
Rasti e solli të lexoj një ese mbi tiraninë. Por nuk do të kisha sjellë më poshtë një fragment të saj, po të mos kisha lexuar, po sot, një citat mbi tiraninë që kishte për autor Francisco de Miranda-n, dhe që e kishte sjellë në llogarinë e saj, Elektra Haxhia.
Rastësive u kthehem për kureshtje. Kjo e sotmja më la të kuptoj se janë gjithnjë e më të shumtë ata që kanë aftësinë ta filtrojnë ajrin nga propaganda e entuzistëve të çdo regjimi.
Eseja në fjalë ka për autor Alexandre Lacroix dhe është botuar në “Philosophie magazine”.
………………
“Ku fillon tirania”
…E çuditshme kjo epoka jonë, që na shtyn të nxjerrim nga sirtarët një koncept të lashtë grek, të cilin e kishim cilësuar të tejkaluar dhe që as studiohet më në shkencat politike: Tirania.
Por për çfarë është fjala, saktësisht?
Tirania ndan disa tipare të përbashkëta me forma të tjera të abuzimit të pushtetit, por ka edhe karakteristikat e veta. Kështu, ajo nuk duhet të ngatërrohet me despotizmin: Siç vuri në dukje Aristoteli, despotizmi sundon mbi subjekte që nuk janë të lirë, mund të ushtrohet brenda familjes si edhe mbi skllevërit, ndërsa tirania josh njerëz të lirë. Ajo nuk është as diktaturë: kjo e fundit mund të tregojë kujdes ndaj moralit, qoftë ai fetar – siç ishte rasti i regjimit të Salazarit në Portugall (1932-1968) – ose laik – si ai i Atatürkut në Turqi (1923-1938).
Tirania përmban gjithmonë një element imoralitetit të dukshëm. Në të ekziston një tendencë për teprim, që tallet me normat sociale, me mirësjelljen e zakonshme, por edhe me ndjenjën e drejtësisë. Ajo padyshim nuk është e njëjta gjë me monarkinë, sepse kjo e fundit bazohet në traditë, zakone, në rendin natyror apo edhe në të drejtën hyjnore.
Tirania krijon një thyerje dhe sundimi i saj shfaqet si një “gjendje e jashtëzakonshme” që destabilizon thellë shoqërinë.
Së fundmi, tirania ndryshon nga totalitarizmat e shekullit XX-të, sepse këto të fundit, siç theksoi Hannah Arendt, promovojnë një ideologji, të përforcuar dhe të ngulitur që në shkollën fillore. Kjo logjikë e pamëshirshme e një ideje, ky mëtim i një partie unike për të marrë vendime në emër të një të vërtete më të lartë, janë tipike për totalitarizmin.
Në rastin e nazizmit, bëhej fjalë për një teori të pabarazisë racore dhe superioritetit arian, që pretendonte të konfirmohej nga biologjia; në Bashkimin Sovjetik, materializmi historik synonte të provonte se lufta e klasave çonte në mënyrë të pashmangshme, përmes krizave të kapitalizmit, drejt komunizmit.
Në tirani nuk ka asgjë të tillë.
Nuk është se tirani nuk ka ide, por ai përzien të vërtetat dhe gënjeshtra sipas rastit dhe nuk i intereson vlerësimi i akteve të tij nga shkencat natyrore apo shoqërore.
Në fakt, tirania nuk është plotësisht një regjim politik: ajo nuk mbështetet as në një kushtetutë, as në institucione të përcaktuara, as në projektin për përmirësimin e njerëzimit.
Ajo mbështetet në pushtetin e përqendruar tek një individ, ajo mban më shumë tipare të karakterit të këtij individi…