BlogInvestigimNdodhiOpinionsPolitikeRajoni

Pse në 527 faqe nuk i mban mend akademik Bajrami ato që u kujtohen M.Albrightit, Ch.Hillit dhe T.Judah?

1.

Libri i akademik Arsim Bajramit ka 527 faqe dhe në të nuk mund të kuptohet saktësisht se çka ndodhi më 23 shkurt të vitit 1999.

Atë ditë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kishin afat deri në orën 15 për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambouillet. Pas shtyrjes së bërë tre ditë më parë, nuk do të kishte shtyrje. Ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit ishin mbledhur dhe prisnin vendimin e delegacioneve. Delegacionit të Kosovës iu bë e qartë nga vetë sekretarja Albright se në rast të nënshkrimit do ta kishin përkrahjen amerikane deri në fund, në rast të mosnënshkrimit Kosova do të mbetej pa përkrahje amerikane.
Në librin e z.Bajrami, dhe jo domosdoshmërisht nga shmangia e fakteve sa nga mungesa e koherencës metodologjike e stilistike në shkrim nuk dihet se çka ndodhi saktësisht atë ditë, më 23 shkurt, pas orës 15. Kush e nënshkroi marrëveshjen? Pse ishte aq dramatike çështja? Apo pse nuk përmendet kush e nënshkroi dhe si?

Ndonëse autori e ka përdorur si burim të rëndësishëm bibliografik librin e Madeleine Albright “Madam Secretary” nuk e ka përdorur një citat që mund të ndihmojë si sqarim:

Ndërsa afrohej afati i së martës në orën 15:00, Thaçi ishte ende një problem. Atëherë Veton Surroi, “sekretari” i delegacionit shqiptar, mori çështjen në duart e veta dhe propozoi një deklaratë të shkurtër që thoshte se delegacioni e kishte miratuar marrëveshjen dhe se do ta nënshkruante pas dy javësh, pasi më parë t’ua shpjegonte kushtet e saj njerëzve në Kosovë. Ndërsa Surroi dhe të tjerët punonin mbi tekstin, pati debate të forta me Thaçin rreth formulimit të deklaratës, si në versionin anglisht ashtu edhe në atë shqip. Më në fund, Surroi tha se mund ta përfundonin punën vetëm nëse Thaçi do të bindej të dilte nga dhoma për disa minuta. Juristi ynë, Jim O’Brien, mendoi se mënyra më e mirë për ta larguar Thaçin ishte t’i thoshte se Jamie Rubin kishte nevojë ta takonte. Kështu Jim dhe Thaçi shkuan në kërkim të Jamie-t, të cilin nuk e gjetën sepse ai po informonte shtypin.
Më në fund Jamie erdhi dhe u largua me Thaçin, duke u përpjekur ta shpërqendronte me biseda për filma dhe Hollywood. Por pasi kishin bërë vetëm disa hapa, Surroi tha se e kishte përfunduar deklaratën dhe tani kishte nevojë që Thaçi të kthehej. Jim e kapi Thaçin dhe e drejtoi përsëri drejt zyrës, ndërsa Jamie u ankua: “Hej, sapo e ndeza cigaren.” Pasi hynë në zyrë, Thaçi u përpoq përsëri ta ndryshonte tekstin, por Surroi nuk pranoi asnjë ndryshim. Deklarata, e nënshkruar nga Surroi, iu dorëzua ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit dhe Jamie e bëri publike.

2.

Shkuarja ime, vrapthi për te ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit mungon në librin e z.Bajrami, por nuk ka munguar në një libër tjetër të cituar në bibliografinë e librit të tij. Ambasadori Christopher Hill në librin “Outpost” përshkruan kështu momentin:

E shoqërova në dhomën ku po takoheshin ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit dhe u thashë se Surroi kishte një njoftim për ta. Ai tha se delegacioni e pranoi planin, por “do të duhej kohë për t’u kthyer në Kosovë për të ndërtuar mbështetje midis njerëzve atje, pasi disa aspekte të tij, përkatësisht autonomia në vend të pavarësisë, do të ishin problematike për ta. Fakti që delegacioni duhej të kthehej në Kosovë nuk i kënaqi të gjithë ministrat e Jashtëm, por sekretarja Albright u sigurua që ata të kuptonin se mesazhi i Vetonit ishte një po.

