Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi. Tkurrja e fondeve që qeveria po i vë çdo vit në dispozicion po bën që sektori të prodhojë më pak vlerë të shtuar në ekonominë e vendit.
Kjo ecuri negative u vu edhe më shumë në dukje në tremujorin e tretë të vitit gjatë së cilit kontributi i bujqësisë në ekonomi ishte negativ… 0.41 për qind më pak se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, theksoi eksperta Esmeralda Ballesha për A2.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, tha ekspertja Ballesha.
Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69 për qind. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me gati 3.5 për qind, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë.
“Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”, u shpreh ekspertja.
Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi ka qenë gati 22 për qind e totalit, por sektorit përherë e më shumë po merr më pak para nga buxheti i shtetit. Rrjedhimisht po prodhon më pak vlerë të shtuar në ekonomi.