Nga Rexhep Polisi-
Më 5 janar 1991 u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike” (RD). 5 janari mbetet një datë historike pasi njerëzit anë e mbanë vendit zbuluan në faqet e kësaj gazete realitetin e hidhur, zbuluan Shqipërinë lakuriq ashtu siç ishte dhe jo siç e propagandonte regjimi.
Janë të shumtë gazetarët që kanë kontribuar me shkimet e tyre në gazetën RD që nga numri i parë e në vijimësi. Njëri ndër ta është edhe Bujar Xhaferri, një gazetar guximtar që me shkrimet e tij tërhoqi vëmendjen e lexuesit. Sot, në moshën e pensionit, ai njihet pak, por shkrimet e tij mbahen mend gjerësisht.
Po publikoj një shkrim të tij ku pasqyrohet realiteti tragjik i kohës së diktaturës në vendet e internimit në Lushnje, të cilat i ngjanin një Gulagu për shkak të jetesës çnjerëzore dhe përbuzjes nga regjimi komunist.
Gulagu – Gradishtë
Nga BUJAR XHAFERRI
(Rilindja Demokratike, e shtunë 1 qershor 1991)
Ndonëse distanca fizike e këtij Gulagu shqiptar nuk është e largët me qendrat e banimit aty rrotull, nuk është e largët me njerëzit e ashtuquajtur të lirë dhe të lejuar prej ligjit të jenë “të lumtur”. Mbërritja atje është po aq e vështirë dhe e mundimshme sa të ecje nëpër një labirint. Është një labirint i ngjashëm me atë që përshkruan i famshmi Horhe Luis Borhes në rrëfenjën “Dy mbretër dhe dy labirintë”. Labirinti i mbretit të parë ishte zbavitës, tallës, robëronjës, poshtërues, kurse i të dytit: hakmarrës, djallëzor, i zbrazët, vdekjeprurës. Pikërisht i tillë është Gulagu – Gradishtë, një labirint pa mure, pa shkallina, pa porta të mistershme e pa kthina hutuese, – një oaz dhimbjeje në mes të fushës shkretëtirë. Duket se njeriu aty e zotëron gjithë hapësirën dhe rrugët përreth, po megjithatë, as me ndihmën e zotit nuk e gjen rrugën e shpëtimit. Para dy-tre muajsh një gazetar portugez që udhëtonte drejt këtij Gulagu brutal, u habit që unë banor i hershëm i qytetit të Lushnjës, nuk kisha qenë asnjëherë në kampin e të internuarve të Gradishtës. Portugezi nuk e dinte se distancën e vogël gjeografike, në këtë rast, e zhvleftësonte një distancë e humnershme ligjore, një distancë e pamatë dhe kobprurëse.
Ndonëse i ngjan një lagjeje të vogël mjeranësh, nuk mund të kuptosh se ku ndahet shtëpia e njërit dhe e tjetrit. Barakat e vogla janë ngjitur njëra me tjetrën, pa oborre dhe pa gardhe. Për të lëvizur nëpër dhomëzat do t’i duhej të kërrusej dhe një xhuxhi. Mbi ujdhesën ku janë vendosur këto baraka bie në çdo çast një erë e rëndë dhe e mërzitshme. Goditja shtetërore është e tmerrshme; rropatje fizike, mungesë uji, racionim buke, zhbërje shpirtërore… Ata njerëz aty e kanë për traditë sidoqoftë, të jetojnë në ajër të pastër, në ambiente të lirshme fisnikësh, por shteti së pari godet zakonin, traditën. Sa më e madhe të jetë dhoma (në Gradishtë këto dhoma janë prej kallami, baltë dhe plastike) aq më e madhe është lëvizja, liria. Por këta njerëz janë destinuar të mos jenë të lirë! Gjithçka është e zvogëluar: trupat, portretet, intelektet, çatitë, bibliotekat, vetëm virtyti jo. Në shtëpinë e Xhevdet Kaloshit shpëton prej asaj ndjenje poshtëruese, që zotëron sapo shkel në Gulagun – Gradishtë. Më në fund, pas asaj heshtjeje të rëndë, mospërfillëse, pas asaj qetësie terrorizuese që zotëron ujdhesën, ja tek shfaqet njeriu i qeshur, i gjallë, i dhembshur, – Xhoda, me djemtë, nuset dhe nipat e vegjël. Shtresa e zymtësisë është e madhe, shumë vjeçare. Ka banorë të ujdhesës që kanë lindur të internuar dhe janë plakur të tillë. Fëmijët e Xhodës, të Halil Zenunit, të Myrfet Otolakut… të gjithë kanë lindur aty, në internim. Është e tmerrshme të rritesh e të fitosh ndërgjegje e të kuptosh se lind i fajshëm (!). Me Hyrien fisnike pas pak shkëmbej dy fjalë të mira. Ka vite që askush s’ka ardhur për të mirë në Gulagun Gradishtë. Mandej aty është e vështirë të vish me automobil, aty futesh vetëm me automobil “Gaz” 69.
