Nga Miho Gjini-
Ja ku jam përsëri nën mjegullnajën e Londrës…Në një vend që e sheh DELLIN tepër rrallë…Megjithatë, është hera e tretë që vijë këtu. Ime bijë, që ka pesë vite që jeton e punon në kryeqendrën e Mbretërisë, herën e parë më rrëfeu sheshin Westminister, luanët britanikë prej bronxi, Muzeun e Veprave të Arit, Kullën Big Ben, ngjitur me parlamentin , urën e madhe mbi lumin Tamiz, London Bridge, dhe atë që i kërkova me domosdo: të më shpinte, në Teatrin “GLOBUS” të Shekspirit. “Ndryshe nuk e ndjejë Anglinë pa Të”,-i thashë me përgjërim sime bije…Për tu magjepsur dy muaj më vonë me “Ëndrën e një nate vere”, ku spektatorët e aktorët, sikur qenë trazuar me njëri-tjetrin, nënë një copë qiell dhe, -për fat,-po në atë llozhë ku dikur ulej Mbretëresha Elisabetë (E para!). Dhe duke e ndjerë veten 500 e ca vite më mbrapa! Përjetova kështu, lumturinë time të fundme! Ja që, paska edhe ditë të bukura në një vend pa dielI, ku “bryma shpon si turjelë”!
Periferia
Të ngjan vetja sikur je patjetër mbrapa, në njerëz e në histori. Sido që koha lëvizë, ecën me shpejtësi… Sa ikën nga qendra e madhërishme e kryeqytetit dhe “zhytesh” thellë periferisë së gjelbër, me ato godina alpine, me çatitë e thikta e me konstrukte ndërtimi prej druri, tullash të kuqërremte, xhami, hekuri e alumini. Lamtumirë beton! Nga dreqin “plasi betoni”, jo vetëm nëpër qytete tona, po edhe fshatrave…E të ngjan se edhe njerëzia atje tek ne, ka diçka prej betoni! Ecën rrugëve të pastëra të fshatrave të kësaj Mbretërie dhe të duken si të njëtrajtshme banesat, si të bëra kasten për festat e fundvitit. Por, po t’i shikosh me vëmendje, arkitektura e tyre ndryshon e varion në qindra e mijëra pamje, midis hapësirave të gjelbëra që nuk sosen e të brigjeve të veçuar të “Tamizit” plak, ku notojnë rosat shumëngjyrëshe e me vrullet e bimësisë harlisur brigjeve, që krijojnë “një bukuri për syrin”,-si thoshte një personazh i Shekspirit. Bile edhe ty të ngjan vetia me një personazh të vonë e të habitur, kur përtej shtëpisë së time bije, nga njëra anë hapet njeri prej parqeve më të mëdha të Londrës, thuajse i njëllojtë me Parkun Mbretëror. Po unë ndodhem , në periferi e më së shumti më afrohen pyjet e Robin Hudit që përfundojnë tek Hani i Gjeneralit Havelock, ku qysh ditën e dytë të ardhjes këtu, më 24 dhjetor, më dolën përpara katër kuaj të shëndetshëm, me shtresa poshtë samareve elegante, ku qëndronin të krekosura katër vajza të veshura sipas traditës e të dukej , sikur edhe ato , porsa dilnin prej atyre “pylltarëve” që printe ky njeri bohem i legjendave angleze, ngarkuar me harqe e shigjeta…Si pjesë e një natyre që vjen gjer në ditët tona, sidomos kur bëhet fjalë për kremtimin e festës së lindjes të “Njeriut të Perëndisë”…
Prej këndej , udha e nënpemëve të shpie gjer në WICOMBE e prej andej , kur afroi mbrëmja do të shkonim gjer në skajin malor të fshatit ku banonin miqtë e veçante të sime bije, amerikania Alisa Salazar, me të shoqin Martin Vojtalla, nga Polonia,-një çift i mrekullueshm që na erdhën edhe dy behare në Piqeras, për të pushuar nga zallamahia e qytetit të madh. Është edhe kjo arsyeja që ata kanë zgjedhur për të banuar këtë shtëpi qindravjeçare barinjsh në Loodwater Radnage, me tavanin e ulët që e mbajnë trarë po kaq të vjetër, veçuar prej banesave të tjera, përbri një stani delesh. Sa më larg zhurmës, lëvizjeve të dendura “sup me sup” dhe marramendjes së trafikut rrugor super të ngarkuar. Si mbërrita gjer këtu, përmes mjegullnajës së dendur, do të kuptoja përse ime bijë e preferonte shoqërinë me Koreografen amerkane e me punonjësin e Bankës Botërore të Londrës, duke vajtur për pushime në disa shtete të botës, gjer në Alaskën e Largët?!…
Ajo mbrëmje pragkrishtlindjesh , do të kalonte mrekullisht, pranë sobës së përflakur dhe pemës së zbukuruar të vitit, në një tryezë të shtruar me gjellë e meze Meksikanë (nga e ka origjinën Alisa babaxhane), si edhe të një loje “BINGO” deri në mesnatë , teksa nëpër këmbët tona vërtitej qeni leshtor Lulu.
