KryesoreKulture

SHKRIMTARI THANAS DINO

Nga Ymer Çiraku-
Në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare, u organizua në 21 prill 2026 një takim kushtuar krijimtarisë letrare të Thanas Dinos. Një shkrimtar ky i talentuar, por jo i “zhurmzhëm”, larg publicitetit të marketingut libror.
Kam qënë gjimnazist në Gjirokastër, kur jam njohur për herë të parë me të dhe me Petro Çerkezin e Foto Malon. Një treshe kjo poetësh mjaft të talentuar dhe të spikatur jo pak në shtypin letrar të kohës, sidomos në faqen letrare të gazetës “Zëri i rinisë”.
Ishin idhujt tanë si gjimnazistë në Gjirokastrën e atyre viteve.
Miqësorë dhe mjaft komunikues e ndihmues, me ne më të rinjtë.
Në fillimin e viteve `70-të, Thanasi nisi punën në redaksinë e gazetës më të njohur letrare të asaj kohe (“Drita”), prej nga do ta largojnë pas pak kohe. Shkak do të bëhej poezia “Unë jam fik deti…”, të cilën, krahas dhe disa poezive të F. Arapit, Xh. Spahiut, M. Zeqos, udhëheqësi kryesor komunist do t`i anatemonte ato si dekadente dhe reaksionare. Që brenda atij botkuptimi zhdanovist, shpalosnin haptazi braktisjen e kanoneve të ligjërimeve soc-realiste.
Kjo situatë traumatike e jetës letrare në Tiranën e atyre viteve, të cilën Thanasi e përshkruan mjeshtërisht në një nga romanet e tij, nisur edhe prej fatit të vet, ia tronditi jetën dhe ia vrau mundësinë e botimit për jo pak vite. Por nuk ia shterri dot etjen për të mos e braktisur letërsinë. Të cilën, ai e ruajti fort brenda vetes dhe e derdhi në një varg librash në kohët e mëvonshme (pas `90-ës), me një varg librash, që përfshijnë: romane, tregime, intervista, publicistikë letrare, kronika, rrëfime gojore. (Mund të përmendim romanet: “Nata me dy hëna”, “Mesi”, “Shenja e shenjtë”, “Dielli i ulët”, ”Fshati i prerë”, “Ciklopi i Glinës” etj.)
Çfarë të bën përshtypje në këtë krijimtari të vëllimshme të Thanas Dinos?
Në shpinën e kopertinës të romanit me një titull sugjestionues “Vetëvrasja mbi trëndafil”, është vendosur një shënim, besoj autorial. Ku mes të tjerash, shkruhet se, në një rreth fundor të Shqipërisë, përsëriten kokëposhtë dhe në mënyrë groteske ngjarje, që ngjajnë të kenë ndodhur në qendër të vendit.
Mua më duket se ky pasazh, në fakt, përcakton në mënyrën më precize edhe gjeografinë tematike, frymën dhe stilin e kësaj krijimtarie, e realizuar kryesisht në prozë romanore dhe në prozë publicistikë letrare.
Dhe vërtet, Gjirokastra me rrethinat e tjera urbane dhe rurale përreth saj, janë kryesisht hapësirat kronotopike (pra hapësirë-kohë), nëpër të cilat, lëvrijnë tërë ngjarjet dhe karakteret e rrëfyera.
Ku Provinca, përpiqet që të krijojë dhe të manifestojë pushtetin e vet edhe të dukjes së madhe. Pra, me etjen e saj obsesive për të qënë sa më në sintoni, sa më e ngjajshme me Qendrën, Metropolin. Duke sjellë për pasojë ky mentalitet provincial, jo rrallë herë, shfaqje groteske e karnavaleske, që janë ofertë e bekuar për Letërsinë.
Personalisht e kam lexuar me kërshëri dhe e çmoj këtë krijimtari të Th. Dinos, derdhur në disa zhanre të prozës së shkurtër e të gjatë.
Autorit, duket se nuk i interesojnë përpunimet, lëmimet dhe stërhollimet në laboratorin e tij krijues të ngjarjeve dhe karaktereve të pasqyruar në morinë e veprave. Sigurisht, që me tendencë të rafinuar i krijon të ashtuquajturin “kuth artistik” lexuesit, për t`i dëshmuar se përpara tij, nuk janë sjellë tjetër veçse ngjarjet dhe njerëzit realë të jetës.
Pra, fare bruto.
Pa stilizimet dhe serinë e teknikave të njohura letrare. Madje edhe me jo pak të ashtuquajturat “pasakaktësi”, “lapsuse” gjuhësore, kapërxime të befta e naiviste rrëfimesh, në vështrim të parë.
Sigurisht, që kjo ka ardhur si mjet artistik edhe nën ndikimin e mbarë të gazetarisë, të cilën, autori e ka ushtruar si profesion prej disa vitesh.
