Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Rusia rekruton 15 mijë nepalezë, përdoren si “mish për top” në frontet ukrainase të luftës

Duhet të ishte një botë larg fushë-betejave në Ukrainë. Por ky shtet në Himalaje, është kthyer në një viktimë të pazakontë të luftës brutale të Rusisë. Nepalezë si Ramchandra të cilët janë arratisur nga ushtria ruse për të shpëtuar jetën, luten tani për bashkatdhetarët që ende janë në front. Ai u plagos teksa luftonte në Ukrainë, ku thotë se ka parë të vriten shumë nepalezë.

“Disa ankoheshin se po shtyheshin përpara ndërsa trupat ruse tërhiqeshin. Gjuha ishte problemi më I madh, se as nuk e kuptonim se ku duhej të shkonim”, thotë Ramchandra Khadka.

Por ky kaos nuk e ka ndalur rekrutimin e nepalezëve, shume prej të cilëve postojnë në rrjetet sociale video të trajnimeve ushtarake në rusi, ku përgatiten për vështirësitë  e luftës në Ukrainë.  Në të vërtetë shumë prej ish të rekrutuarve thonë se dërgoheshin në fronte lufte pas vetëm dy javësh trajnim, të armatosur me pushkë dhe një kontratë prej 1 mijë dollarësh në muaj. Shifra konsiderohet tejet e lartë për Nepalin e varfër.

“Shumica e Nepalezëve që luftojnë për Rusinë në Ukrainë, e bëjnë këtë për paratë dhe vijnë nga zonat më të varfra të vendit. Ne kemi ardhur në periferinë e Kathmandusë, për t’u takuar një grua që gjatë ditëve të fundit, u informua se i shoqi kishte vdekur në një luftë të largët”, u shpreh Matthew Chance i CNN.

“Ishte shoku i bashkëshortit tim, komandanti i tij nepalez në Ukrainë që më mori në mes të natës dhe më tha se ai ishte vrarë. Jam ende e shokuar”, thotë Buddhi Maya Tamang.

Ka frustrim në rritje me trajtimin që rusët i bëjnë nepalezeve duke i përdorur si mish për top në luftën ukrainase. Shqetësimet ndahen edhe nga këta protestues pranë ambasadës ruse në Kathmandu dhe gjithashtu ministri i Jashtëm nepalez që thotë se i ka kërkuar Moskës të reduktoje rekrutimet.

Nuk ka shumë informacione mbi numrin e saktë të nepalezëve që luftojnë për Rusinë. Autoritetet në këtë vend flasin për rreth 200 të tillë, por burime të shumëfishta, përfshirë aktivistë, thonë se 15 mijë nepalezë mund të jenë duke luftuar në Ukrainë.

Januka një nënë e re nepaleze, ka dy muaj që nuk di asgjë për të shoqin e rekrutuar nga Rusia, dhe mendon se ndoshta nuk do ta shohë më kurrë.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button