e të shpërndahet. Studimi përfshin edhe gjuhën shqipe, me tre variante të saj, variantin standard, gegërishten dhe arbërishten, ku analizat krahasuese dhe statistikore nxirrnin një shkëputje të hershme 6000 vjet më parë të gjuhës shqipe.

Këto përfundime për gjuhën shqipe ngjallën një interes të madh në opinionin publik shqiptar e ate shkencor.
Në konferencë do te referoje autori kryesor i studimit të revistës Science për arritjet dhe rezultatet e punës së tyre, duke u përqendruar në të dhënat e shqipes. Pritet të konfirmohet ndarja e hershme 6000 vjeçare e shqipes origjina e perbashket 8100 vjecare dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik.

Një tjetër prezantim nga një bashkëpunëtor i studimit (U. Geupel) do të synojë të japë një përmbledhje të punës praktike mbi shqipen që qëndron pas rezultateve të punimit Heggarty et al. (2023), botuar në Science,duke paraqitur edhe problemet specifike të shqipes në këtë studim .

Kumtesa të tjera do të vënë në dukje kontaktet parahistorike dhe përkimet gjuhësore midis dialekteve fqinjë të indoeuropianishtes, duke u përqendruar në kontaktet e hershme të dialekteve para-paleoballkanike me dialektin para-prototokarian dhe dallimet mes tyre (O. Hackstein), ose në përkimet tripalëshe shqipe-greqishte-armenishte në kontekstin e “indoeuropianishtes ballkanike”, duke e testuar këtë hipotezë nga këndvështrimi i morfologjisë dhe i semantikës, sipas materialeve të reja të Fjalorit digjital etimologjik-historik të shqipes së vjetër (shek. 15-18) të Mynihut (G. Imberciadori).

Një tjetër referim do të përpiqet të shpjegojë pyetjen që bëhet për vjetërsinë e gjuhëve, duke vërejtur se, nëse vjetërsia relative e një gjuhe mund të përcaktohet në bazë të inovacioneve gjuhësore që e dallojnë nga gjuhët e tjera, vjetërsia (kronologjia) absolute nuk mund të datohet, pra gjuhët nuk kanë një datë lindjeje. Do të diskutohet gjithashtu çështja e emrit të gjuhës shqipe, kur e mori shqipja këtë emër? (M. de Vaan).

Ndërkohë, metodat e reja në studimet gjuhësore, të kombinuara me metodat arkeologjike dhe gjenetike, u kanë dhënë shtysë projekteve të tjera për lëvizjen e popullsive dhe gjuhëve indoeuropiane, Në konferencë do të prezantohet një tjetër projekt i kësaj natyre, që merr në trajtim indoeuropianizimin e Evropës Juglindore (Ballkanit), duke ndjekur lëvizjet migratore me pikënisje Kaukazin verior e stepat ponto-kaspike drejt perëndimit . (J. Matzinger, K. Ackermann)

Si dy popuj që ndajnë një substrat të përbashkët ballkanik-mesdhetar dhe kanë lidhje të hershme grekët dhe shqiptarët kanë elemente të përbashkëta kulturore por edhe dallime, siç është figura mitologjike e gjarprit / dragoit, e cila do të trajtohet në një nga kumtesat e tryezës (Dh. Qiriazi).

Ndër dukuritë e përbashkëta gjuhësore që ndajnë gjuhët e Lidhjes gjuhësore ballkanike (Balkan Sprachbund) mjaft interesante është nyja e prapme shquese që haset në gjuhën shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte. Autori i kumtesës përqendrohet në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij (A. Spiro).
Një çështje tjetër që do të diskutohet në tryezë është receptimi ose pritja e artikullit të revistës Science në debatin publik dhe në media në mjediset shqiptare (A. Vehbiu) dhe në ato të sferës balto-sllave (M. Majer).
Një temë me interes nga fusha e fonetikës eksperimentale që mat evolucionin dhe ndryshimin gjuhësor me metoda kompjuterike do të paraqitet në tryezë, duke sjellë për herë të parë zbatimin e metodës së modelimit me bazë agjentësh (MBA) në të dhënat e gjuhës shqipe. (E. Kapia, J. Riverin).

Një grup kumtesash nga fusha e arkeologjisë dhe gjenetikës do të trajtojnë gjetjet arkeologjike në territoret e Shqipërisë, si vendbanimet palafite të Linit, më të vjetrat në Europë(6-8 mije vjecare), ose vendbanimi parahistorik i Maliqit me evidenca të tjera arkeologjike në Shqipëri dhe Kosovë, që dëshmojnë se nga bashkëjetesa e popullsisë vendase eneolitike (paraindoeuropiane) dhe asaj migracionere të Bronzit të Hershëm (indoeuropiane), që në mijëvjeçarin III para Kr. fillon procesi i gjatë i etnogjenezës së popullsive ilire në Ballkanin Perëndimor.

vjet më parë. Jemi shumë të gëzuar që një pjesë e madhe e referuesve të saj kanë riardhur për të kontribuuar me mendimet e rezultatet më të reja të tyre.

