Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhiPolitike

Skandali Epstein në Britani, emërohen dy shefe të përkohshme të kabinetit të Keir Starmer pas dorëheqjes së McSweeney

Downing Street ka konfirmuar se Jill Cuthbertson dhe Vidhya Alakeson janë emëruar si shefe të përkohshme të stafit të kryeministrit Keir Starmer.

Të dyja kanë qenë zëvendëse të përbashkëta të Morgan McSweeney, para se ai të jepte dorëheqjen, i cili deklaroi se mban përgjegjësi të plotë për këshillimin e kryeministrit për të emëruar Peter Mandelson si ambasador të SHBA-së vitin e kaluar, të cilit tashmë iu zbuluan lidhjet me Jeffrey Epstein.

“Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ai ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin në vetë politikën. Kur më pyetën, e këshillova Kryeministrin të bënte atë emërim dhe marr përgjegjësi të plotë për këtë këshillë.

Në jetën publike, përgjegjësia duhet të pranohet kur ka më shumë rëndësi, jo vetëm kur është më e përshtatshme. Në këto rrethana, e vetmja rrugë e ndershme është të tërhiqesh”, tha ai.

Sipas raportimeve, shumë deputetë laburistë e kishin fajësuar McSweeney për përzgjedhjen e Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse Mandelson u shkarkua nga detyra shtatorin e kaluar, ai është vënë nën presion të ri pas zbulimeve nga dosjet e Jeffrey Epstein që sugjerojnë se ai ka ndarë informacione konfidenciale me financierin e dënuar për pedofili ndërsa ishte sekretar biznesi.

Këto prova kanë çuar në pikëpyetje rreth vendimit të Starmer për të emëruar Mandelson në postin më të lartë diplomatik.

Më herët, autoritetet vendase kanë ushtruar kontrolle edhe në pronat e Mandelson, lidhur me hetimet që po kryhen nëse ish ministri ka arritur që t’i japë edhe informacione sekrete të qevëerisë financierit amerikan, të dënuar për pedofili.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button