
Irani sfidon Amerikën. Pas deklaratës së presidentit Donald Trump se lufta është drejt fundit, reagimi i Gardës Revolucionare Iraniane ishte i menjëhershëm: “Ne jemi ata që përcaktojnë fundin e konfliktit”. “Ekuilibri dhe statusi i ardhshëm i rajonit tani janë në duart e forcave tona të armatosura; forcat amerikane nuk do ta përfundojnë luftën”, thuhet në deklaratë.
Më herët u bë e ditur për CNN se qeveria në Teheran dhe lideri i ri suprem nuk shohin hapësirë për një zgjidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk shoh më vend për diplomaci, sepse Donald Trump i ka mashtruar të tjerët dhe nuk i ka mbajtur premtimet e tij, dhe ne e përjetuam këtë në dy raste negociatash. Ndërsa ishim të angazhuar në negociata, ata na goditën”, tha këshilltar i Liderit Suprem Kamal Kharazi.
Këshilltari i liderit suprem iranian shtoi se forcat e armatosura të vendit janë të gatshme ta përballojnë konfliktin për një kohë të gjatë, pasi nuk varen nga shtete të tjera për armët e tyre. Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se Teherani nuk do të lejojë që “asnjë litër naftë” të transportohet nga Lindja e Mesme nëse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vazhdojnë.
I furishëm ishte dhe reagimi i presidentit amerikan, pas sfidës së qeverisë dhe zyrtarëve në Teheran. Nëse “do të ndalonte rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit”, Irani do të goditej nga SHBA-të “njëzet herë më fort” sesa është goditur deri më tani, paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Vdekja, Zjarri dhe Furia do të mbretëronin mbi ta. Por shpresoj dhe lutem që kjo të mos ndodhë!”, shkroi Trump në Truth Social duke shtuar se kjo do të ishte një dhuratë për Kinën dhe vendet që shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, një valë e re sulmesh ajrore goditi kryeqytetin iranian, Teheranin, dhe qytete të tjera në të gjithë vendin gjatë natës midis të hënës dhe të martës, duke shkaktuar shpërthime masive dhe të paktën 40 viktima. Por ka pasur dhe kundërpërgjigje, me Iranin që ndërmori sulme të reja kundër vendeve të Gjirit. sirenat e alarmit u dëgjuan në orët e para të mëngjesit në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein. Riadi shkatërroi dy dronë në rajonin e tij lindor të pasur me naftë. Kuvajti rrëzoi gjashtë dronë. Garda Revolucionare e Iranit njoftoi më pas se kishte goditur bazën ajrore amerikane në Al-Harir, në Irak me 5 raketa. (A2 Televizion)



