Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKulture

Ti atje, të dua!

Nga Dashnor Kokonpzi-
Kur mbresat e një udhëtimi vijnë e zbehen, kur konturet e një qyteti humbasin ne mjegullën e kohës, jo rrallë, kur nuk e pret, nga thellësitë e kujtesës nisin e shfaqen me këmbëngulje detaje të çuditshme që nuk të janë dukur të rëndësishme, që i ke parë, por nuk i ke vlerësuar në masën e duhur. Një gjë tillë ka shumë shanse të të ndodhë edhe pasi ke vizituar qytetin e vogël të Saint Malo-së.
Më tej mjafton edhe emri i tij për të të ngjalluar buzëqeshjen e një nostalgjie të largët.
Kalon portën Saint Vincent dhe duke hyrë në pjesën historike mban frymën e dyshon e ke dalë në një botë tjetër që ëshët fryt i fantazive të përrallave. Një botë ku kullat, bedenat, kambanoret e kishave gotike dhe muret fortifikues kanê të ngjashmit e tyre vetëm në magjinë e përrallave.
Por jo sot. Nuk është asgjë e tillë që shoqëron në kujtesën time imazhet e Saint Malo-së. Eshtë diçka më pak se një hiç, thotë një fjalë, është një grafitti, një frazë e thjeshtë e shkruar në murin e një ngrehine, që edhe atë vetë e kam harruar se ku ndodhet. Më duket, në faqen e një nënkalimi. Ishte në një vend të tillë ku ajo frazë shfaqet që tutje mbi kryet e vizitorve që ecin të ngeshëm. Shfaqet para teje dhe së largu të duket sikur thotë, duke bërtitur:
Ti, atje, të dua!
Shprehja është e shkruar në mur, por të krijon përshtypjen se është e zëshme, se bashkë me një dorë të ngritur në ajër që shënon me gisht drejt teje, dëgjon të thotë:
Ti atje, të dua!
Kthen kokën anash, i përgatitur të shohësh dikë që bie përtokë!
E, pra, asgjë nuk ka ndodh. Askujt nuk i bie të fiktët.
Atëhere nis e beson se atë frazë e kanë lexuar edhe të tjerë, por ti je i vetmi që e ke dëgjuar.
Por as ti dhe as të tjerët nuk e di se ajo frazë do ta ndjekë gjatë, do ta ndjekë edhe kur do të kesh harruar profilin mbretëror të ansamblit intra muros të qytetit historik të piratëve e korsarve, kështjellën hijerëndë, katedralen Saint Vincent, varrin e Chateaubriand-it. Madje edhe molin nga janë nisur anijet e dhe ekspeditat e shumë shpirtrave entuziastë që synonin të pushtonin botën.
Do të harrosh tërësinë e tyre dhe në kujtesë do të mbetet ai detaj, ajo frazë që kumbon në ajër:
Ti atje, të dua!
Më vonë mësova se shumë vetë janë vënë në kërkim të origjinës së kësaj fraze. Kur sundonte një bindje gati e patundshme se ajo nuk mund të lindte gjëkundi tjetër përveçse në Saint Malo, ka që thonë se së pari është formuluar në muret e një porti të vogël në ishullin Saint Martin, një territor francez që ndodhet diku në Amerikë. Dhe, gjithnjë sipas tyre, autorja është një vajzë. Thonë se i dashuri saj largohej shpesh nga ishulli. Por, tek shihte dallgët që përplasnin gjithandej barkën e tij të peshkimit e cila shpesh rrezikonte të thyhej shkëmbinjve të nënujshëm, ajo donte që, sido që të ndodhte, ai së largu të lexonte në faqen e murit të një skele të vogël se:
Ti atje, të dua!

Artikuj të lidhur

Back to top button