Për ironi të fatit, njeriu që më ka ndihmuar mua për të shkuar deri aty, ka një automobil të këtij tipi. Një tip automobili që është parë shpesh në rolin e sqifterit në Gradishtë. Në rolin e sqifterit që binte herë pas here në mes të viktimave të tulatura e të pambrojtura.. Automobili-tip, i arrestimeve. Për herë të parë ky tip automobili, kjo “kafshë” grabitqare, krijesë e egër shtetërore, shfaqet në gulagun e përgjumur në mënyrë miqësore. Megjithatë, prania e saj edhe këtë herë i bëri të tkurren prej mornicave banorët e këtij mikrogulagu.
Oazi i çuditshëm – Gradishtë, mbart në vetvete një farsë më të hidhur se mjerimi i barakave. Aty ekziston vetëm një botë: bota e të mjerëve. Por ligji thotë ndryshe dhe njerëzit këtej pari i besojnë shumë ligjit. Fare pranë të dënuarve, të vendosur në një pseudopallat, ata që besojnë se të tillë, janë të lumturit, të lirët, të mashtruarit, ata që duartrokasin (tani nuk duartrokasin), ata janë fare pranë, i ndan vetëm një rrugicë në të cilën mund të kalojë vetëm një kalimtar.
Por ata janë larg, larg. Mijëra kilometra larg. Më larg se sa distanca tokë-diell. Portretet e tyre janë të vrarë, të zhuritur, trupat e tyre janë të plogët e të dobët, por ata besojnë të kundërtën, (ata janë të magjepsur) ata besojnë ligjin që thotë se janë të lumtur. Dhe ata i bëjnë “sfidë” të internuarve, të përmbysurve (klasat) u bëjnë sfidë me gjithçka, ata që s’kanë fituar asgjë dhe mbahen për triumfatorë, ata bëhen cinikë, mblidhen turmë dhe klithin “Parti Enver, jemi gati kurdoherë” (tani s’klithin më). Kjo thirrje është sfida më e madhe, tortura më e madhe, për palën tjetër dhe fitorja më e madhe! O zot mëshiroi këto gjallësi pa sy!
Dhe rruga për të ardhur në këtë gulag të përhumbur është e gjatë, e gjatë. Të griluarit nuk duhet të vdesin, ata duhet të jenë gjallë, vetëm pak të gjallë. As të gjallë, as të vdekur. – Vdekja dhe jeta e tyre trishton njëlloj shtetin përbindësh. Ata i internojnë në Berat, pastaj në Tepelenë, pastaj… në ferr, pastaj në këtë gulag. Shteti u lodh prej rezistencës së tyre, prej mbijetesës së tyre.
Më në fund në gulag klasat u pajtuan. Ata që shteti i shau, i përfoli, ata të përmbysurit, të gjitha ndihmat që morën prej botës së përtejme i ndanë me të fituarit, me fqinjët e tyre mjeranë, të afërt dhe të largët. Vetëm kur morën diçka në pakot e shoqërisë austriake, “karkata” të painternuarit e burgosur, të lirët e hidhur, në gulagun Gradishtë, kuptuan se ishin njëlloj të mjerë me fisnikët që prej vite i përfolën e i braktisën. Kjo është dashuria e rilindur, dashuria në kohën e kolerës.
Dashuria sipas Markezit të madh! Dhe “shenjti” i burgosur, Valentin Previzi, siç e quajnë të internuarit, u ridashurua me ish-gruan e tij në Itali – 40 vjet ndarë. Me siguri duhet të ndreqet diçka në proverbin “larg syrit larg zemrës”. Ndoshta ky proverb tingëllon i vonuar. Dhe i burgosuri e internuari i përjetshëm Leka Dosti më shikon miqësisht me sy prej fisniku, dhe, megjithatë, s’di të jetë i vrazhdë. Lavdi dashurisë që di ta ndreqë botën!