Aktualitet/LajmeBlogEkonomiIntervistaKryesoreKurioziteteOpinionsTeknologji

Rudina Seseri: Diella lehtëson procesin por kujdes… e rrezikshme sepse s’ka logjikë!

Në një intervistë në podcastin Ilva Tare Talks, Rudina Seseri, ish-deputetja e PS, menaxhere dhe themeluese e Galsswing Venture në SHBA, u ndal te përdorimi i inteligjencës artificiale në administratën publike shqiptare, duke marrë si referencë edhe risinë e Shqipërisë me ministren “Diella”. Sipas saj, teknologjia mund të sjellë efikasitet në procese të rëndësishme shtetërore, por nuk mund të funksionojë e vetme.

“Disa gjëra bëhen më të lehta nëpërmjet inteligjencës artificiale për prokurimin apo për marrjen e një dokumenti”, shprehet Seseri. Megjithatë, ajo thekson se prania e njeriut mbetet e domosdoshme: “Rreziku është që gjithmonë duhet të kesh njeriun, sepse modelet nuk kanë logjikë. Shpesh herë ‘shpikin’ gjëra që nuk ekzistojnë”.

Rudina Seseri e sheh teknologjinë si një mundësi të madhe për njerëzimin: “Kemi mundësinë për ta kaluar njerëzimin në një nivel krejt më të lartë”. Por paralajmëron kundër mbivlerësimit të saj: “Inteligjenca artificiale, ndonëse e emëruar kështu, nuk është inteligjente. Për shembull, nuk ka ende aftësinë për të arsyetuar dhe jemi ende larg kësaj”.

Ky realitet, sipas saj, do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në tregun e punës. Profesionet e së ardhmes nuk do të kenë shumë ngjashmëri me ato që njohim sot. “Çfarëdo qofshin ato, do të jenë shumë më të ndryshme nga çfarë shohim sot”, thekson Seseri, duke nënvizuar se ndërthurja e disiplinave do të jetë një nga avantazhet kryesore.

Seseri vëren një trend të qartë global që është rritja e kërkesës për profile që kombinojnë shkencat ekzakte me ato humane. “Kompanitë kërkojnë njerëz që dinë të kenë një pikëpamje të plotë, të mendojnë jashtë përkufizimeve artificiale që ekzistojnë”, shprehet ajo. Madje, në përzgjedhjen e stafit, Seseri preferon profile të pazakonta: “Preferoj shumë më shumë dikë që ka studiuar fizikë dhe ka bërë një master në filozofi”.

Në fund të intervistës, ajo ndalet edhe te raporti i saj me Shqipërinë. Edhe pse u kthye në vitin 2009 për t’u bërë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, mandat të cilin e la përgjysmë, një rikthim i dytë për të jetuar në vend nuk është në planet e saj. “Në qoftë se flitet për t’u kthyer në Shqipëri, përgjigjja është jo”, thotë ajo, duke shtuar megjithatë se mbetet e hapur për të kontribuar: “Në qoftë se si mundësi për të ndihmuar, sigurisht”.

 

 

Artikuj të lidhur

Back to top button