EditorialKryesore

Të mbjellësh fëmijë

Nga Çapajev Gjokutaj –
Para dy javësh mbushi 40 vjeç, por është baba i pesë fëmijëve, tre prej të cilëve nga një lidhje jashtëmartesore. S’mjafton kjo po rezulton të jetë edhe baba genetik i rreth 100 vogëlushëve të tjerë, shpërndarë në 12 vende të botës. Natyrisht baba me epruvetë. Dhe s’është dokushdo, renditet në 120 më të pasurit e kësaj bote. Për më tepër pasurinë nuk e ka trashëguar, e ka bërë vetë nga e para në sipërmarrje dixhitale, sidomos me platformën e njohur dixhitale ‘Telegram’, që e ka themeluar dhe e drejton vet.
Fjala është për Pavel Durov nënshtetas rus, francez dhe arab në Emiratet e Bashkuara. Gushtin që posa shkoi u bë edhe më i njohur ngaqë policia franceze e arrestoi për mosmoderim të përmbajtjes kriminale në Telegram.
Të bën përshtypje: ka gjithë këto aftësi dhe tërë këtë pasuri, pse duhet të synojë të jetë i veçantë edhe për nga numri i fëmijëve. Rastin e tij dhe të disa personave të tjerë të famshëm sidomos në teknologjitë e informacionit i përmendte edhe Financial Times në një shkrim të para pak ditëve.
Gazetarja kujtonte psh një investitor holandez të kriptomonedhave që, si donator sperme supozohej të kishte më shumë se 550 fëmijë, ndaj u urdhërua nga gjykatat ta ndalonte këtë ‘sport’. Edhe rastin e Elon Musk, që ka minimumi 12 fëmijë nga tri nëna të ndryshme, gazetarja e kasifikonte si të kësaj kategorie.
Në shkrim hamendësoheshin edhe motivet pse njerëz të tillë, të suksesshëm e tejet të pasur, më se të realizuar në sytë e publikut, e kanë të nevojshme të demonstrojnë forcë, virilitet e pushtet edhe me një gjë thellësisht personale e intime si lindja e fëmijëve.
Njeri nga motivet e supozuara ishte narcisizëm përzier me ëndrrën për pavdeksi, të dyja këto të çliruara nga detyrimet për rritjen e fëmijëve ‘të mbjelliëë’ andej këndej. Motivi tjetër: dëshirë për të demonstruar virilitet në çdo moshë, edhe kur kurba e jetës merr tëposhtë. I treti: megallomani, genet e mia janë të veçanta, njerëzimi ka nevojë për to, ndaj e meritojnë të shpërndahen tej norme. Mesa duket të gjitha këto motive hedhin rrënjë mbi faktin se njerëz të tillë vuajnë nga një kompleks mbinjeriu, madje edhe perëndie.
Kjo puna e perëndisë më kujtoi Zeusin, kryezotin e Olimpit hyjnor grek. Megjithëse kishte për grua Herën, perëndeshën e familjes, nuk e kishte për gjë t’i ikte familjes dhe të hynte në marrdhënie jashtëmartesore me perëndi të tjera, madje dhe me gra të vdekshme, po kurdoherë të hirshme. Bënte të pamundurën përvta plotësuar këtë uri të pangijshme për seks e posedim, madje braktiste dhe veten e merrte trajta të ndryshme, herë bëhej dem e herë mjellmë, herë gjarpër, herë shqiponjë e herë shi i artë. Dhe falë lidhjesh të tilla jashtëmartesore e pasuroi Olimpin me bij e bija të shquar si Apolloni, Athinaja, Artemisi, Dionisi etj., për të mos përmendur dhjetra heronj të përmasave të famshëm si Herkuli, Perseu, Tezeu etj. Kënaqte kështu epshet e tij por edhe demonstronte forcë e pushtet.
Mitologjia është një gjë dhe realiteti një gjë tjetër. Mund të gjesh rrugë për të bërë fëmijë edhe në kapërcyell të të shtatëdhjetave, siç bënë vitin e kalaur De Niro e Al Paçino, mund të kesh pasuri që këtyre vogëlueshve t’u sigurosh një jetë të sigurt, po nuk mundesh kurrsesi t’u plotësosh nevojën pannjerëzore për të patur baba, për të krijuar marrëdhenie shpirtërore me një model që krijon qendrueshmëri në personalitetin e fëmijës sidomos gjatë 15-20 vjetëve të parë të jetës. Burri që i sheh fëmijët e tij jo si subjekte më vete, po si objekte që kënaqin egot e tij mund të jetë i pasur e i shquar, po ngjan të ketë defiçite të mëdha në rrafsh human.
Dikush mund të dalë e të thotë: bota ka 8 miliardë e ca banorë, doemos që mes tyre do të gjenden edhe një masë perversësh dhe egoistësh ekstremë, por në këto përmasa që shfaqen janë përjashtim e jo rregull dhe për pasojë nuk ndryshojnë gjë në fatet e njerëzimit.
Edhe kështu mund të jetë, po kur egoistë të tillë vijnë nga radhët e pronarëve dhe drejtuesve të teknologjive të informacionit, rreziku blhet shumë më efektiv. Këto teknologji po zhvillohen me shpejtësi kaq të madhe saqë shumicën e kohës shoqëria dhe shteti nuk arrijnë t’i rregullojnë në rrafsh ligjor dhe etik. Ashtu gjysëm të çliruar, drejtues të tillë kanë shpesh pushtet që tejkalon presidentë dhe kryeministra shtetesh të mëdha dhe mund të bëjnë keq apo mirë në përmasa të papërfytyrueshme. Për më tepër tani kur shfaqja thuajse e beftë e inteligjencës artificiale po krijon pamje distopike për të ardhmen e njerëzimit.
Në këtë atmosferë distopike thuajse të gjithë ata që zotrojnë dhe zhvillojnë inteligjencën artificiale ngjajnë me donatorë sperme, jo në kuptimin e parë po në atë metaforik: njerëz që mbjellin po nuk e vrasin mendjen kush do ‘korrë’ dhe çfarë do korrë.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button