“Dega e ullirit”
Po dita më e bukur e “qytetit të mjegullnajave” do të ishte 25 dhjetori, dita e Lindjes së Krishtit, që do t’i jepte edhe emrin sime bije, e cila kishte edhe miken nga Australia Kristina, të martuar me pakistanezin, po me emrin e Krishtit Jesu (Essa). Pra, do të gëzoheshim me të tre trashëguesit e këtij emri të ndritshëm të njerëzimit. Që do të niste me harenë e dhuratave të kryqëzuara midis nesh, ulur këmbëkryq në sofrën karshi oxhakut të ndezur flakë që bubullonte, po edhe me këngët e Frank Sinatrës në sfond e me të qeshurat që vinin prej reagimeve entuziaste, me surprizat e hapjes së pakove të dhuratave. Ku më e çmuar për mua do të ishte një stilograf i vajzës time që ma kishte sjellë nga Alaska, mbushur pjesa e sipërme prej qelqi me grimcat e arit nga kërkuesit e brigjeve të lumenjëve të Alaskës, si dikur Xhek Londoni, po edhe poezia e poetit nga Karaçi Essa Saulat “OLIVE BRANDES” (Dega e ullirit), e shkruar në çast, me këto fjalë: “Duke u gëzuar në ngrohtësi,/ nga miqësia dhe flakët,/Edhe një vit po përfundon./Pavarësisht nga kjo errësirë dhe e ftohtë/Unë jam mirënjohtës që plakem,/Me një person tjetër mik!” Që do më yshte ta shihnja me kënaqësi e dhimbje bashkë këtë njeri që dikur, emigroi bashke me ne, që nuk patëm më jetë të qetë nën ullinjtë tanë , po u përplasëm në “udhët e botës”, por që trungu i ullirit aty mbeti e ne do të ishim si një “degë e këputur”…
“Tamizi”
Me lumin “Tamiz” jam njohur nga komeditë jetëdhënëse të Shekspirit, sidomos me Gratë gazmore të Uindsorit”, po edh kur shkova të Teatrin “Globus” në Londër, si dhe në shtëpinë e tij të lindjes, në Stratford, jo shumë larg Lumit Avon. Dhe gjithmonë më shpie mëndja tek figura e Ser Xhon Fallstafit të Mihal Popit, që peshonte 140 kg, e përsëri rendëte në skenë, me Fallstafin e tij, si djalë i ri pas fustaneve të grave. Nga ana e pasme e shtëpisë, gurgullon një përrua i kristalt dhe pesë km. më poshtë hapet Lumi Plakë, me shpejtësinë e rrjedhës, që e përbalIin vetëm rosat e anijet lundruese…
E ndoqëm përroin gjer aty dhe nisëm të shëtisim buzë lumit, në rreshtin e varkave të ankoruara, gjer tek Bujtina ku harbonte ky Xhon Fallstafi, si një i çmëndur i erotizmit “pa fre!”. Kush e ka parë këtë shfaqje të Kujtim Spahivoglit, është mrekulluar, e kush s’e ka parë, “ka humbur gjysmën e jetës dhe të gjithësisë”! Është mbrëmje dhe rrezatimi neoneve valëvitin e turbullojnë kujtesën e ndezur flakë! Tamizi është i qetë. Rosat kanë dalë në breg. Dy fëmijë shkëputen nga prindët e u hedhin copa buke. Bënë shumë ftohtë e nga varkat e parkuar anash, del tymi i zi i sobave të ndezura. Janë banorë të Tamizit, që e kalojnë këtu dimrin…Varkarët presin kohën e mirë, gjithsesi pa diell,-gjë që duket fort e largët…Pejsazhi i pemëve të zhveshura krijojnë një skenografi të trishtuar dimëri…Po edhe shtresa zverdhane e fletëve të rrepeve që vazhdimisht bien e bien, ashtu si e përshkruante poetikish Paustovski në tregimet e tij..
