Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhi

Rusia tërheq personelin nga centrali bërthamor i Bushehrit në Iran

Kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, Rosatom, ka tërhequr 163 punonjës rusë nga centrali bërthamor i Bushehrit në jug të Iranit, pasi autoritetet iraniane njoftuan se objekti ishte goditur, pa pësuar dëme.

“Ditën e sotme, në orën 07:20 sipas kohës së Moskës, 163 persona u larguan nga Bushehri me drejtim kufirin Iran-Armeni”, deklaroi për gazetarët drejtori i Rosatom, Alexei Likhachev. “Në central mbeten ende disa dhjetëra punonjës”, shtoi ai.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, që citon Likhachev, rreth 300 anëtarë të stafit të kompanisë vijojnë të qëndrojnë në Bushehr, megjithatë pritet që një pjesë e tyre të largohen në vijim.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike bëri të ditur një ditë më parë se ishte informuar nga Irani për një goditje me raketë që kishte prekur “brendësinë e perimetrit” të centralit bërthamor të Bushehrit.

Likhachev sqaroi se sulmi, i cili nuk shkaktoi viktima, ndodhi pasditen e së martës dhe goditi një zonë pranë një njësie funksionale të prodhimit të energjisë.

Rusia ka ndërtuar centralin ekzistues në Bushehr, ndërsa Rosatom po punon për ndërtimin e njësive shtesë në këtë objekt. Megjithatë, punimet janë pezulluar pas nisjes së sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button