
Nga Evarist Beqiraj-
Kur “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” u botua për herë të parë, synimi ishte të rikthehej figura e Ismail Qemalit jo thjesht si një personalitet historik, por si një model lidershipi, i ndërtuar mbi karakterin, vizionin dhe guximin për të vepruar në momente pasigurie. Pritja që libri ka marrë nga lexuesit në vijim ka qenë inkurajuese dhe njëkohësisht nxitëse për reflektim të mëtejshëm. Fakti që edhe botimi i katërt u përmbyll me një tirazh të kufizuar, të realizuara në bashkëpunim me “Filara”, tregon se interesi për të kuptuar lidershipin përmes historisë sonë mbetet i gjallë.
Ky botim i pestë, i përditësuar, në shqip dhe botimi i dytë, i përditësuar në anglisht i “The Founder”, vjen si një vazhdimësi natyrore e këtij dialogu me lexuesin.
Ndryshimet e bëra janë të kujdesshme dhe të përqendruara. Ato përfshijnë përmirësime të vogla në formulime, saktësime në përmbajtje, si dhe pasurimin e albumit fotografik me disa imazhe shtesë, të cilat synojnë të thellojnë dimensionin historik dhe dokumentar të librit. Këto ndërhyrje nuk e ndryshojnë thelbin e argumentit, por e bëjnë atë më të qartë dhe më të plotë.
Ismail Qemal Vlora përfaqëson një model të rrallë në historinë shqiptare. Ne kemi pasur shumë liderë që kanë synuar pushtetin. Ismail Qemali synonte diçka tjetër. Ai kërkonte të ndërtonte një shtet që të mos kishte nevojë për liderë të përjetshëm. Në këtë kuptim, ai mbetet ndoshta i vetmi lider shqiptar që nuk synoi të sundonte shtetin që krijoi, por ta themelonte atë mbi parime që e tejkalojnë individin.
Më shumë se një shekull pas shpalljes së pavarësisë, pyetjet që shoqëruan atë moment mbeten ende aktuale: Çfarë do të thotë të udhëheqësh në favor të interesit publik? Si balancohet pragmatizmi me parimet? Dhe, mbi të gjitha, si mund të ndërtohet një lidership që nuk mbetet peng i rrethanave, por i kapërcen ato?
“Themeluesi” nuk është një biografi tradicionale, është një manual për ekzekutivët modern. Ky libër nuk synon të idealizojë të shkuarën, por të nxjerrë mësime prej saj. Figura e Ismail Qemalit nuk paraqitet si një monument i largët, por si një pikë referimi që na fton për krahasim, reflektim dhe, në raste të caktuara, për vetëkritikë.
Nëse ky botim i ri arrin të kontribuojë, qoftë edhe modestisht, në një debat më serioz mbi lidershipin, përgjegjësinë dhe të ardhmen e jetës sonë publike, atëherë ai e ka përmbushur qëllimin e tij.
Tiranë, 2026



