Aktualitet/LajmeBlogKryesoreOpinionsPolitikeRajoni

Shqetësohen për Iranin dhe harrojnë Preshevën

Nga Ermal PEÇI

Ka një fenomen të çuditshëm në debatin publik shqiptar: sa më larg të jetë një konflikt, aq më i madh bëhet shqetësimi ynë për të. Studiot televizive mbushen me analiza për Lindjen e Mesme, për tensionet në Iran dhe për përplasjen strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael. Flitet me ankth për skenarë lufte dhe për balancat e fuqisë globale, sikur fati ynë të varej nga zhvillimet mijëra kilometra larg. Por ndërkohë, në një cep shumë më pranë nesh, një çështje që prek drejtpërdrejt shqiptarët kalon pothuajse në heshtje: ajo që po ndodh me shqiptarët në Lugina e Preshevës.

Por ndërsa diskutohet me orë të tëra për Iranin, një realitet shumë më konkret dhe shumë më afër nesh nuk trajtohet fare. Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shqiptarët përballen prej vitesh me një presion administrativ dhe politik që rrallë bëhet temë serioze në median shqiptare. Praktika e ashtuquajtur “pasivizim i adresave” nga autoritetet e Serbisë ka bërë që mijëra shqiptarë të humbasin vendbanimin zyrtar në dokumente, duke u privuar kështu nga e drejta e votës, nga dokumentet personale dhe nga shumë shërbime shtetërore.

Kjo nuk është një çështje abstrakte gjeopolitike; është një realitet konkret që prek drejtpërdrejt shqiptarët. Megjithatë, në ekranet tona është shumë më e lehtë të analizosh konfliktet globale sesa të përballesh me problemet e shqiptarëve në rajon. Është më komode të diskutosh për strategjitë e fuqive të mëdha sesa të ngresh pyetje të pakëndshme për fatin e një komuniteti shqiptar që ndodhet nën presion.

Siç thoshte filozofi i madh Jean-Jacques Rousseau: “Kur njeriu humbet kontaktin me realitetin që e rrethon, shqetësimet e tij bëhen të huaja për jetën e vet.” Kjo përkthehet mrekullisht në situatën tonë: shqetësimi për largësitë e botës dhe harresë për realitetin pranë, duke e bërë Preshevën pothuajse të padukshme në radarët tonë publikë.

Kjo është ajo që mund të quhet një hipokrizi intelektuale. Jo sepse çështjet ndërkombëtare nuk kanë rëndësi, por sepse raporti mes asaj që na prek drejtpërdrejt dhe asaj që komentojmë është i përmbysur. Në vend që vëmendja jonë të nisë nga interesat dhe realitetet shqiptare, ajo shpesh zhvendoset drejt spektaklit global të politikës.

Prandaj një shoqëri që flet me pasion për botën teokratike, por hesht për çështjet e saj, nuk është më e angazhuar, është e shpërqendruar. Përderisa kjo të mos ndryshojë, do të vazhdojmë të kemi studio televizive plot analiza për Iranin, dhe jo për Preshevën.

Artikuj të lidhur

Back to top button