Aktualitet/LajmeBlogEditorialKryesoreNdodhiOpinions

Rasti i Shkëlzen Gashit dhe tejkalimi i pragut të lirive

Nga Veton Surroi-

• Shkëlzen Gashi ka bërë gabime evidente në librin e tij dhe në ekspozitën tashmë të mbyllur në Sheshin e Prishtinës.
• Qytetarët e mbijetuar nga masakrat, familjarët e viktimave, si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare dhe aktorë të tjerë, me të drejtë kanë shprehur indinjatë ndaj joprofesionalizmit të manifestuar nga z. Gashi.
• Prokurori i shtetit ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj z. Gashi, duke angazhuar Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me arsyetimin se ai “dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim ndër qytetarët dhe ka dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”, duke u referuar veprës penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.
• Me këtë veprim, prokuroria dhe policia po ndërhyjnë në një fushë që, në një shoqëri demokratike, i përket debatit publik, akademik dhe shoqëror, e jo ndërhyrjes penale. Liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane, dhe kufizimi i saj kërkon përmbushjen e një pragu të lartë: ekzistencën e një nevoje të domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe proporcionalitetin e masës së ndërmarrë. Ky prag nuk rezulton të jetë arritur në arsyetimin e dhënë.
• Gabimet e z. Gashi janë tashmë të dokumentuara dhe të kundërshtuara në mënyrë profesionale nga studiues (si historiani D.Abdullahu vjet) dhe institucione përkatëse (si Fondi për të Drejtën Humanitare dje) . Prokuroria dhe policia nuk janë institucione kompetente për të arbitruar debate historike apo për të përcaktuar standardet e së vërtetës shkencore.
• Duke e bazuar ndërhyrjen në pretendimin se është “dëmtuar e vërteta e luftës çlirimtare”, institucionet e zbatimit të ligjit rrezikojnë të kalojnë nga roli i garantuesve të ligjshmërisë në rolin e arbitrit të së vërtetës historike — një praktikë që është diskredituar në përvojën evropiane dhe lidhet me modele jodemokratike të ushtrimit të pushtetit.
• Prandaj, ky rast përbën një precedent shqetësues që tejkalon pragun e lejueshëm të ndërhyrjes shtetërore në lirinë e shprehjes dhe rrezikon të krijojë efekt frikësues për debatin publik në Kosovë.

Artikuj të lidhur

Back to top button