Por dua të besoj se jo doemos gazetaria e ka shtyrë, e ka krijuar dhe e ka dominuar këtë stil. Kuptuar si ndikim ky, i një rutine pune.
Përkundrazi. Kjo është zgjedhje e paramenduar konceptuale, që autori e ka kërkuar dhe pastaj e ka gjetur në strukturën e stilit publicistik gazetaresk. Të cilën, sigurisht që ai, siç merret me mend, e njihte mjaft mirë.
Thanas Dino është autor i mbi 20 librave.
Pa u ndalur në libra të tjerë, gjej rastin të kujtoj sado pak përmbledhjen me publicistikë letrare “Thënësit” (2017).
Qysh në titull, duket sikur deklarohet se këtu, është mënjanuar vullneti autorial dhe pushtetin e kanë marrë tërësisht “thënësit”. Pra, personazhet që rrëfejnë jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve. Të ngjajnë me një kor rrëfyesish, me ngjarje nga më të çuditshmet, që transmetojnë sipas rastit përjetime humori, dhimbjeje, tragjizmi, pendese pikëlluese…Për asiocim, të vijnë ndër mend funksioni i koreve, në veprat e njohura të tragjedive të antikitetit grek.
P.sh. në një nga tekstet e librit, që përgjithësisht shfaqen mjaft të shkurtër, një banor i qytetit të gurtë, dëshmon se kur u ndërtua ura mbi lumin Drino, që lidhte Valarenë me Gjirokastrën, tanimë në vend të ritit të lashtë të murosjes së njeriut të gjallë në qemeret e asaj ure, kishte kohë që kishte hedhur rrënjë një traditë tjetër e re. Tani merrej një njeri i gjallë, i matnin me përkikmëri hijen e shtatit dhe pastaj me një ceremonial publik “murosnin” hijen e tij (!)
Besoj se nuk ka situatë më të çuditshme e më groteske. Edhe e pandodhur që të jetë, ajo të mrekullon me fantazinë e begatë që transmeton. Gjithsesi, gjithmonë e kuptuar brenda logjikës së asaj bote atipike, që shkrimtari e njeh mirë, e qëmton dhe e ngre në sinoret e artit.
Pastaj vijnë radhazi tekste rrëfimesh të tjera si: ”Qamil Muho i shumëgrave”, “Më kërkoi mëmën grua”, “Prerësit e veshëve” etj. Qysh në titujt e këtyre rrëfimeve, merret vesh humori, grotesku, situatat e përndezura, deri të çartura, që ato çlirojnë me gjuhën e artit.
Mjaft prej këtyre teksteve, ngjajnë me romane në miniaturë. Pra, janë bulëza apo skica romanesh. Në pak tekste, shfaqen brenda tyre drama të thella njerëzore, miqësi e keqkuptime komunitetesh, gëzime dhe hasmëri proverbiale.
Th. Dino është një shkrimtar, që tashmë e ka krijuar profilin e tij krijues. Apo origjinalitetin, si thuhet shpesh, duke dëshmuar kështu vlera autentike, të përveçme letrare. Kjo dëshmohet te qëndrimi i tij i ngulët në një tematikë të përzgjedhur nga zonat e Periferisë, apo të Provincës, të realizuara këto tema me stilin e kronikës letrare, çka sjell një letërsi tejet konçize, por të ngarkuar me shumë ngjeshje e shtresëzime emocionesh dhe kapërxime të pazakonta situatash e ngjarjesh. Që prandaj edhe të krijon ndjesinë se ke lexuar e përjetuar shumë më tepër se ç`përmbajnë vëllimet reale të atyre teksteve. Ndjen se në to, lëvrin një hapësirë tepër e gjerë me marrëdhënie fisesh, krahinash, etnish, nëpër rrjedha të historisë.
Dhe në tërë këtë univers ta larmishëm jete, ndihet të zotërojë endërra dhe realiteti i lidhjeve të atyre njerëzve, që dinë t`i qëndrojnë krah njeri tjetrit, sidomos në travajet e vështira të jetës.
E kam shprehur edhe në ndonjë rast tjetër se, një qytet si Gjirokastra, besoj se ashtu si edhe krijuesve të tjerë të letërsisë e artit, i ka dhënë edhe këtij autori diçka nga fryma dhe magjia e vet. Pikërisht në stilin e shkrimit të përmbajtur dhe hijerëndë – të Kronikës. Ku është synim dhe obsesion i shkrimtarit, veçse largimi i të tepërtës. Duke mbetur si të thuash, vetëm esenca, thelbi, ashti i gjësë.
Një qytet i gurtë si Gjirokastra, me sa duket, e bekon këtë Shqisë specifike të rrugës letrare.

Artikuj të lidhur

Back to top button