Fuqitë e mëdha globale kanë rikthyer në diskursin e tyre diskutimin për “rithemelimin e OKB-së”, si institucioni më i strukturuar i deritanishëm për qeverisjen ndërkombëtare. Ky është në fakt një debat i hershëm, por i aktualizuar rishtazi nga zhvillimet e vrullshme ndërkombëtare dhe vështirësia që ka kjo organizatë për vendimmarrje dhe, më e rëndësishme, për të vepruar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në fjalën e vet në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, theksoi se pala amerikane e vlerëson OKB-në sepse ka “potencial të jashtëzakonshëm”, por duke u dëshmuar “e pafuqishme” herë pas here.
Në adresim të kësaj nevoje, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, vlerëson se themelimi i OKB-së konsiderohet rezultat i rëndësishëm i fitores në Luftën Botërore Antifashiste dhe se godina e saj u ndërtua bashkërisht nga popujt e botës. “Ne kemi çdo përgjegjësi ta forcojmë dhe ta rinovojmë atë, dhe asnjë të drejtë ta shkatërrojmë apo ta rrëzojmë”.
Kryediplomati kinez Wang Yi takohet me homologun amerikan Marco Rubio/Foto nga VCG
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë një strukturë kontribuuese e thelbësore në qeverisjen e botës për dekada rresht. Merita që i njihet funksionimit të saj lidhet me shmangien e rikthimit në “ligjin e xhunglës”. Në këtë nevojë, komuniteti ndërkombëtar e sheh të domosdoshme rikonfirmimin e misionit themelues të këtij organizmi unik, pavarësisht problematikave strukturore që analizohen dhe kritikohen vazhdimisht.
Rithemelimi apo ripërcaktimi i statusit të këtij konstrukti unik të institucionalizmit botëror duhet nisur nga rikonfirmimi i misionit themelues të saj.
Koha e zhvillimeve aktuale dhe atyre të gjysmës së dytë të dekadës së fundit ka tronditur besueshmërinë, ka krijuar ambiguitete, si dhe boshllëqe në respektimin e Kartës së OKB-së, duke e dobësuar edhe funksionalizmin, por edhe efikasitetin e kësaj organizate, sidomos në shekullin aktual, XXI. Mjaft debat ngjall dhe konstrukti i Këshillit të Sigurimit, veçanërisht parë nga perspektiva e vendeve të kontinentit afrikan, të cilat nuk janë të përfaqësuara.
Takohen ministrat e Jashtëm kinezë, francez dhe gjermanë, shkurt 2026, Mynih/Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës
Për sa i përket fuqive të mëdha, mes SHBA-së dhe Kinës ka diferenca në përcaktimin e arsyeve pse sistemi ndërkombëtar nuk po funksionon siç duhet. Realitetet gjeopolitike të krijuara rishtazi kanë nxitur nisma për grupime dhe blloqe të reja në dimension ndërkombëtar. Natyrshëm, kjo ka shkaktuar edhe shprishjen e hartës tradicionale të aleancave, marrëveshjeve dhe raporteve të krijuara përgjatë gjysmës së shekullit të fundit. Ndërgjegjja besuese në arenën globale është shembur dhe interesat kombëtare të fuqive predominojnë, duke krijuar rrethana dhe premisa të reja përkeqësuese të klimës së bashkëpunimit, si dhe të funksionimit të institucioneve ndërkombëtare.
Vijimi i rreth 60 konflikteve në vatra të ndryshme ndërshtetërore nëpër botë është një sfidë e madhe pasigurie, ineficence kontributesh apo funksionimi të autoritetit të organizmave ndërkombëtarë. Në këtë pikë ka qënë dhe kritika tjetër madhore e OKB, pra paaftësia për të ndërhyrë në një pjesë të madhe të konflikteve ekzistuese.
Pavarësisht kësaj, vlera e OKB është pikërisht te fakti që nuk ka një alternativë ose vizion zëvendësues të mirëfilltë. Për shkak se, në fund të ditës, multipolariteti që përfaqësohet nga OKB është realitet bashkëekzistues me këmbënguljen e pikëpamjes tjetër për unilateralitetin.
Nga ana tjetër, kemi një situatë konfuze për fuqinë tjetër të rëndësishme gjeopolitike, kontinentin europian. Europa ka hyrë në ditët e një epoke të re për marrëdhëniet partneriale të saj me fuqitë globale dhe formacionet, si dhe ripërcaktimet e trajektoreve të reja gjeopolitike.
Ky fenomen u shpërfaq qartazi dhe në Konferencën e Mynihut. Jo më kot, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi prej evropianëve të tregojnë më shumë angazhim në çështjet e sigurisë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nënvizoi se “Kina dhe Evropa janë partnerë, jo kundërshtarë, dhe sigurisht jo ‘rivalë sistemikë’”.
Strukturat ndërkombëtare, prej tronditjes sizmike në arealin gjeopolitik aktual, rezultojnë delikate dhe jo funksionuese. Autoriteti i tyre, herë i sabotuar, herë i penguar dhe i dobësuar prej shtrëngesave financuese, ka nevojë për një reformim dhe ristrukturim përmes misionarizmit funksional. Megjithatë është e qartë që forma partneriale që ndërton Europa me SHBA dhe Kinën në këtë kontekst të ri dinamik ndërkombëtar do të jetë përcaktues dhe për vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe mundësinë e reformimit të saj.
OKB-ja, si formulë dhe strukturë funksionuese në një periudhë epokale të kësaj bote, mund ta kapërcejë dilemën ekzistenciale përmes këtij rithemelimi të vetvetes, duke rikompozuar, në përshtatje me kontekstet dhe realitetet e tanishme rrëshqitëse, rolin dhe potencialitetet, autoritetin dhe forcën e saj si organizata më e patejkalueshme botërore. Vetëm përmes këtij ndryshimi mund të përballet qeverisja e re globale edhe kur dallimet shkojnë thellësisht, si në kontrastet e ditë-natës në hemisferat e globit.



