
Nga Enver Robelli-
Në këtë fotografi, të shkrepur në fillim të verës së vitit 2019 përpara kafenesë “Galerija”, vetëm disa hapa larg nga rruga Knez-Mihailova, shihen Svetislav Basara dhe Filip David të ulur. Pas tyre duken manekinë nga një reklamë mode. Në “Galerija” dikur mblidhej një botë e gjallë letrare dhe intelektuale. Kur Fića (Filip David) u sëmur, ata e ndërruan kafenenë për të qenë më afër shtëpisë së tij. Kam qenë disa herë në rrethin e tyre – gjithmonë me vetëdijen se një ditë e gjithë kjo do të dukej e madhe dhe e largët.
Dje vdiq Filip David, dhe shumë fjalë bosh do t’i kushtohen atij. Sepse të gjitha fjalët janë bosh kur thuhen pas vdekjes. Herën e fundit u takuam vjeshtën e kaluar, në rrugën Palmotićeva, para asaj kafeneje të re. Me gaz shkëmbyem disa fjalë për gjërat e fundit, dhe u ndamë sikur do të takoheshim përsëri rastësisht.
Filip David ishte një njeri i drejtë, një ruajtës i hijeve, një garant i sinqeritetit dhe dinjitetit të miqve të tij të ndjerë, dhe në një mënyrë fëmijërore-njerëzore ishte thjesht i dashur. Mund të thuhej: “Ç’njeri i mirë!” Ai nuk i jepte vetes rëndësi të madhe. Kishte ruajtur artin e naivitetit. Dhe ishte një shkrimtar i madh, një dramaturg brilant, një redaktor televiziv i ndërgjegjshëm. U largua nga puna sepse ishte kundër Miloševićit dhe kundër tankeve që niseshin drejt Vukovarit – dhe më vonë në shumë drejtime të tjera. Dhe kurrë nuk kishte problem ta thoshte haptas që ishte kundër.
Njëherë tha qetë dhe me mirësjellje se presidenti serb Tomislav Nikolić nuk kishte ç’të kërkonte në ceremoninë e ndarjes së çmimit Janko-Šafarik – një çmim për librin më të mirë në rrjetin e bibliotekave publike të Serbisë. Çmimi iu dha atij vetë, Filip Davidit. Ai e nisi fjalimin e tij të falënderimit me fjalët: „Të nderuara kolege dhe kolegë, miq të dashur. Para se të lexoj disa fjalë të shkurtra falënderimi, më duhet të distancohem nga prania e zotit Toma Nikolić. Me gjithë respektin për postin e Presidentit të Republikës, duhet të them se që nga fillimi i viteve 1990 nuk jam pajtuar asnjëherë me pikëpamjet politike dhe veprimet e zotit Nikolić, dhe ndiej për detyrë ta them këtë këtu, para tij…“
Qetë, butë, bukur – në mënyrën e vet të veçantë – ai bëri diçka që askush tjetër nuk pati guximin ta bënte ndonjëherë.