BlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Rrofsh sa kënga!,-Zonjë e Këngës, “Bejka e Bardhë” !

Nga Aleksandër Çipa
Urimi për zonjën e këngës piluriote Vasillo Lapa Koka, nuk mund të jetë për një piluriot, i thjeshtë dhe formal.
Është fjala për një zonjë të këngës polifonike shqiptare në dimension kombëtar.
Në ditët e fundit të jetës së frymtë, im At pohonte përsëritshëm një përcaktim vetiak: ” Kryevepra ime është Grupi i Pilurit. Do të rrojë kjo kryevepër, sa të jetë veshi i fundit në Botë!”…
Në këto 24 orë të fundit, deri në hedhjen e këtij shënimi për urim, më është kujtuar aq dendur ky pohim i Atit tim të ikur, tashmë prej katër vitesh në amëshim.
Duke jetuar me përvjetorin e ditëlindjes së ” Bejkës së Bardhë- Vasillo Koka të Pilurit, në memorien time dhe në thellësi të ndërgjegjes, më ka mbetur pasazhi i takimit të fundit mes Poetit dhe Këngëtares në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Im At kishte humbur këngën, por lartësonte krenarinë e tij për Grupin e Pilurit… Atë ditë, kur i mbërriti për vizitë nga Athina ” Bejka e Bardhë” me një tëngë të thellë zemre, më tha:
– Vasillua ka ardhur si artiste dhe unë dua të ha një drekë kënge me të! Më lëviz këtej!”
U krye.
Sa u ulëm në restorant, Zonja e këngës nisi me zërin e saj të veshur me kadifenë e ndjenjtë, duke na marrë nga cepat e syve, lot të rrjedhtë: ” Kam ardhur të bëjmë prova/ këngën tonë të re/ lule Lefter Çipa/ yll i brezave…!!!.”
Në sytë e tim At-i ishte një dritë krenarie që tejçonte rreze nëpër të gjithë kohën e epoktë të gati 55 viteve të këngës se re piluriote.
Rrodhi koha dhe në mote, vijon të lartësohet bindja, se Grupi i Pilurit është një kryevepër e artit polifonik shqiptar…
Në këto 24 orë të fundit, e kam risjellë në mendjen time, këtë fakt për shkak të mirëmendimit të urimit ende të paçuar publikisht, për artisten unike piluriote, Vasillo Koka.
Janë thënë, thuhen dhe do të thuhen (ç’ka duhet thënë), për meritën e zërit, interpretimit dhe kontributit të saj…
Unë së pari, dua ta uroj si gjithë të tjerët, por kam shumë më tepër arsye, ta uroj edhe në mënyrë të veçantë:
Kjo është një zonjë që si e tillë, qysh në vajzërinë e vet e deri më sot, së bashku me simotrat e saj të këngës piluriote, kanë një meritë dhe një vlerë të drittë njerëzore, për komunitetin njerëzor në Bregdet e në Labëri, në përgjithësi.
Në pikëpamjen gjinore, Grupi i Pilurit në vite dhe disa dekada ka shënuar një rekord historik. Është fjala për një periudhë kur mentaliteti vendor dhe prapambetja në periferitë e vendit ishin tronditës dhe pengimet ishin mal sidomos për bijat dhe vajzat e këngës.
Në këtë periudhë Grupi i Pilurit ishte trupa apo ansambli i këngës labe që ka shënuar numrin rekord të femrave në përbërje të vet.
Këngëtarja Vasillo Koka së bashku me zonjat unike të këngës Katina Muço Mërkuri, Erimioni Mërkuri, Eleni Mërkuri dhe më tej Qirjakulla Bala, Marika Çipa, Luiza Çipa, Lule Çipa, etj, etj…( Ndjesë për mospërmendjen e të gjithave!!! ( Këto janë vetëm marrëset e këngës piluriote të Grupit të Pilurit)…., janë zonjëzat që sfiduan mentalitetin vendor të kohës, që shpërfillën pengimet e mendësive dhe u reshtuan nëpër ngjarjet e mëdha artistike kombëtare, krah yjeve të skenës dhe këngës kombëtare shqiptare…
Kjo zonjë që meriton urime të shumëfishta zemre, është një pjesë thelbësore e historisë kulturore të Pilurit.
Zonja e këngës është një primare e Grupit të Pilurit.
Zëri i saj i përjetësuar në këngët jetështuese si: ” Tundu Bejkë e bardhë, tundu!”, “Bilbil i vendeve të mia”, ” O fildish i xhamadanit” etj., etj…., përbën një shenjë të pashueshme vokale. Ndërsa veprimtaria e saj është hise qytetarie dhe drite shpirtërore për brezat e rinj të këngës, për artistët pasionantë që vijojnë këtë traditë në Pilurin,-si fole e përjetshme kënge.
Artiste e vendit tim të uroj nga zemra jetë të gjatë!
Urimi im, natyrshëm që është i veshur i gjithi me falenderime dhe mirënjohje për Ty!
Sepse ti dhe artistet e tjera të vendit tim, në atë vis ku lartësia e qiellit, e malit dhe tejshtrirja nën këmbë e detit, do të ishin të paplota dhe me mungesa, pa këngën tuaj.
Ju nuk sollët thjesht këngë, por mbartët dhe jetuat si talente, në një vend ku zëri njerëzor ka cilësi tjetër dhe bëhet mistikisht i zgjedhur për Fosforinën Vënçe Shqiptare- Polifoninë.
Urimi im për jetëgjatësinë tënde, e shtrenjta Zonjë e Këngës Vasillo, shtohet edhe më tepër kur sodit se si në ikanakësinë tënde si në këngën tuaj aq tronditëse dhe ajkunore:” Janë lotët e kurbetit”, ju nuk merrni trishtim, por shumëfishoni krenari, pasion dhe adhurimësi prej Zonjë-Nëne për atë ç’ka keni bërë, na keni lënë dhe na mëkoni! Ju dëshmoni aq fisnikërisht dashurinë për vendlindjen, si askush tjetër.
Zonja e Këngës Vasillo Koka, është artistja që jo vetëm e la vlerën e perëndishme, por në këtë moshë të maturisë së lakmueshme të mendimit, na ka sjellë e sjell, edhe vjershërimin e shkruar, si një aureolë të re të imazhit dhe portretit të vet në sytë e të njohurve, të miqve dhe mikeshave, të adhuruesve dhe fansave dhe të këngëtarëve ende të paardhur. Kjo e sotmja- poezia, vjen prej saj, si një shenjë e bukur mishëruese për kulturën në fshatin e Këngës që është edhe i fjalës, edhe i shkrimores.
Në kurorën e bukur të familjes së vet, kjo Zonjë e Këngës piluriote, përditshmërisht lartëson një qeshje krenarie dhe gëzimi. Prej këtij rrezatimi, shumëkush në Pilur fiton diçka më tepër, për kujtesën dhe kujtimet e bukura që janë dhe do të mbesin, diçka prej fryme nga njerëzit që u bashkuan në një Kryevepër si Grupi i Pilurit, tek i cili u mbishquan zonja si Vasillo Koka.
Jetofsh sa kënga,- do të thosh dhe thotë tashmë e përgjithnjë, im At!
Jetofsh në qeshjen tënde, zonjë e këngës dhe e krenarisë sonë piluriote!!!!

Artikuj të lidhur

Back to top button