
Nga Bahri Cani-
Të dhëna shumë problematike për terrorin e një gruaje gjermane në Hamburg: Çka dihet deri tani dhe si është e mundur që një grua me kaq shumë probleme të lihet e lirë në rrugë?
Në Hamburg mbrëmë nga ora 18:00 një grua gjermane 39-vjeçare ka sulmuar me thikë kalimtarët në stacionin qendror hekurudhor dhe ka plagosur 18 persona, katër prej tyre kanë qenë në rrezik për jetën, gjashtë janë plagosur rëndë, të tjerët më lehtë
Ndërkohë vjen një lajm i mirë: Autoritetet njoftojnë se asnjë prej të lënduarve më nuk është në rrezik për jetën. Por 10 prej të plagosurve kanë plagë të rënda të shkaktuara me thikë.
Sulmuesja është arrestuar në vendin e ngjarjes. Ate e kanë kapur dhe e kanë vënë nën kontroll dy kalimtarë të rastit, më pas ka ardhur policia dhe e ka arrestuar. Policia ka gjetur edhe thikën me të cilën ajo ka kryer sulmet. Nuk ka kurfarë të dhëna se ka qenë nën droga apo alkool.
Por policia shumë shpejt ka konstatuar se kjo grua “ka probleme mendore” dhe se nuk ka motive politike të këtij terrori ndaj njerëzve të pafajshëm.
Me urdhër të autoriteteve ajo është dërguar në spitalin e psikiatrisë.
Por këtu vjen edhe lajmi shumë, shumë problematik: Kjo grua me origjinë nga Braunschweig, e ka sulmuar një vajzë të vogël në shkurt, në aeroportin e Hamburgut. Mediat gjermane njoftojnë se më pas ajo është dërguar për trajtim.
Sipas gazetës Bild, ajo është liruar vetëm një ditë më parë nga spitali. Madje edhe gjatë qëndrimit në klinikën Ochsenzoll në Langenhorn ajo ka ka pasur probleme me pacientë të tjerë.
Ndërsa tani, vetëm një ditë pas daljes nga trajtimi plagosi plot 18 vetë.
Si është e mundur që një grua në këtë gjendje kaq të rëndë të lirohet nga spitali dhe të mos ketë kurfarë kontrolli ndaj saj, në këtë pyetje duhet të përgjigjen autoritetet!