BlogEditorialKryesore

supozues qe e kane problemin tek syte

 

Nga Arber Zaimi-

Absurditetin më të madh e dëgjova dje. Një shok më tregoi se një ushtrim shkollor, ku dy fëmijë dalin para klasës e njëri i lidh sytë për të kuptuar si ndihet i verbri, ndërsa tjetri provon t’a ndihmojë, duke komunikuar me të dhe duke e shoqëruar në ecje, ishte interpretuar seksualisht.
Dikush si duket paska menduar se fëmijët, sapo të dilnin para klasës, do angazhoheshin në sjellje seksuale, ku veprues do të ishte ai me sy hapur e pësues ai me sy të lidhur.
Është absurde të mendohet se do të ndodhte kjo gjë në klasë e para klasës. Jemi që jemi te absurditetet, dikush mund të supozojë edhe që syhapuri do ta vrasë krejt sylidhurin?
Së pari, supozime të tilla janë pa vend dhe pa gjasë, sepse nuk do të mund të lejohej një gjë e tillë në klasë, me prezencën e arsimtares dhe nxënësve të tjerë.
E dyta, këto supozime tregojnë se çfarë mban dhe ku shkon mendja e supozuesve, që nuk janë fëmijë, dhe kjo është e frikshme. Duke parë këdo, madje edhe fëmijët, si abuzues apo si dhunues të mundshëm, këta mbjellin mosbesimin absolut te njëri-tjetri, mbjellin dyshim të paarsyeshëm që mbase ndihmon teoritë konspirative, por që e shkatërron shoqërinë dhe e kthen jetën në ferr. Me të keqen duhet të përballemi kur ajo ndodh, por ata që shohin veç zi e terr në çdo anë e kudo, problemin e kanë te sytë e tyre.
E treta, a e kuptojnë këta supozues se ka edhe fëmijë të verbër. Sipas mendjes së tyre, fëmijët e verbër qenkan viktima seksuale prandaj nuk duhen çuar fare në shkollë? Kjo nuk është e vërtetë. Arsyeja pse bëhen ushtrime të tilla është që edhe fëmijët e tjerë ta kuptojnë më mirë si ndihet i verbri e si ndihmohet ai.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button