BlogKryesoreRajoni

Schmitt: E turpshme që Perëndimi nuk po i mbështet studentët në Serbi, por regjimin e Vuçiqit Schmitt

Pse lëvizja protestuese është më e rrezikshme për presidentin serb Aleksandar Vuçiq sesa protestat e mëparshme dhe çfarë roli luan Perëndimi në krizën politike – shpjegime të historianit dhe anëtarit të Akademisë Austriake të Shkencave Oliver Jens Schmitt.

Në një intervistë të publikuar në webfaqen e Akademisë Austriake të Shkencave, profesori i historisë nga universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, ka folur gjerësisht mbi protestat në Serbi, të cilat shpërthyen në fillim të nëntorit pasi në Novi Sad u rrëzua një pjesë e çatisë së stacionit të trenit dhe mbyti 15 njerëz. Në pyetjen se si ndryshojnë këto protesta aktuale në Serbi nga demonstratat e mëparshme në vend, Oliver Jens Schmitt u përgjigj: “Në të kaluarën, qeveria serbe ishte në gjendje të shtypte çdo rebelim përmes koncesioneve, frikësimeve, kërcënimeve dhe, mbi të gjitha, përmes presionit të madh mbi prijësit e secilit tubim. Protestat e tanishme janë ndryshe: ato bashkojnë grupe të ndryshme shoqërore, kryesisht studentët. Dhe: kjo lëvizje nuk ka liderë që mund të sulmohen ose etiketohen nga regjimi. Ajo që është veçanërisht e rrezikshme për qeverinë është se protestat nuk janë të kufizuara në qytete të mëdha si Beogradi apo Novi Sadi, por po përhapen në të gjithë vendin”.

Lidhur me arsyet përse bash studentët u bënë forcë kryesore  e protestave, Schmitt ka këtë shpjegim: “Të rinjtë vuajnë veçanërisht shumë nga kjo situatë. Vendi është nën kontrollin e plotë të partisë qeverisëse. Nuk ka asnjë perspektivë jetese përtej aparatit të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit. Në Serbi, pak njerëz arrijnë të sigurojnë një punë të mirë nëse nuk janë në ndonjë mënyrë të lidhur me sistemin politik. Këto varësi janë jo vetëm disfunksionale, por edhe të korruptuara. Studentët e shohin këtë në mënyrë kritike dhe ndihen të ngujuar. Shumë prej tyre madje largohen nga vendi. Megjithatë, ata që dalin në rrugë, luftojnë për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Aksidenti i tmerrshëm (në Novi Sad) është një simbol i gjithçkaje që nuk funksionon në këtë vend”.

Profesori Schmitt kritikoi Perëndimin për përkrahjen e regjimit të Vuçiqit. Sipas tij, Perëndimi ka mbështetur këtë sistem për një kohë të gjatë: “Vuçiq nuk do të ishte në pushtet nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe tani edhe nga Olaf Scholzit si një shtyllë e stabilitetit. Edhe pakti i litiumit, që Serbia ka nënshkruar me BE-në, mbështet presidentin. Vuçiq, ish-ministri i propagandës së Slobodan Millosheviqit, është nxitës i urrejtjes, i cili kurrë nuk është larguar nga kursi i tij nacionalist. Fakti që softueri spiunues vjen nga shtete perëndimore, përfshirë Zvicrën, është një tjetër skandal. Demonstruesit që tani dalin në rrugë nuk gëzojnë as mbështetjen më të vogël nga Perëndimi. Kjo është e turpshme”.

Lidhur me rolin e Rusisë, Schmitt shtoi: “Rusia mbështet Vuçiqin, por ai merr mbështetje edhe nga aktorë të tjerë të huaj, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Për protestuesit, kjo është një situatë e vështirë, pasi janë kryesisht të lënë vetëm. BE-ja, e cila është më afër gjeografikisht dhe politikisht, tregon pak interes për situatën politike. Kjo ngre pyetjen se çfarë dëshiron BE-ja të shohë në Serbi – përveçse një furnizues me lëndë të parë, të mbajtur nën kontroll nga një sundimtar autoritar. Mungesa e një strategjie të qartë dhe mbështetjes është zhgënjyese dhe për më tepër edhe cinike dhe afatshkurtër”.

Artikuj të lidhur

Back to top button