BlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

SI TA KUJTOJMË BARDHYL LONDON TANI?

Nga Virion Graçi-

“Si ta qetësoj detin”, pyeste Bardhyl Londo dikur në një poezi që i jepte emrin librit të tij poetik, por ju jepte formë e udhë dhe hamendjeve e mëdyshjeve që na mundonin e na tundonin në fund vitet e tetëdhjeta të shekullit të shkuar.
Bardhi kish lindur në 1948, na la katër vjet më parë. Na la vetëm me poezitë e tij, me përkthimet, me kujtimet e diskutimeve letrare, nga pozita prestigjoze në ish gazetën “Drita”, por dhe nga paraqitjet miqësore e profesionale të autorëve të rinj në të cilat dobishëm përfshihej dhe nuk e kursente përvojën e tij, dijen për poezine dhe përjetimin estetik të saj.
Kam pasur rast ta dëgjoj e shoqëroj që pa rënë censura zyrtare kur hapur fliste për kohë të reja të ligjërimit e figuracionit në poezi, për domosdoshmërinë e të ecurit me të arriturat e poezisë bashkëkohore europiane, pêr forcimin e karakterit meditativ e filozofik e të tjera kërkesa si këto.
Bardhi shkroi dhe poezi të një pathosi social që u bënë si psalme në periudhën kur shoqëria jonë po dehej në romantizmin politik të agimeve pluraliste, por Bardhi mbetet mes poetëve të tjerë, në radhë të parë si poet i shquar lirik. Lirizmit i shtoi shkëlqimin metonimik dhe mreptësinë diturore, shqiptimin e kultivuar intelektual.
Kohën e tij të punës e pati harxhuar bujarisht edhe për të tjerët, për krijuesit e rinj dhe për dashamirësit e letërsisë, kohën e tij të jetës njerëzore e shkriu natyrshëm me të afërmit e me të panjohurit, pa paragjykime e llogaritje përfitimesh a rreziqesh; jetën e tij e ndau me poezinë e për poezinë prandaj asnjë frazë mirënjohjeje a vlerësimi formal nuk do ta skiconte mjaftueshëm profilin e tij; asnjë frazë e jona nuk mund të ishte epitaf për pllakën e tij shënuese në banesën e fundit. Më mirë ndoshta, të mjaftohemi me një homazh për shpirtin e Tij krijues; një përulje përshpirtëse mbi faqet e hapura të librave të tij, mbi vargjet që na la.

Artikuj të lidhur

Back to top button