
Nga Enver Robelli-
Margaret Busby është botuesja e parë grua e zezë në Britaninë e Madhe, e cila në vitin 1967 bashkëthemeloi shtëpinë botuese “Allison & Busby”. Ajo njihet si një figurë pioniere që ndryshoi peizazhin letrar duke u dhënë zë dhe hapësirë autorëve të anashkaluar nga Afrika, Karaibet dhe vende të tjera që konsiderohen pa të drejtë si periferike. Para disa ditësh ajo zhvilloi një bisedë me të famshmen britanike “Financial Times”.
Margaret Busby e sheh punën e saj si një shërbim të heshtur ndaj letërsisë dhe shoqërisë. Për të, roli i redaktorit është jetik por i padukshëm: “Nëse je një redaktor i mirë, je krejtësisht i padukshëm”, thotë ajo, duke e krahasuar këtë proces me akusherinë: “Për mua, është pothuajse si të jesh mami… sepse ti ndihmon që ky fëmijë (libri) të lindë”. Ajo beson se suksesi i vërtetë arrihet “nëse nuk i merr meritat”, pasi kur një libër shkëlqen, njerëzit lëvdojnë shkrimtarin dhe jo redaktimin.
Në librin e saj “Part of the Story”, Busby shqyrton me qetësi ndryshimin e qëndrimeve racore në Britani, duke demaskuar “komplimentet e gabuara” dhe paragjykimet e kohës. Si një nismëtare që ka frymëzuar breza të tërë shkrimtarësh, si Zadie Smith dhe Chimamanda Ngozi Adichie, ajo udhëhiqet nga parimi: “Ti mbjell pemë nën të cilat mbase nuk do të ulesh kurrë”. Ky vizion pasqyron natyrën e saj: një grua që kërkon gjithmonë “të ndryshojë, të rregullojë dhe të përmirësojë” botën, duke lënë një trashëgimi që do t’u shërbejë të tjerëve shumë kohë pasi ajo të mos jetë më.



