Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Raportet e ngrira Rama-Kurti, “heshtje” në Prishtinë

Samiti mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor i javës së kaluar në Mal të Zi, tregoi edhe njëherë se raportet e ftohta mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me shefin e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, vazhdojnë.

Asnjë takim apo bisedë mes tyre nuk u raportua nga zyrat përkatëse të shtypit, përveç një shtrëngimi duarsh të përjetësuar në imazhet e publikuara nga mediat. Burime nga qeveria në Tiranë treguan për A2 CNN se nuk parashikohet ndonjë takim apo vizite në një të ardhme të afërt e kryeministrit Rama në Kosovë. Ne u interesuam për të marrë informacion edhe nga zyra për shtyp e qeverisë së Kosovës, por një përgjigje nuk kemi marrë.

Thyerja mes tyre u bë e dukshme pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë, qershorin e kaluar. Kryeministri Rama sqaroi se kërkoi një bisedë më të ngushtë me homologun Kurti, për të folur bashkë me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për acarimin e raporteve të Kosovës me aleatët europianë dhe amerikanë.Akti i dytë do të ishte në korrik të vitit të kaluar, kur kryeministri Kurti nuk e takoi Ramën në turin e tij ballkanik. Ata janë bërë bashkë më pas në disa evente, por në disa të tjera ka munguar Kurti, gjë e cila për shumë analistë konfirmon raportet ende të ngrira. Zyrtarisht ata do ta kenë mundësinë që të bëhen bashkë në Angli, ku do të ftohen për Komunitetin Politik Europian, por sërish nuk ka pritshmëri se mund të takohen.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button