Një raketë ruse tokë-ajër ose copëza të saj bënë që të rrëzohej avioni i nisur nga Azerbajxhani në Aktau, të mërkurën. Kështu pretendojnë burime të qeverisë së Azerbajxhanit, të cilët shprehen se raketa u lëshua gjatë aktivitetit të droneve ajrore mbi Grozny dhe fragmente të saj goditën avionin me numër fluturimi 8432.
Madje nga qeveria azerbajxhanase pretendojnë se avioni i dëmtuar nuk u lejua nga autoritetet ruse të ulej në asnjë aeroport pavarësisht kërkesave të pilotëve për të bërë një ulje emergjente në tre aeroporte ruse. Ata besohet se janë urdhëruar të fluturojnë përtej Detit Kaspik për në Aktau të Kazakistanit.
Harta tregon tre aeroportet (tre rrathët e kuq) në të cilët është bërë kërkesa nga pilotët për një ulje emergjente, përpara se avioni (në rrethin e verdhë) të vazhdonte më në fund rrugën për në Aktau.
Sipas dëshmive, sistemet e navigimit GPS të avionit ishin bllokuar gjatë gjithë rrugës mbi det. Në total, 38 pasagjerë u vranë dhe 29 të tjerë shpëtuan kur avioni u rrëzua pranë qytetit Aktau.
Rusia nëpërmjet zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov pretendon se hetimi për shkaqet e rrëzimit të avionit është duke vazhduar dhe është e gabuar të spekulohet para se të përfundojë. Ndërkohë, NATO kërkoi sot një hetim të plotë për shkaqet e rrëzimit të avionit të Azerbajxhan Airlines.
Ndërkohë mediat kanë publikuar edhe mesazhet e fundit të pilotit përpara se avioni të rrëzohej.
“Po humb kontrollin“, është shprehur piloti përpara se Embraer të rrëzohej në Kazakistan në ditën e Krishtlindjeve, sipas Daily Mail.
Në të njëjtën kohë, pasagjerët kanë bërë video-telefonatën e fundit me të dashurit e tyre pak para tragjedisë.
Dialogu mes pilotit dhe kullës së kontrollit përpara rënies së avionit:
8:12
Piloti: “Të dy GPS-të humbën. Ne kemi nevojë për udhëzime për t’u kthyer në aeroportin e ngritjes në Baku.”
8:16
Piloti: “Kemi humbje të kontrollit, përplasje me zogj në kabinë. Përplasje në kabinë (e pakuptueshme)…”
Kulla e Kontrollit: “AXY8243, kuptojmë. Për çfarë lloj ndihme keni nevojë?’
Piloti: “Do të kthehemi në Baku”.
Por në orën 8:17, piloti njoftoi se ai “po shkonte për në Mineralnye Vody” – një fushë ajrore në Rusinë jugore.
Piloti: “Po shkojmë në Mineralnye Vody”.
Kulla e Kontrollit: “Kryeni rrotullimin majtas”.
Piloti: “Nuk mund të ekzekutohet, humbëm kontrollin!”
8:19
Piloti: “Nuk mund ta mbaj 150 (nyje shpejtësie). Ne kemi presion të lartë në kabinë”.
Kulla e Kontrollit: “AXY8243, kuptohet.”
8:20
Piloti: “Kthesë majtas 360 gradë, po humbasim kontrollin.”
8:21
Piloti: “Do të shkojmë në Makhachkala” (një fushë ajrore ruse në Detin Kaspik)
8:22
Piloti: “Tani kemi një problem hidraulik.”
8:24
Piloti: “Nuk kemi shpallur gjendje të jashtëzakonshme”.
Kulla e Kontrollit: “Mezi të dëgjojmë… në çfarë lartësie je?”
Avioni më pas u zhduk nga radarët për 37 minuta përpara se të bënte përpjekjen e tij të fundit për t’u ulur.