
Nga Rita Petro-
Nga fjala ime e mbajtur në ceremoninë, ku m’u dha titulli POETE LAUREATE 2025-2027
E pranoj këtë titull me mirënjohje dhe përgjegjësi.
Për mua, poezia nuk ka qenë kurrë një privilegj elitar, por një mënyrë e të jetuarit me guxim — ndaj vetes dhe ndaj botës.
Kam besuar që e re kur lexoja poetët e mëdhenj, se poezia nuk ekziston për të dhënë mësime morale, por për të të na provokuar duke na ndriçuar në thellësi të vetes që të zbulojmë imazhe dhe ndjesi të strukura në errësirën e universit të qenies sonë.
E kam krahasuar poetin përherë me figurën e Krishtit, që i mbeti përjetësisht mbi kokë kurora me gjemba, vetëm e vetëm se ai mori përsipër mëkatet e të tjerëve për të dhënë mesazhin e kryqëzimit nga dashuria për njerëzit.
Ndaj si poete laureate e shoh këtë titull jo si kurorë dafinash, por si mision, një detyrë publike për ta mbajtur poezinë bashkëkohore shqipe sa më të pranishme, veçanërisht te të rinjtë, por edhe te qytetarë të moshave të ndryshme. Kam ndërmend të punoj drejtpërdrejt me nxënës dhe studentë, përmes leximeve publike, punëtorive të shkrimit dhe bisedave të hapura.
Duhet të krijohen hapësira ku të rinjtë të ndihen të lirë të shkruajnë e të lexojnë pa frikë nga bullizimi, se po zbulojnë ndjesitë apo dobësitë e veta, pra, të shprehen pa frikën e autocensurës.
Dhe natyrisht kjo do të realizohet në bashkëpunime me shkollat, bibliotekat e qyteteve dhe hapësirat e tyre kulturore, duke e bërë poezinë të hapur, të qasshme dhe në dialog.
Është e rëndësishme të krijohen hapësira të tilla edhe në natyrë, ku ndodhet dhe vetë esenca e poezisë, me mesazhin e madh që të mbrojmë natyrën, të mbrojmë fjalën poetike.
Unë vërtet jam zgjedhur poete laureate e Shqipërisë, por misioni im shkon përtej kufijve që i ndajnë shqiptarët mes vedi. Dhe kur them se duhet t’i japim më shumë zë fjalës së bukur poetike shqipe, e kam për të gjithë ata poetë shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, në Shqipëri apo Kosovë, Preshevë, Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, dhe në Diasporë.
Dhe për ta mbyllur, do të thoja se poezia e ka privilegjin që mund ta marrësh me vete, si në një takim dashurie, ashtu edhe në një protestë.
Faleminderit edhe një herë për besimin. Do të përpiqem ta meritoj këtë titull.