Në shtëpinë e Çals Dikensit
Që nga Londra , gjerë në Portsmouth , për të bujtur në shtëpinë-muze të kolosit te Letërsisë Realiste Angleze nuk është më shume se 129 km, por të duket dy herë më e gjatë, nga padurimi për të parë ku ka jetuar, një nga shkrimtarët e mi më të dashur, pas Shekspirit Gjenial. Kur Jorgua në timon, mezi shikon rrugën e gjerë , të tejshkuar nga dritat e dhjetëra makinave që çajnë mjegullnajën e dendur, si asnjëherë tjetër. Fshirësja e xhamave nuk bënë kurrfarë pune në qartësimin e hapësirës së rrugës e të distancave. Po shoferi ynë nga Piqerasi, kishte kujt t’i ngjante, gjyshi i të cilit: Golja i Nikollore, ishte nga të parët shoferë me përvojë, që mësoi edhe dhjetëra- qindra të tjerë nëpër rrugët e Bregdetit, gjersa do të ishte me pas edhe një shofer i zoti inter-urban nëpër udhët e botës… Pse jo, edhe i ati Koço, që iu mbeti timoni si “gjymtyrë trupi”. Me të tillë shoferë jam i sigurt se do përfundojë në shtëpinë e Dikensit e jo në ndonjë Spital të Londrës. I ka dhënë “provat”, po aq i qetë e i sigurt në timon, si dy vite më parë kur vajtëm në shtëpinë e Shekspirit në Stratford!
Dhe vetëm kur do të ndodhesha deri tek dera e asaj shtëpie anësore trekatëshe të Dikensit në Purtsmouth, midis vizitorëve të shumtë, atëherë do kuptoja se truri im qe tepër i lodhur , ndonëse zemra kishte rifituar po ato rrahje, gjersa shkelja dhomë më dhomë , prej këtij rasti të jashtëzakonshëm që nuk te vjen më, si një “zog që qëndron befas në duart e tua!” Gjithçka është përfytyruar si 260 vite më pare, që nga djepi i lindjes, pranë oxhakut, dhoma e gjumit, salloni i ngrënies, salloni i çlodhjes dhe tavolina e punës…Dhe ja ku u ndodha para një aktori!…Oh…Të më falni, ai nuk ishte aktor…As Ciceron,,,Po një burrë plak që i dridheshin duart kur shfletonte faqet e “Oliver Tuistit” dhe u lexonte parreshtur fëmijëve të sotshëm faqe nga tragjedia e Tuistit të vogël. Një gjetje më se e bukur, po sa e lodhshme për atë njeri që ligjëronte kohën e shkuar, me një interpretim drithërimi brenda “kornizës“ së një libri. Po befas ai pushon së lexuari e i kthen sytë nga unë,-njeriu që ka moshën e tij e jo të Oliverit! Po ashtu , e shohë edhe unë ngultas e i them me zërin e brendshëm: “vazhdo, o njeri i mirë, se unë jam njeri nga ata të çmendurit e paktë, që e kam mbajtur 32 vite portretin e Dikensit mbi krye, në barangën time me dërrasa e me rrota, në periferi të Athinës…Se edhe jeta kështu qënka:”me rrota!”. E bie sipari i heshtjes…
Duhet të zbresësh në katin e poshtëm, që të njihesh edhe me gjithë universin dritëhedhës të botimeve të shkrimtarit gjenial. Se edhe vetë anglezët e kanë quajtur të tillë shkrimtarin poliedrik me 15 romane, 5 novela, me qindra tregime të shkurtra, drama e komedi satirike, që fshikullonin gjendjen e asaj kohe, ku kapitalizmi shtrihej edhe mata’n ishullit gjigand. Ndofta…,jo ndofta po kështu është , E. Hoxha i lejoi të botoheshin dy romanet e tij: “Oliver Tuist” dhe “David Coperfild”, ku autori gjigand shikonte ca më përtej errësirës dhe del kundra shtypjeve të lirive të individit, vuajtjeve e poshtërimeve nga rendi i pamëshirshëm i uzurpatorëve të pushtetit të gjitha ngjyrave, që Dikensi i denoncon edhe ndër panfletet e tij sociale, gjer në fundin e jetës së tij të shkurtër, me 58 vite pune të jashtëzakonshme…
Para se te vdiste, pësoi një goditje në kokë, prej së cilës nuk shpëtoi dot dhe, me shprehjen e vetme”në tokë”, dha frymën e fundit me 14 qershor 1870. Dekani e miku i tij Stanley, mbajti mbi varrin e tij në Abey, një ligjëratë të hidhur e lavdëruese për “humoristin gjenial dhe të dashur, për të cilin ne vajtojmë!”, duke përfshirë këtu edhe shërbëtorët e tij, që ai nuk i kishte harruar tu vinte emrat një-për -një në testamentin e tij…Ai ishte njeriu i të varfërve. Edhe në shtëpinë e tij muze gjetëm të shërbenin vetëm dy gra të moshuara e të veshur në të zeza dhe atë plakun që u lëçiste pa reshtur fëmijëve të sotshëm të Limanit të Madh Anglez, përrallat e romanet e xhaxhi Çarlit të pavdekshëm…Ndërsa nëpër mure lexoheshin me qartësi tri thënie të tij lapidare: “ Ne kurrë nuk duhet të turpërohemi nga lotët tanë!”. “ Zvarritja është hajdutja e kohës” dhe “Duhet të më pranoni kështu si jam bërë!”
