
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka shkruar në rrjetet sociale për takimin që pati në Departamentin Amerikan të Shtetit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai njoftoi në X se e falënderoi Osmanin dhe popullin e Kosovës për angazhimin në Bordin e Paqes.
“U takova me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes”.
“Gjithashtu falënderova Presidenten Osmani për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, shkruan zyrtari i lartë amerikan.
Rreth takimit është deklaruar edhe shefja e shtetit të Kosovës e cila tregoi se me zyrtarin e lartë amerikan diskutuan mes tjerash për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë. Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon”.
“Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik.
Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, tha ajo në Facebook.



