
Nga Irena Beqiraj-
Bija ime , jetojmë në një botë që lartëson kiminë midis njerëzve por harron interesimin e vërtetë.
Mësoje nga unë që tërheqjet janë të forta e të zhurmshme, ndërsa interesimi i vërtetë është i heshtur. Tërheqja shikon pamjen, ndërsa interesimi ndjek ritmin tënd. Interesimi i vërtetë është i durueshëm. Nuk kërkon që të japësh më shumë a më shpejt nga sa je gati. Nuk të nxiton të flasësh apo të veprosh.
Ndaj, dil me dikë që është vërtet i interesuar për ty, jo vetëm për magjepsjen sipërfaqësore, apo për versionin tënd të kuruar. Dil me dikë që të kushton vëmendje jo sepse duhet, por sepse të të njohë e konsideron privilegj.
Oh , do të jetë e lehtë të gjesh dhjetra njerëz që do të tërhiqen nga ty. Por do të jetë e vështirë të dallosh atë që është vërtet kurioz për ty.
Ndaj, dil me dikë që lexon çdo fjalë që i shkruan jo nga detyrimi, por sepse dëshiron të kuptojë se si lëviz mendja jote; me dikë që dëshiron ta shohë botën edhe përmes lentes tënde me gjithë rrëmujën, butësinë apo kaosin tënd të qetë. Dil me dikë që dëshiron të dijë gjërat e tua të vogla.
Dil me dikë që i vëren ditët kur mbyllesh në vetvete edhe që nuk e merr heshtjen tënde personalisht, por ulet në heshtje pranë teje derisa ti të jesh gati të flasësh. Dikë që e ndjen kur e qeshura jote është e vërtetë dhe kur është një mbulesë.
Lidhjet e vërteta nuk ndërtohet vetëm mbi intensitetin, ato ndërtohet mbi të mësuarit. Të mësuarit se çfarë e qetëson personin tjetër. Të mësuarit se çfarë e lëndon dhe çfarë e shëron. Ky është lloji i dashurisë që të ndryshon. Ky është lloji i dashurisë që të bën të ndihesh si në shtëpi.
Dhe ti e meriton këtë lloj dashurie. Ti (edhe çdo vajzë ) meriton atë lloj dashurie që nuk dëshiron vetëm të njohë trupin tënd, por dëshiron të njohë edhe qenien tënde; që nuk e romantizon forcën tënde, por nderon dobësinë tënde; që nuk zbehet pasi misteri zhduket, por thellohet me çdo zbulim. Ti meriton të jesh me dikë që vazhdon të zgjedhë “të zbulojë”, përsëri e përsëri, edhe kur nuk është e lehtë.



