Aktualitet/LajmeKryesoreSociale

Sa kushtojnë të burgosurit? Kursehen 61 milionë lekë në muaj nëse miratohet amnistia

Një pjesë të dënuar e të tjerët në pritje të një vendimi nga gjykata, në 20 burgjet e vendit qëndrojnë aktualisht 5 mijë e 315 vetë. Pjesa më e madhe, mbi 3 mijë janë të paraburgosur ndërsa 2 mijë e 241 qëndrojnë në qeli si të dënuar.

Kosto ditore për çdo të dënuar, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, siguria, trajnimi i stafit policor apo shërbimi shëndetësor dhe ai social përllogaritet në 3 mijë e 400 lekë, ndërsa për të paraburgosurit 2 mijë e 800 lekë. Çdo ditë për këto dy kategori të dënuarish dalin nga buxheti i shtetit mbi 16.2 milionë lekë, ndërsa kosto mujore shkon në gati 500 milionë lekë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, burgu i Drenovës në Korçë dhe ai i Shën Kollit në Lezhë janë të mbipopulluar. Ndërkohë, në prag të mbushjes janë edhe disa Institucione të tjerë të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Për të shmangur një mbingarkesë të mundshme, ulur kostot dhe lehtësuar barrën e vuajtjes për disa krime jo shumë të rënda, qeveria ka propozuar miratimin e “amnistisë penale”. Ministria e Drejtësisë përllogaritet se nëse ajo të miratohet, do të përfitonin rreth 600 vetë. Në drejtim të kostove, nëse nisma do të votohet edhe nga opozita, buxheti do të kursente mbi 2 milionë lekë në ditë apo 61.2 milionë lekë në muaj.

Pas të dënuarve në Rrogozhinë apo Durrës edhe 156 vetë që qëndrojnë në paraburgimin e Vlorës kanë nënshkruar një peticion të cilin ja drejtojnë deputetëve të kuvendit të Shqipërisë. Të burgosurit i kërkojnë deputetëve të miratojnë amnistinë penale. Mazhoranca është optimiste që vota konsensuale nuk do të vonojë me rikthimin e klimës normale në Parlament.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button