Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Shqiptarët përçahen para zgjedhjeve, Kuvendi në Maqedoninë e Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

Thellohet përçarja politike midis shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kuvendi ka shkarkuar dy ministra të qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH). Ata kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë. Kryeministri në detyrë, TAlat Xhaferi, arsyetoi këtë lëvizje.

“Në bazë të Nenit 94 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut kam kompetenca kushtetuese që para Kuvendit të parashtroj propozimin për shkarkim të anëtarit/ëve të qeverisë për çka vendos Kuvendi. Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkarkim e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre. Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkim) ndodhet para jush”, u shpreh kryeministri Talat Xhaferi.

Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.

Në vend të tyre, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike. Qeveria teknike, e cila ka një mandate qeverisës deri në 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button