Aktualitet/LajmeBlog

SKAPI u bë SPAK!

Nga Skënder Minxhozi-

Doktori doli nga arresti shtëpiak. Diçka krejt normale për motivet që rrethojnë sagën e tij penale megjithë hetimet që i shoqërojnë. Të hetohet, të gjykohet, por s’ka pse të mbahet i izoluar, thotë logjika bazike. Gjykata e Posaçme konkludoi atë që nënkuptonte mes rreshtave Gjyakata Kushtetuese pak ditë më parë dhe Sali Berisha do të dalë t’i thotë “në katin e parë” ato që deri më sot i ka thënë çdo natë nga dritarja e katit të tetë të shtëpisë.

Dalja e Berishës nga arresti shtëpiak vjen në një moment të bujshëm hetimesh, përgjimesh e tensioni politik në Tiranën e institucioneve. Vjen para së gjithash teksa Shqipëria po i drejtohet ngadalë e me përtesë zgjedhjeve të radhës ku fituesi duket i parashkruar dhe ku elita politike e sheh veten të relativizuar nga dallga e bujshme e hetimeve të drejtësisë së re, thënë ndryshe nga Spaku, i cili prej sot nuk do të quhet më Skap nga demokratët. Doktori doli dhe Altin Dumani mund të flejë i qetë se akronimi i institucionit që drejton do të vijë në vendin e vet.

Edhe diçka tjetër që ju rikthen buzëqeshjen demokratëve: GJKKO nuk vendosi “afërmendsh” atë që kërkonte Spak, siç ka thënë Dumani, por e hodhi poshtë më në fund kërkesën për ta mbajtur Berishën të izoluar!

Dalja e Berishës përbën një betejë të fituar për të. Por që nuk është fitorja e luftës me organet e drejtësisë. Populli militant është i autorizuar të shohë cilën ëndërr të bukur që të dëshërojë, por drejtimi që kanë marrë punët në Shqipëri për elitën e konsumuar politike, nuk le vend për t’u gëzuar për heqjen e një mase sigurie!

Nga dalja e Berishës gëzohen natyrshëm militantët e Rithemelimit. Ata më të fortët që kanë sfiduar moshën dhe stinët duke prerë gozhdë tek rrugica e shtëpisë së tij. Gëzohen pasuesit e afërt të Doktorit të cilëve ju është bërë lëkurë e dytë bluza me mbishkrimin “Free Berisha”. Gëzohen konspiracionistët e Tiranës që e lidhin daljen e Berishës ga shtëpia me rolin e Donald Trump, paçka se këtij të fundit i duhet edhe një muaj e gjysëm që të hyjë në Zyrën Ovale. Gëzohen më në fund me buzëqeshje protokollare edhe ata që dikur thonin se do të lenë politikën po u rikthye Berisha në krye të PD, e sot kapen fort pas emrit në listën fituese të Berishës në zgjedhjet e ardhshme.

Gëzohen për daljen në liri të Sali Berishës edhe në selinë kundështare, në PS. Nuk është sekret se Rama e do në fushën e lojës Berishën. E do për të vënë në lëvizje makinerinë e dhjamur të maxhorancës në prag të zgjedhjeve, e do edhe për t’i kujtuar socialistëve të mërzitur që po shajnë qeverinë, se cilin do të kenë përballë në pranverën e ardhshme. E do më në fund për të rikthyer në skenë sagën e përleshjeve politike PS-PD, duke spostuar nga vitrina gossipin gjigand që ka nxitur Spak me hetimet e tij në 360 gradë. Të vendosim kishën në mes të fshatit thotë proverbi italian në këto raste.

Ndërkaq dikujt mund t’i kujtohen me një grimcë cinizmi në këto çaste fjalët e atij deputetit socialist i cili, i pyetur muaj më parë nga mediat për arrestin shtëpiak të Berishës tha se “ashpërsimi i politikave penale të paraburgimit është i tepruar. Njerëz të cilët kanë një kontribut të caktuar, kolegë tanët apo krahut tjetër që publikisht janë aty, nuk ke pse u jep masa dënimi të rënda deri në pamundësi të veprimeve të tyre”. Më qartë se kaq…

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button