
Në ambientet e jashtme të Universitetit Politeknik të Tiranës, studentët mbajtën sot një qëndrim publik, ku njoftuan krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare, një organizim i pavarur që synon të përforcojë protestën qytetare dhe të artikulojë kërkesat e të rinjve për të ardhmen e vendit.
Studentët theksuan se lëvizja nuk synon të zëvendësojë revoltën qytetare, por të kontribuojë në të përmes propozimeve dhe nismave konkrete. Ata deklaruan se organizimi nuk do të ketë kryetar dhe se do të mbështetet te pjesëmarrja demokratike, debati i hapur dhe bashkëpunimi me studentët në të gjithë vendin.
“Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju! Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni”, tha studenti Emir Leçini.
Në deklaratën publike, studentët e lidhin krijimin e lëvizjes me protestat qytetare që kanë nisur më 31 maj 2026 dhe që, sipas tyre, morën një tjetër dinamikë pas përfshirjes masive të gjimnazistëve dhe studentëve më 13 tetor. Ata denoncojnë përdorimin e dhunës policore ndaj protestuesve paqësorë dhe kërkojnë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent për çdo pretendim për përdorim joproporcional të forcës.
Megi Ibrahimi, një prej studenteve që prezantoi lëvizjen, theksoi se organizimi i ri synon të mbështesë dhe të forcojë protestën qytetare.
“Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”, u shpreh ajo.
Ibrahimi mbajti një qëndrim të prerë edhe për mundësinë e dialogut me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni të takimit me studentët, të publikuar nga kryeministri, dhe se lëvizja nuk do të bëhej pjesë e një dialogu të tillë.
“As tani dhe as në të ardhmen, kjo lëvizje nuk pranon të ulet në tryezë me kryehajdutin e këtij shteti”, deklaroi ajo.
Për Bruno Hamzën, një nga qëllimet kryesore të lëvizjes është krijimi i kushteve që të rinjtë të mos detyrohen të largohen nga Shqipëria për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut”, u shpreh ai, duke theksuar se arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e qeverisjes dhe llogaridhënien institucionale.
Në deklaratë, studentët theksojnë se ndryshimi politik nuk duhet të kufizohet te zëvendësimi i individëve në pushtet, por duhet të shoqërohet me reforma që garantojnë mbrojtjen e votës, funksionimin e institucioneve dhe kontrollin e pushtetit.
Lëvizja paralajmëron se në vijim do të paraqesë propozime për diskutim publik, të hartuara në bashkëpunim me qytetarë, profesionistë, intelektualë dhe pedagogë. Përmes këtij organizimi, studentët synojnë të ndërtojnë një strukturë të qëndrueshme dhe të pavarur, duke e vendosur pjesëmarrjen e të rinjve në qendër të kërkesave për ndryshim demokratik.



