
Nga Ridvan Peshkepia-
Unë jam mjaft i vjetër sa të kujtoj se në fillim të viteve ’90-ta të shekullit të kaluar, dy teza për të ardhmen e rendit ndërkombëtar u përplasën zhurmshëm: “Fundi i Historisë” i Frensis Fukijamës [Francis Fukyiama] dhe “Përplasja e Qytetërimeve” e Samuel Hantingtonit [Samuel Huntington]. E para shpallte fitoren përfundimtare ideologjike të liberalizmit dhe fundin e historisë politike të njerëzimit. Sipas Fukijamës, konflikti ideologjik përfundimisht u fitua nga liberalizmi dhe kjo fitore do jetë e përjetëshme, konfliket e vogla që do pasojnë do jenë për çështje të negociueshme materiale por konflikt ideor nuk do të ketë më: Liberalizmi fitoi një herë e mirë.
Kësaj teze iu kundërvu Samuel Hantingtoni me teorinë e tij të përplasjes së qytetërimeve. Sipas tij, konfliktet e ardhëshme, të brendëshme apo të jashtme do vërtiteshin rreth boshteve identitare. Në të ardhmen, shtetet do ndërtonin aleanca me shtete të ngjashme kulturalisht me ta dhe skena ndërkombëtare do shihte grupime shtetesh me baza identitare. Teoria e qytetërimit-shtet shtoi në këtë kuadër argumentin se do të kishte edhe shtete të mëdha si Rusia apo Kina të cilat nuk kishte nevojë të bashkoheshin me aleanca qytetërimesh pasi ato ishin qytetërime më vete, qytetërime-shtete.
Që teoria e “fundit të historisë” ishte një broçkull, këtë e kuptova qysh kur profesorët e mij liberalë në Shkollën Paterson të Diplomacisë dhe Tregtisë Ndërkombëtare dhe më pas në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Kentakit na e përsërisnin parreshtur ngjashëm me broçkullat e Historisë së PPSh-së në vitet e mija të gjimnazit në Tiranë. Nuk ka gjë më të fuqishme se sa një ide të cilës i ka ardhur koha. Përndryshe, nëse idesë nuk i ka ardhur koha por thjesht është “vijë e partisë”, ajo u imponohet njerëzve me indoktrinim propagandistik dhe/ose dhunë të hapur. Kësisoj, gjatë studimeve të mija doktorale, kurrë nuk pata mundësi të thellohesha në argumentin e “përplasjes së qytetërimeve.”
Por tashmë, kur fjalimi i Sekretarit të Shtetit Marko Rubio paraqiti përpara botës vizionin MAGA të një ShBA-je në krye të përpjekjeve për ringritjen e Qytetërimit Perëndimor, është krejt e qartë se teoria e “fundit të historisë” i jetoi ditët e saj dhe se sot bota po rreshtohet siç e pati teorizuar “përplasja e qytetërimeve.” Këtu një pyetje legjitime lind: Po ne shqiptarët në cilin bllok qytetërimesh do përfshihemi? Unë mendoj se ne shqiptarët nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim (ose ndoshta jemi edhe Lindje edhe Perëndim). Kësisoj, këtu më shumë sqarohet teza ime e kaherëshme se ne nuk kemi pse bashkohemi as me ndonjë bllok lindor dhe as me ndonjë bllok perëndimor. Ne jemi shqiptarë dhe kjo mjafton. Bashkimi i Kosovë+Shqipëri do na jepte ne burimet e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga veriu dhe jugu në një shtet neutral që nuk përzihet në këto përplasje qytetërimesh. Aty ne nuk kemi pula dhe nuk kemi pse bëjmë ish.



