
Nga Joni Shanaj-
Kur të bëhen ndonjëherë në HD të paktën 3 filmat e tij ‘Plumba Perandorit’, ‘Të Shoh në Sy’ dhe ‘ Fletë të Bardha’ të krijuar në RTSH dhe në ruajtje, përgjegjësi dhe pronësi të RTSH ende sot e kësaj dite, krijimtaria si REGJISOR e këtij çunit këtu jam i bindur që do meritojë edhe një pullë poste tjetër këtë rradhë në një Shqipëri më të emancipuar, më të zhvilluar dhe më të hapur pa frikë nga vetja dhe historia e saj.
Ka diçka që dua të shtoj për tim atë dhe lidhet më gjerë me kinematografinë shqiptare.
Këta çuna që u shkolluan për aktorë dhe që kaluan në regjisorë filmi më pas, dhe këtu do veçoj sidomos Saimir Kumbaron dhe Mevlanin, arritën të sjellin si regjisorë në filmin shqiptar një ç’kontraktim dhe zhdërvjelltësi tjetër nga çfarë ishte norma patetike deklamuese në filmin e komunizmit. Pra bënë një thyerje të lehtë të padukshme të stilit “heroik” teatral që ka bashkëudhëtuar me filmin shqiptar krah për krah sidomos dukshëm në punët e dobëta. Ishte nisur rruga e aktrimit natyral, organik, pa bërtitje dhe fryrje sidomos nga Kristaq Dhamo që në filmin e parë shqiptar me Tinka Kurtin, Kadriun dhe Naimin. Më pas patjetër në filmat në vijim të Kristaqit, me Margaritën, Sandrin, Violetën, Pandin dhe më pas si tek ‘Detyrë e Posaçme’ me rolin e parë të Ndrekës dhe më pas pas me ‘Mëngjese Lufte’ ku loja e fëmijëve mendoj se funksionoi si etalon model për gjithë kinematografinë e Xhanfise Kekos. Një nga arsyet e lojës me vërtetësi të plotë dhe të shpenguar të aktorit në filmat e Dhamos mendoj ka qenë fakti që Kristaqi kishte kryer liceun e kohës të pasluftës për aktrim bashkë me Piro Manin. Mihallaq Luarasin, etj që ishin shokë klase. Por Saimiri dhe Mevlani si dy shokë klase të tjerë të një brezi më pas, mendoj se sollën lojën më realiste dhe më të shpenguar të standarteve më të larta në lojë aktori, vende vende për Saimirin, plotësisht pa diskutim në çdo film për Mevlanin.
Një pullë poste do meritonte pa asnjë diskutim dhe shoku i ngushtë i tim eti Pali Kuke. Vetëm për imazhin që ka sjellë në dy filmat e tij si njeriu me kamera në dorë dhe krahë tek ‘Udha e Shkronjave’ dhe më pas ‘Plumba Perandorit’, çdo kuadër të këtyre dy filmave do e kishte zili çdo kinematografi botërore në çdo kohë. Para pak ditësh rastisa në një fshat të shihja disa plane të ‘Udha e Shkronjave’ dhe sinqerisht mendova se duhet medoemos të kenë ndonjê dell kolonjar edhe ata amerikanët e kinemasë së përmasave botërore sepse për një çast imazhet e Bujarit dhe Sandrit në kamerën e Palit mund të ishin imazhe nga më të mirat edhe nqs ajo kinematografi e krijuar partizançe dhe kaçakshe në RTSH do ishte bërë në Amerikë prej më të mirëve.
Dhe kështu fluturon mendja si kjo pullë e tim eti që kush e di në ç’skaje të botës ka përfunduar me një letër brenda në kohën e vet dhe më duhet të kthehem tek roli i roleve që pak kush e përmend të Kastriot Çaushit tek ‘Plumba Perandorit’ në regjinë e këtij djalit në foto që tërheq karrocë në regjinë e dy shokëve të tij, Rikardit dhe Saimirit.
E këtu kam qejf të them në këtë 80 vjetor të tim eti, se nuk ka rol të realizuar aq mirë dhe me atë koncept totalisht kundër rrymë për çdo lloj kinematografie të botës sa ai i Kastriotit në trajtimin që bashkë me influencën poetike të një Natasha Lako i kanë bërë një figure historike.
Është unikal trajtimi i heroit si njeri, human, njerëzor, siç është çdo hero i vërtetë në çdo kohë dhe histori. Këtë imazh me mish, me shpirt, me jetë, zë dhe figurë në kinematografi e ka sjellë Kastriot Çaushi ylli i ri. Do të mbetet roli më i rëndësishëm konceptualisht i kinematografisë shqiptare. Pikërisht sepse heroin/njeriun e bën human në një kohë kur ishte gur.
Historia reale e personazhit dhe e kohës së ngjarjes apo kohës së xhirimit të filmit është çështje tjetër. Trajtimi regjisorial dhe loja e aktorit është çfarë ka mbetur nga arti. Për marrëdhënien e kinematografisë shqiptare me italianët do shkruaj një ditë shumë më gjatë dhe është temë gjithashtu fare tjetër, por nqs ka një etalon kinematografik të standardeve më të larta Shqipëria e viteve 80-të në çdo komponent, është ai film.
Ju ftoj të mos e shikoni deri sa RTSH të kujtohet të nxjerrë një buxhet nga shumë milionëshi i saj për të kthyer filmat që ka prodhuar vetë si institucion në formatet që detyrimisht duhet t’i përgjigjen kërkesave të çdo kohe në kohë, jo pas pilafit.
Kaçi me siguri nuk do pullë, se fluturon vetë nga ndeshja në ndeshje, por jam i bindur se e di të vërtetën se nën regjinë e Mevlanit ka kryer rolin më avantgardë në historinë e kinematografisë tonë.
Dhe e fundit: Pikërisht kjo traditë e mbajtur gjallë realizmi dhe vërtetësie është gjallë e shëndoshë në UART, ashtu si gjysmë partizançe, ruajtur nga disa njerëz të paguar keq dhe shumë pak për angazhimin e tyre në degën e dramës, e lënë në atë shkollë në sajë edhe të punës kolosale të dy shokëve të tjerë më të ngushtë të Mevlanit, Timos dhe Nikos, pra këtij brezi revolucionar në ç’kontraktim dhe imazh botëror në ekran. Kjo traditë e lënë pas është dhe do mbetet trashëgimia më e artë dhe më e vyer e këtyre burrave të burrave për çfarë kanë dhënë jo vetëm në profesion, por në imazhin e Shqipërisë që i takon botës dhe nuk ka kurrë pse të ketë turp nga vetja e saj.
Edhe
babai im dhe mëso te plakesh ndonjë ditë, bashkë me shokët e tu që mbeteni përjetësisht në garë për rininë e përjetshme. 

