
Nga Auron Tare-
Miku im Pandi Gjata kishte postuar sot një status mbi sorollatjen e tij rrugëve të Shqipërisë dhe per për të ardhur më në fund në shtëpi nga Maqedonia. Me të drejtë, si ironia ashtu edhe zemërimi i tij mbi situatën e rënduar të rrugëve në Shqipëri janë të justifikuara.
Ndërkohë, kur shikon se çdo ditë ka lajme mbi rrëzimin e shpateve malore buzë rrugëve, çarje të asfalteve, thermosje urash apo tunele që fusin ujë, me të drejtë më lind edhe mua pyetja, a kanë ditur ndonjëherë shqiptarët të ndërtojnë rrugë? Sepse të ndërtosh rrugë është një çështje jo vetëm teknike, por në radhë të parë edhe historike.
Kur sheh që për mbi 2000 vjet territoret tona kanë pasur vetëm një rrugë të madhe, Via Egnatia (edhe ajo e ndërtuar nga romakët), e kupton se ne, si popull, nuk kemi pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e rrugëve. Rrugët nënkuptojnë zhvillim, tregti, art, kulturë, lëvizje, shkëmbime.
Për mbi 2000 vjet, e vetmja arterie e lëvizjeve tona ishte Via Egnatia, udhë e trashëguar edhe nga osmanët, të cilët mbi të dhe pranë saj ndërtuan disa ura që, për ironi të debatit, nuk janë shembur ende.
Pas mëvetësisë dhe krijimit të shtetit, të vetmet rrugë që u ndërtuan në Shqipëri ishin ato të ndërtuara nga italianët, të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, ishin kryesisht rrugë ushtarake. Pas luftës, rrugët e trashëguara u mirëmbajtën me shumë vështirësi, por ata që kanë udhëtuar në to e dinë mirë se çfarë kanë hequr.
Nga viti 1992 e këtej, për vite me radhë, rrugët tona ishin një fatkeqësi kombëtare dhe një turp kombëtar njëkohësisht.
Nderkohe krijimi i një infrastrukture rrugore sot në Shqipëri është një përpjekje shumë e sforcuar, e cila po tregon më së miri se ndërtimi i rrugëve nuk është një çështje thjesht teknike, por historike. Një popull që për 2000 vjet nuk ndërtonte dot rrugë, nuk mund t’i ndërtojë ato për 20 vjet.



