Nga Anisa Mucaj
Në vendin e quajtur Bregu i Paskajatës në Pilur të bashkisë Himarë, firma “Nova Prospekt” e cila i ka zyrat qendrore në Tiranë, ka kryer një masakër mjedisore dhe njëherësh një cikël procedurash mafioze për instalimin e një parku fotovoltaik. Pamjet e pasqyrave të këtij parku, të dukshme nga bregdeti i Himarës dhe madje dhe nga pika të tjera të Bregut të Detit, janë një skandal dhe më shumë se aq. Prej pak kohësh, banorët e mbetur të paktë numerikisht të fshatit Pilur kanë nisur reagimet protestuese dhe denoncuese ndaj këtij ndërtimi barbar dhe pasojave që mbart ai investim. Në këtë mesjavë banorët e Pilurit protestuan pranë këtij parku dhe më pas në bashkinë e Himarës, ku paraqitën edhe një peticion pranë Këshillit Bashkiak. Banorët protestues, mes të cilëve edhe pronarët dhe trashëgimtarët e këtij territori, kërkuan zyrtarisht pranë Bashkisë vënien në dispozicion të dosjes dhe dokumentacionit mbi bazën e të cilit është siguruar ky investim dhe uzurpimi i truallit me pronarë të njohur piluriotë. Protestuesit përmes një përfaqësie kërkuan vënien në dispozicion të dokumentave për dhënien me qera që ka mundur të sigurojë firma “Nova Prospect” shpk e cila ka e siguruar me vendimin nr. 33 dt. 27.5.2022 te Këshillit Bashkiak Himarë…..
Dokumenti I kërkesës së banorëve
Lënda: Kërkesë lidhur me pezullimin e punimeve të subjektit në Pilur
Drejtuar : Këshillit të Bashkisë Himarë,
Kryetarit të Bashkisë Himarë
Të nderuar zotrinj !
Në vëndin e quajtur Paskajatë të Pilurit, një firmë, të identifikuar “Nova Prospect”, po vazhdon punimet me objekt “Park Fotovoltaik” me sipërfaqe 5 Ha.
Çfarë na detyron tju drejtohemi me këtë kërkesë ankimi sa vijon:
- Parcela ku ushtron veprimtari kjo firmë, si emërtim, është në vënd tjetër dhe jo në Paskajatë-Pilur, ndërsa koordinatat topografike janë manipuluar në këtë vënd. Ne duam të dimë vëndin ku është miratuar ky projekt nga Këshilli i Bashkisë dhe pse nuk koordinon emërtimi i vëndit me koordinatat respektive topografike.
- A është marrë parasysh nga vendimmarrësi i projektit se këtu po bëhet një dëmtim i madh ekologjik, priten pemë në rritje, lisa valanidhi, dhe bregu piktoresk është duke u gërmuar masivisht në një dëmtim mizor. Shtojmë se dëmi do të jetë katastrofik kur objekti sipas projektit do të shtrihet në një sipërfaqe prej 5 hektarësh.
- Në këtë vënd është prishur një objekt i ndërtuar përpara vitit 1990 dhe askush nuk ka pyetur për dëmin ekonomik dhe financiar të pronarit të saj.
- Të gjitha vendimet për miratimin e këtij projekti nuk kanë marrë asnjëherë edhe mendimin e komunitetit dhe nuk është bërë ndonjë dëgjesë publike edhe me grupet e interesit. Pikërisht për këto arsye, fshati i Pilurit është shumë i acaruar.
Ju drejtohemi për të na dhënë përgjegje të kësaj çështje, sa më shpejt, përpara se komuniteti të futet me masa demostrimi dhe proteste.
Anëtarët e Kryesisë së Fshatit K R Y E T Y R I
Nikolla Gërdhuqi Thanas Mërkuri Dritan Muçua
Sic vihet re edhe nga dokumenti I kërkesës së përfaqësuesve të fshatit Pilur, në dokumentacionin e firmës ka një sërë shkeljesh, spostimesh, manipulimesh dhe aktesh mafioze për ta uzurpuar pronën e banorëve. Fakti më kokëfortë lidhet me spostimin e qëllimshëm të parkut nga vendi ku është marrë qiraja dhe leja që quhet Gjomollë, toponim që është I lidhur me një pikë topografike të shumënjohur nga banorët dhe zhvendosja e saj në Bregun e Paskajatës. Ndërkohë që cikli I shkeljeve që po investigojmë ne si redaksi dhe banorët dhe pronarët e trojeve në Pilur, po evidentojnë problemet me lejen mjedisore, hartat topografike, cënimin e objekteve private si stalla, konak, parcel atoke dhe bimësinë. Me një arrogancë dhe sjellje uzurpuese, firma në fjalë vijon të zgjerojë pushtimin në sipërfaqen prej 5 hektarësh, të bëjë ende gërmime duke mbërritur tek pika tjetër me emrin e njohur maja e HilëBilushit, ku vijon të zgjerojë gjurmën e masakrës ekologjike.
Banorët e Pilurit pohojnë për mediat se pas këtij denoncimi dhe kërkesave zyrtare pranë Këshillit Bashkiak dhe bashkisë së Himarës, cështja e tyre do të marrë përmasa të reja publike. Heshtja e mediave dhe sidomos censurimi I protëstës së tyre është një akt i turpshëm. Autoritetet vendore dhe organet së pari duhet me urgjencë të kryejnë procesin e shqyrtimit të dokumentacionit dhe shkeljeve si dhe të pezullojnë vijimin e mëtejshëm të uzurpimit dhe masakrës mjedisore. Pika ku po ndodh kjo është një ndër më të ekspozuarat në krejt peizazhin e vargmaleve të Vetëtimës mbi qytetin e Himarës.