Akademia jonë e Shkencave, albanologjinë, shkencat e identitetit, i ka pasur dhe i ka prioritet konstant. Zhvillimi e promovimi i tyre përbëjnë rolin e misionin kryesor të ASH-së sipas ligjit të saj. Ajo është e vëmendshme dhe gjithnjë vlerësuese ndaj vendit të stabilizuar të saj në kuadër të gjuhësisë krahasimtare, të indoeuropeistikës e të interesimeve të tjera shkencore, veçanërisht për gjuhën dhe trashëgiminë materiale e jomateriale të truallit shqiptar e për këtë i është mirënjohëse të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë drejtim.

Studimi që kanë realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën “Science”, duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj, një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh zgjoi vëmendjen jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku me ju që jeni këtu të pranishëm e që na nderoni aq shumë.

Në Shqipëri e ndër shqiptarët ka pasur një interes të jashtëzakonshëm në lidhje me perceptimin e të rejave që sollën rindërtuesit e pemës gjenealogjike indoeuropiane.

Si e tillë, kjo tryezë është një risi në zhvillimin e aktiviteteve tona, pasi një drejtim krejt i ri i kërkimit shkencor të gjuhësisë historike, me ndihmën e inteligjencës artificiale, bëhet strumbullari i këtij aktiviteti. Temat që i bashkërenditen referatit kryesor synojnë nxitjen e diskutimeve dhe debatit dhe përforcimin multidisiplinor të kërkimit shkencor.

Popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre.

E vërteta shkencore ka nevojë të njihet e të pohohet. Shkenca, në dallim nga të tjerët, nuk rend të deklarojë, a ca më keq, të deformojë e vulgarizojë një hipotezë, por punon fort ta provojë atë. Fatkeqësisht, teknologjitë e reja ashtu siç kanë mundësuar e mundësojnë shkencëtarët të studiojnë evoluimin e universit, të njeriut, specieve e të gjuhëve që në zanafillë, ashtu dhe kanë bërë që shpesh faktet e rreme të besohen më shumë se e vërteta; që deklarimet abuzive e amatoreske të prevalojnë ndaj mendimit e provave shkencore; që edhe teza e hipoteza me bazë shkencore të kthehen në vulgare e qesharake.

Gjysmë shekulli më parë shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët e tyre albanologë, të mbledhur në Tiranë, vleresonin si suksesin më të rëndësishëm konfirmimin e tezave të gjuhësisë për burimin, origjinalitetin dhe hershmërinë e shqipes si një gjuhë indoeuropiane me lidhje e prejardhje nga ilirishtja për ta lënë të hapur lidhjen e saj e të ilirishtes me protoilirishten a pellazgjishten, studimin e rrugëtimit të saj që nga origjina si dhe krahasimet me gjuhët e tjera, të bindur se gjetjet e teknologjitë e reja do të ndihmonin në të ardhmen në këtë aspekt.

Kërkimet arkeologjike të dekadave të fundme, thuajse në të gjitha rastet shqiptaro-europiane, na bënë të njohur se kultura materiale e qytetërimeve në territorin tonë flet për një vijueshmëri mijëravjeçare të saj; ajo flet më shqip se rugëtimi i shqipes, duke pasur avantazhin të flasë me artefakte të ruajtura nga nëntoka.

Ekspedita shqiptaro-zvicerane e Linit (Pogradec), e bashkëkryesuar nga profesor Ilir Gjipali dhe profesor Alfred Hafner, zbuloi një vendbanim palafit prehistorik të lashtë me një vjetërsi po tetë mijë vjeçare. Kultura e Linit si një vendbanim kaq i lashtë në Europë, së bashku me të ngjashëm në atë zonë, mund të vendoset në sinkroni me kohën e domestikimit të popullsisë banuese dhe të lindjes së bujqësisë dhe degëve të para të ekonomisë neolitike.

Të dhënat krejtësisht të reja, të shërbyera nga profesor Paul Heggarty dhe kolegët e tij, duke ndjekur rrugë tjetër e lëndë tjetër, të çojnë tek e njëjta kronologji. Me siguri këto studime do të thellohen e pasohen nga të tjerë dhe kështu drita që vjen nga mijëvjeçarët do të bëhet më e qartë.

Duke ju rishprehur edhe një herë falënderimet tona dhe duke i uruar sukses të plotë tryezës, tani le t’ua lëmë fjalën të ftuarve tanë, profesorëve të nderuar.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button