BlogOpinions

Sovraniteti i rremë dhe fundi i të paprekshmëve

Nga Laureta Petoshati
Amerika, me arrestimin e Maduros, tregoi se ligji është i barabartë për të gjithë. Sepse, nën mburojën e imunitetit, pushtetarët vjedhin, bëjnë prapësi, shkelin ligjin dhe na ngushtojnë liritë, pa iu hyrë gjemb në këmbë. Ja, konkretisht sot në Shqipëri, kur kërkohet heqja e imunitetit të zëvendëskryeministres Balluku, fillon dredhia: bllokime nga shumica parlamentare, sfida dhe mbrojtje nga gjykata të kapura e të korruptuara. Kjo nuk është drejtësi, por sistem i ndërtuar për të mbrojtur të paprekshmit.
Ndaj dhe të flasin për sovranitet puthadorët e Madurove të Shqipërisë që, për interesa personale, kanë dhënë copa të atdheut me tokë, ujë, det e ajër pa pyetur ligjin, madje dhe duke shkelur hapur Kushtetutën, është jo vetëm e turpshme, por dhe fyese. Ata e barazojnë sovranitetin me veten e tyre, sikur shteti të ishte pronë private. Mjaft më me ideologji të fshehura, me Cezarë dhe me “imperializma” për Amerikën për të mbuluar pazaret e tyre si pazare satrapësh në kurriz të një populli të varfër. Këto përralla nuk i beson dhe nuk i ha më askush. Edhe në Bibël thuhet: “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit”… por si mund të maten me Cezarin, Madurot dhe të papërgjegjshmit e Shqipërisë? Kryeministri i tanishëm, që njëherë u tregua i guximshëm vetëm për të sulmuar Trumpin me deklarata politike fyese dhe së fundmi në prani të burrështetasve të Europës u tall me një lapsus të tij se kishte thënë fjalën “Albania” për “Armenia”, duket më shumë si aktor i një komedie të keqe sesa një udhëheqës me autoritet. Si ai dhe Maduro mendojnë se sovraniteti dhe respekti janë lodra personale, kur përgjegjësisë politike, historike dhe ligjore i shmangen si djalli nga temjani.
Maduro i tha Trumpit: “Hajde se po të pres, në Miraflores, o frikacak!” dhe Trumpi e mbërtheu aty ku flinte. Po sikur e njëjta gjë të ndodhë me Ramën? Ta marrë Trumpi në mes të Tiranës, tek Edeni i tij dhe t’i thotë: “Hajde se po të tregoj unë për cilat vende dhe koordinata po flasim!” E tha Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio para botës se “Kush tallet me Trump do ketë fatin e Maduros”.
Prandaj, kush ka llogari të pashlyera, qoftë me popullin e tij, qoftë me Trumpin apo me Amerikën, le t’i shlyejë dhe të mos fshihet pas gishtit, kushdo qoftë. Koha e imuniteteve si mburojë për krimin po mbaron dhe askush nuk mund të fshihet përgjithmonë pas pushtetit, apo gjykatave të kapura.
Dikotomia e “sovranistëve” me faktet ligjore mbetet dyshuese dhe anon se ku iu dhemb dhe cilën anë të mbajnë. Madje “akademikët”, apo “mediatikët” e Shqipërisë duan të dalin më “kompetentë” se ata të Amerikës. Akademikët amerikanë si Jeffrey Sachs, Michael Schmitt, Ian Vásquez, Clark Neily, Justin Logan dhe Steve Ellner vërtetë që kanë kritikuar politikën amerikane, apo ndërhyrjet pa miratim të Kongresit, por asnjëri prej tyre nuk ka thënë që urdhri federal për arrestimin e Maduros nga 2020 është i paligjshëm. Pra, ndërkohë që marksistët dhe politikanët e korruptuar bëjnë zhurmë, ligji amerikan është kristal i qartë: Maduro është një kriminel i shpallur ndërkombëtarisht. Arrestimi i tij është i ligjshëm dhe i drejtë: gjykata federale amerikane ka urdhëruar kapjen e tij që nga 2020 për trafik droge dhe korrupsion masiv, pa nevojën e Kongresit dhe pa pengesa nga administrata. Ai është një kriminel, ndaj dhe çdo pretendim tjetër është vetëm propagandë politike.
Po përse po bien këmbanat në Shqipëri pas arrestimit të Maduros? Sepse qeverisja populiste dhe me median e gjykatat e blera njësoj si e Maduro-s, ka sjellë varfëri dhe pasoja për qytetarët. Maduro shkaktoi krizë humanitare në Venezuelë, ndërsa Rama, me korrupsion galopant dhe klientelizëm, kontribuon në varfërimin e thellë dhe në shpopullimin e Shqipërisë edhe pse vendi ynë është pjesë e NATO-s. A do ta lejojë më tej këtë gjë një President si Trump, apo “çetës ‘Plakë’ të Sorosit” siç e quajti i ndjeri Kastriot Myftaraj, do ti tregojë dhëmbët, do t’ia prishë folenë dhe mbas heqjes së parave të USAID, do t’u heqë dhe puplat e do tu tregojë sa u vlen lëkura para botës. Nuk keni parë gjë akoma!

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button