
Nga Seladin XHEZAIRI-
Kur është fjala për atë që quhet siguri juridike, me garanci kushtetuese për realitetin ndëretnik në Maqedoninë e Veriut, tash sa kohë sikur paralajmërohen zhvillime që, në vend se t’na çojnë përpara, mund të prodhojnë tensione çfarë nuk është se nuk i kemi parë apo nuk i kemi në mbamendje. Ajo që bie në sy ashiqare është tendenca për një “reformë” të re kushtetuese e cila do t’ua tregonte vendin kërkesave të shqiptarëve për të respektuar kontratën aktuale shoqërore, me të cilën, fjala vjen, edhe shqipja është zyrtare! Kryeprotagonistë janë as më shumë e as më pak, kreu i Gjykatës Kushtetuese, ministrja e Arsimit dhe Kryeministri maqedonas, të cilët ka kohë që shqipen e kanë vënë mes kudhrës e çekiçit të tyre.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka zgjedhur foltoren e Parlamentit për t’i ridhënë flakë debatit për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe, duke i bërë një interpretim, do të thosha të tejkaluar, por të saktë të Kushtetutës së Parë të Republikës së Maqedonisë (1991), por pa shpjeguar se përse të njëjtën citoi thuajse fjalë për fjalë nenin 7 dhe “harroi” t’i referohet Amendamentit V të adoptuar në Kushtetutë, me ndryshimet e miratuara në nëntor të vitit 2001.
Të jemi më konkretë: Mickoski iu drejtua deputetëve të opozitës shqiptare me një siguri të akullt: “Nuk e di pse po shqetësoheni, por sipas Kushtetutës – gjuhë zyrtare në gjithë territorin është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Nëpër komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës i përket bashkësisë së caktuar, shfrytëzohet edhe gjuha e asaj bashkësie,” ka deklaruar kryeministri maqedonas.
Do pranuar, pozicionimi i këtillë korrespondon me Nenin shtatë të Kushtetutës që ishte në fuqi deri në fund të vitit 2001: “Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat si shumicë jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrë të përcaktuar me ligj. Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat në numër të konsiderueshëm jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive, në kushte dhe në mënyrë të përcaktuara me ligj.”
Mirëpo pas Marrëveshjes së Ohrit (13 gusht, 2001), të ndërmjetësuar dhe garantuar nga komuniteti ndërkombëtar, saktësisht SHBA-ja dhe BE-ja, Kuvendi i Maqedonisë i bëri ndryshimet e radhës në aktin më të lartë juridik të shtetit, me Preambulë të re dhe duke miratuar edhe Amendamentin V që zëvendëson Nenin 7:
“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen. Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj në përputhje me ligjin. Cilido qytetar i cili jeton në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund ta përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal, përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari. Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari”.
Nga sa u tha më sipër, rezultojnë goxha shterpe debatet, për të mos thënë inatet, e nxitura nga qarqe politike maqedonase që nuk mund të emërtohen ndryshe veçse si tendencë, gjithsesi e rrezikshme, për rishkrim të historisë, përkatësisht për anulim të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo aq më tepër pasi paraqitja e fundit e kryeministrit Hristijan Mickoski është në një vijë me atë të kreut të Gjykatës Kushtetuese, D. Kostadinovski, si dhe të ministres së Arsimit, V. Janevska, të cilët kurrsesi ta harrojnë Nenin e sipërpërmendur, plot 15 vjet nga fshirja e tij!



