BlogKulture

Rasti i gjirafës (Mbijetesa e mediokrëve)

Nga Dashnor Kokonozi-

Këtë javë filloi veprimtarinë e saj « Citephilo » një manifestim i përvitshëm filozofik e kulturor që i drejtohet një publiku të gjerë. Për miqtë në këto anë nuk duhet ngatërruar me “Café Philo” që zhvillohet që nga viti 2013 rreth temash filozofike në kafé të qytetit tonë, në bare, sallone çaji etj. (edhe kjo më pëlqente dikur, por në ndonjë rast përfundonte me tone të ashpra)

« Citephilo » është një veprimtari e hapur e natyrës së universitetit popullor që zhvillohet në salla të ndryshme prestigjioze, si auditoriumi i Arteve të Bukura, në salla Universiteti, në teatrot dhe bibliotekat të qytetit.
Është një veprimtari që u ofron të gjithëve mundësinë të ulen në një tavolinë të përbashkët me filozofë të njohur në rang botëror, me kërkues të shkencave sociale, shkrimtarë dhe artistë të njohur.
Programi është në linjë dhe në letër në të gjitha sallat e bibliotekave, kinemave teatrove etj.
Dje pata kënaqësinë të ndodhem përballë Daniel Milos për të diskutuar për librin e tij « Mbijetesa e mediokrëve. Kritikë e darvinizmit dhe kapitalizmit ». ( La Survie des médiocres. Critique du darëinisme et du capitalisme », de Daniel S. Milo, Gallimard)
Ai aty lidh punimet e Ch. Darvinit me ato të Adam Smithit, ku për të parin « natyra e di se ç’bën » dhe për tjetrin « tregu ka gjithnjë të drejtë ».
Është nga librat më polemikë të këtij shekulli. Milo vinte te ne pas një sërë debatesh në universitetet e Izraelit, Amerikës etj. Unë vetëm sa kisha lexuar për të një kritikë të ashpër te “Le Monde” dhe një peticion prej 140 biologësh kundër tij. Përkundrazi, siç tha vetë, në Amerikë ishte pritur mjaft mirë.
Shkurt, aty ai zhvillon idenë e konceptit të “tolerancës natyrore » me të cilën i kundërvihet teorisë së seleksionit natyror (siç e shihni nuk është nga ata ekstremistët kreacionistë, negacionistë etj) . Natyra, thotë ai, nuk është ajo që shohim me syzet e darvinizmi, ajo është tolerante dhe nuk vë asnjë kusht për të mbijetuar. Me aftësi dhe mundësi “mediokre”, mund të mbijetosh mrekullisht për miliona vjet. Kërkon thjesht aftësinë për t’u riprodhuar. Bëj si kanë bërë paraardhësit dhe asgjë tjetër.
Është e pamundur të përmbledh gjithçka që u tha dje (e djelë) aty, por për të ilustruar idenë e tij, po sjell « rastin e gjirafës », që u përmend shpesh si emblematik për mosveprimin, ose për veprimin krejt rastësor të seleksionimit natyror. (D. Milo beson se seleksionimi në natyrë vepron vetëm në 10% të rasteve)
Gjirafa me këmbët e saj aspak praktike, të gjata, të rënda, që as nuk i përkul dot dhe që e detyron ta hedhe beben e sapolindur nga një lartësi prej më se dy metrash apo që për të pirë ujë vihet në një pozicion mjaft të rrezikshëm për t’u mbrojtur, e pra, kjo gjirafë ka rreth 10 milionë vjet që mbijeton. Kjo edhe pse zemrës së saj i duhet një punë titanike pë ta pompuar gjakun deri ne tru! Dhe është kjo gjirafë që prej 200 vjetësh u sjell biologëve në mend pyetjen se si është e mundur që me të tilla handikapë të rënda ajo vazhdon të mbi ekzistojë prej të paktën dhjetë milion vjetësh.
Debatet qenë interesante, por jo të gjitha përgjigjet e z. Milo më bindnin.
Temat e ardhshme janë po aq me interes.
Veprimtaria zgjat deri në Mars 2025.
Në foto D. Milos nga takimi i djeshëm dhe e Ph. Petit, filozof dhe gazetar i njohur që drejtoi takimin:
Foto (c) dk.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button