BlogEditorialKryesoreOpinionsPolitike

Strategjia e delegjitimimit

Nga Dashnor Kokonozi-


Sot, kryeministri Edi Rama shfaqi një shkallë të lartë agresiviteti duke etiketuar si “fashiste” një nga mijëra parullat e protestuesve në lëvizjen më masive qytetare që ka njohur vendi pas shpalljes së pavarësisë. Parulla ishte e thjeshtë: “Shqipëria e Shqiptarëve.”

Kjo parullë ka jehuar edhe në periudha të errëta të historisë sonë, sidomos gjatë përplasjes ideologjike të Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u përfshi nga ide të importuara e të filtruara në Moskën e viteve ’30 që nuk kishin lidhje me interesat kombëtare. Por përdorimi i historisë si shkop për të goditur qytetarët e sotëm është një manipulim i pastër.
Në gojën e të rinjve që protestojnë sot, “Shqipëria e Shqiptarëve” nuk ka asnjë ngjyrim etnik; ajo do të thotë thjesht: “Shteti duhet të punojë për qytetarët e vet.” Ky në të vërtetë është vetë përkufizimi i një shteti normal modern, por jo i shtetit shqiptar të sotëm, i cili është kapur nga një rreth i ngushtë të korruptuarish, ndërsa një tufë zeqinesh i bëjnë fresk nga pas.
Rama e quan “fashiste” këtë parrullë, duke menduar se kjo i jep superioritet moral (“unë jam europian, ata janë ekstremistë”), i jep avantazh komunikimi (mediat fokusohen te fjala “fashist”, jo te kërkesat e protestuesve), dhe i jep kontroll mbi narrativën (ai përcakton kuptimin e fjalëve, jo qytetarët).
Eshtë një taktikë klasike e retorikës politike: etiketim → stigmatizim → neutralizim.
Duke përdorur fjalën “fashist” si armë retorike, Rama shmang pyetjen e vetme që ka rëndësi: pse qytetarët ndihen të përjashtuar nga atdheu i tyre?
Kur protestuesit thonë “Shqipëria e Shqiptarëve”, ata nënkuptojnë se Shqipëria nuk duhet të jetë e oligarkëve, as e koncesioneve, as e klientelës politike, as e një grushti të privilegjuarish pranë pushtetit. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i manipulimit: kur nuk mund të fitosh debatin, ndrysho e devijo kuptimin e fjalëve.
Në fund, kjo nuk është një betejë për terminologjinë.
Është një betejë për vizionin e Shqipërisë së së nesërmes: a do të kemi një shtet që vendos etninë në qendër, apo një shtet që vendos qytetarinë, barazinë dhe përfshirjen?
Protestuesit kanë zgjedhur të dytën. Rama përpiqet t’u ngjisë të parën në kurriz për t’i delegjitimuar në vullnetin e tyre të ndërtimit të një shteti të vëretë demokratik.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button