Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente është shumë i qartë sa i takon objektivit të iberikasve në këtë edicion të Europianit, aty ku bëjnë pjesë në Grupin B së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Shqipërinë.
Në një intervistë për “Teledeporte”, 62-vjeçari theksoi se “Furia e Kuqe” do të luajë me objektivin për të triumfuar, teksa shtoi se po vlerëson që në Europian të rikthejë Iscon, që ka gjetur sërish versionin e tij më të mirë në radhët e Betis.
“Isco nuk ka qenë në kombëtare prej një kohe të gjatë, por e njohim dhe e dimë shumë mirë kualitetin e tij. Unë e deklaroj publikisht se jam një admirues i tij. Spanja ka fatin që në organikë të ketë shumë futbollistë të mirë, vendimin për lojtarët e grumbulluar do ta marrë pak më vonë. Por, i di të gjitha alternativat. Isco po bën shumë mirë, e meriton dhe ka mundësi që të jetë pjesë e kombëtares.
Unë shoh një Spanjë shumë të fortë për Europianin, jam një “gladiator” dhe nuk futem në luftë nëse nuk mendoj se do ta fitoj atë. Në do të luftojmë fortë për të fituar Europianin”, u shpreh De La Fuente.
Spanja do të luajë ndaj Shqipërisë ndeshjen e tretë të grupit më datë 24 qershor në orën 21:00 në stadiumin Merkur Spiel-Arena, të Dyseldorfit.