Aktualitet/LajmeBlog

Qytetarët e Ballkanit pesimistë për të ardhmen e rajonit, thekson raporti

Nga Nensi Bogdani

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal prezantoi gjetjet e sondazhit vjetor ‘SecuriMeter‘ për vitin 2024, nëpërmjet të cilit qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor shprehin perceptimet e tyre për çështjet e sigurisë në rajon.

Sipas rezultateve të sondazhit, pritshmëritë e qytetarëve të rajonit nuk duken tepër optimiste për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Vetëm 39% e qytetarëve bien dakord se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurtë për të jetuar, duke theksuar shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë, teksa 83% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor pranojnë se korrupsioni është i përhapur kudo”, citojnë gjetjet e raportit.

Sondazhi i opinionit publik SecuriMeter për Ballkanin Perëndimor u lançua për herë të parë në vitin 2021, dhe kryhet çdo vit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me mbështetjen e qeverisë italiane.

Sondazhi për vitin 2024 u krye gjatë muajve Qershor-Korrik 2024 me gjashtë mijë pjesëmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria është vendi me shkallën më të lartë të qytetarëve që ndihen të pasigurtë për ekonominë e tyre (32%)”, citojnë gjetjet e raportit, duke theksuar se shqetësimet kryesore të raportuara nga shqiptarët janë inflacioni dhe kosto e lartë e jetesës.

Të dhënat tregojnë se qytetarët shqiptarë përballen vazhdimisht me vështirësi ekonomike dhe hasin sfida në mbylljen e muajit.

“Kjo thekson nevojën urgjente për të adresuar varfërinë dhe për të krijuar mundësi ekonomike për Shqiptarët”, citon raporti.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal gjithashtu bëri thirrje për reagim të menjëhershëm lidhur me gjetjet e sondazhit.

“Sot ne nuk po prezantojmë thjesht raportin, por po përcjellim zërat e mijëra qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha Majlinda Bregu, sekretare e përgjithsme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

“Këto gjetje na shtyjnë të veprojmë pa hezituar, me urgjencë dhe vendosmëri”, vijoi Bregu mbi gjetjet e raportit për vitin 2024.

Rezultatet vijojnë më tej duke treguar se 42% e pjesëmarrësve në sondazh u shprehën se kishin ankth lidhur me një rritje të mundshme të shkallës së kriminalitetit, si pasojë e imigrimit në vendet e tyre, por edhe largimit të vendasve drejt Europës.

Rezultatet nuk janë optimiste as përsa i përket dhunës me bazë gjinore.

“66% e grave në Ballkanin Perëndimor e konsiderojnë dhunën në familje si një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe real, teksa 54% e tyre e konsiderojnë ngacmimin seksual si një kërcënim për sigurinë e tyre”, citojnë gjetjet.

Lidhur me pritshmëritë për të ardhmen e rajonit, rezultatet e sondazhit tregojnë se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë shkallën më të lartë të qytetarëve që kanë një pritshmëri negative mbi sigurinë në rajon në 12 muajt e ardhshëm.

“Tre problemet kryesore që shqiptarët raportojnë se ndodhin shpesh janë personat që lypin rrugëve, konsumimi i alkolit në rrugë dhe tregtia e lëndëve narkotike në rrugë”, shkruhet në raportin e SecuriMeter 2024.

Sondazhi identifikon si problematika të mëtejshme në nivel rajonal shqetësimin për një konflikt të brendshëm mes vendeve të Ballkanit.

“48% e të intervistuarve shprehen se një luftë midis ekonomive të Ballkanit është e mundshme, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme”, tregojnë gjetjet.

Më shumë se gjysma e të intervistuarve (53%) gjithashtu shprehin shqetësime për përballimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbulimin e medikamenteve (76%) në vendet e rajonit.

Artikuj të lidhur

Back to top button