“Lamtumirë…024”!
Jemi mbledhur përsëri, në shtëpinë përdhese të Alisës, në këtë skaj të Mbretërisë Angleze, ku ndritë thjeshtësia e prakticizmi amerikan në dhënien e lamtumirës së një viti e në pritjen e një viti tjetër më të mirë. Ishte dëshira e tyre që të mbidheshim e ta gëzonim aty, që të gjithë ikanakët e tjerë nga bota, sikundër kishin vepruar, para katër brezash prindërit e saj dhe u vendosën në Amerikë, në Kaliforni.
Dhe të gjithë kështu besojmë , që nga ne 4 shqiptarët që jemi me ta, koreografia Amerikane Alisa Salazar, Polaku simpatik Martin Vojtalla, Australiania Kristina me Pakistanezin e shkathët Essa Saulat, italiani i ri nga Torino, me profesion Inginier Paola Mjura,-i punësuar pranë një kanali TV londinez. Pagya Garg nga Dehli i Indisë (e lindur në Londër, e rikthyer në Indi dhe përsëri e rikthyer në Londër) , si edhe Tineshia Xhon e ardhur nga Ishujt e Karaibeve, po edhe ajo e lindur në Londër. Njerëz hallexhinjë, po edhe gazmor, të pasionuar pas artit, me kulturë universitare që të gjithë, të cilët edhe pse me etni të ndryshme, kenë të njëjtën zemër e sonte gëzojnë së bashku, lozin e kërcejnë, pine shampanje e verë, hanë bukë në të njëjtën tryezë, duke pritur një… VIT TË RI paksa më të mirë…
Dhje ja ku erdhi koha që të ulemi këmbëkryq para ekranit televiziv dhe sikur bashkohemi edhe ne me atë mizërinë e njerëzve të sheshit Waitminister, nën qiellin e përflakur të Londrës, ku pleksen edhe tingujt e këngës së këngëtares Shqiptare Dua Lipa, që këtu preferohet si artiste moderne…E ja , pas pak tingujt e orës Big Ben rrahin 12 herë që lajmërojnë se është koha për të bërë URIMIN E MADH: Mirëse vjen viti 2025! Jo vetëm për gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër BOTË, po edhe për Fuqitë e Mëdha, që 110 vite më parë firmosën coptimin e shtetit më të vogël të rruzullit tokësor, pa asnjë të drejtë legjitime e pa “e thirrur fara atë”, fshehtazi!…A nuk janë shumë 110 vite harresë, për njërin nga popujt më të lashtë të Evropës?!Teksa Lordi Bajron, që jetoi midis tyre dhe ua njohu vyrtytet, shpirtin e trimëritë , do të shkruante këto vargje të arta:”Shqipëri, lejomë të kthej syt’e mi/Mbi ty, nënë e rreptë burrash të egër/…Të rreptë bjt’e Shqipes!Po vetitë/Nuk u mungojnë,veç t’ishin më t’arrira/Armiku nuk ua pa kurrizin ndonjë herë?/Kush e duron si ata mundimin e luftës?” Dhe e shkruar mbi 200 e ca vite më përpara në poemën e tij madhore “Shtegëtimi i Çajld Haroldit”, në një përkthim brilant të Skënder Luarasit! Pa e harruar edhe personalitetin e kulturës Britanike EDITH DURHAN (artiste, shkrimtare e anthropologe), që i mati me këmbë malet e Shqipërisë së Verit, si burrneshë e vërtetë, kur që në v.1909, gjashtë vite përpara se të frmosej “Fermani Sekret”, botoi librin “Shqipëria e Epërme”, ku denonconte “krimbin Serb”, për shkëputjen e Kosovës e krijimin e “Serbisë së Madhe”…No coment! A nuk duket vallë se, mjekra e Plakut të “Vitit të Vjetër”, vajti tepër e gjatë!
Londër, më 1 janar 2025