E një kënd tjetër, që përfshin dramën e atij momenti kthese gjendet në një libër tjetër të shënuar në bibliografinë e z.Bajrami, ai i Tim Judah “War and Revenge” (të përkthyer edhe shqip). Në të shkruan:

Sipas Surroit, “Thaçi mërmëriti diçka”, dhe pastaj Rugova u përfshi, duke sugjeruar që ai të nënshkruante në cilësinë e tij si “President i Republikës”. Thaçi u përgjigj se nëse do ta bënte këtë ai do ta kundërshtonte marrëveshjen. Të gjithë të tjerët u zhvendosën “të shqetësuar”, duke mos ditur çfarë të bënin. Një heshtje e re u thye nga Surroi, i cili njoftoi se ata, me të vërtetë, kishin arritur një “konsensus”. Ishte e pavërtetë, por, duke pasur parasysh seriozitetin e situatës, Surroi po mendonte shpejt, duke u përpjekur ta shpëtonte situatën.

Ai tha se kosovarët do ta pranonin marrëveshjen në parim, por kishin nevojë për kohë për t’u konsultuar me njerëzit në vendlindje.

Ndërkohë, ndërsa serbët po flisnin seriozisht për anën politike të marrëveshjes, veprimi i Surroit synonte të ngrinte dokumentin, për t’u siguruar që ai nuk mund të ndryshohej më në favor të serbëve. Ndërsa këto diskutime vazhdonin, një nga delegatët rusë vazhdonte të hynte e të dilte nga dhoma për të mësuar se çfarë po ndodhte dhe për t’u raportuar serbëve.

Surroi kaloi te kompjuteri së bashku me Jim O’Brien, avokatin e Departamentit të Shtetit, dhe Dukagjin Goranin, një nga përkthyesit e delegacionit, i cili ishte gjithashtu një nga gazetarët e tij të “Koha Ditore”. Gorani (…) u ul për të shkruar.

Hill dhe Thaçi lëviznin përreth ndërsa pjesa tjetër e delegacionit priste. Në dorën e tij, Surroi kishte tri versione të shkruara të idesë së tij të konsensusit. Ndërsa akuzat për tradhti vinin nga Demaçi, Surroi thotë se problemi nuk ishte te ‘nënshkrimi’ i një shtyrjeje, por nëse duhej nënshkruar fare. Megjithatë, në vend që të thoshim se po kërkonim një vonesë, thamë se ishim gati ta nënshkruanim, por duhej të konsultoheshim për dokumentin në tërësi.

Kështu, letra që ata i shkruanin negociatorëve fillonte kështu: ‘Kjo deklaratë është dhënë me konsensus të plotë. Delegacioni i Kosovës me konsensus kupton se do ta nënshkruajë marrëveshjen brenda dy javësh pas konsultimeve me popullin e Kosovës, institucionet politike dhe ushtarake.’ Ajo vazhdoi duke deklaruar se vendosja e NATO-s ishte një ‘pjesë thelbësore e marrëveshjes’ dhe se kuptohej që ‘në fund të periudhës së ndërmjetme prej tre vjetësh, Kosova do të mbajë një referendum për të përcaktuar vullnetin e popullit…’ Pasi mbaroi, letra iu dorëzua negociatorëve të Kosovës në orën 4.00 pasdite. Në këtë pikë, Edita Tahiri, këshilltarja e Rugovës për Punët e Jashtme, dhe gratë e tjera kosovare në dhomë, përfshirë përkthyesit, filluan të qanin, duke besuar se gjithçka kishte mbaruar. Të gjithë, përfshirë negociatorët, ishin plotësisht të hutuar, askush nuk e kuptonte vërtet se për çfarë ishte rënë dakord ose jo. Megjithatë, një diplomat i lartë amerikan shkon deri aty sa thotë se “Surroi shpëtoi qeverinë amerikane duke i mbajtur bisedimet në ‘pezullim’”.

Ja edhe rrëfimi për Hollywoodin, siç citohet edhe në librin e z.Bajrami.

James Rubin, në librin “Si e fituam luftën – kujtimet e një protagonisti nga Rambuje deri në fund të luftës në Kosovë”, ka shkruar: “Thaçi dhe unë shumë shpejt arritëm në vendin tonë të dashur prapa kështjellës. Unë ndeza një cigare shumë ngadalë sepse nuk më vinte asgjë në mend. Pas një pauze të gjatë, i thashë me gjysmë shaka se njoh disa producentë në Hollywood që do të mund të dëshironin të bënin një film të jetës së tij. ‘A do të jem unë personazh pozitiv apo negativ në film?, pyeti Thaçi. Në ato çaste atë e thirrën sërish në dhomë për vendimin përfundimtar, por refuzoi të shkonte derisa të merrte një përgjigje nga unë. ‘Kjo varet nëse do të nënshkruash apo jo’, i thashë derisa po nisej drejt kështjellës.
Ç’është e vërteta, ky libër i z.Rubin nuk pranohet të jetë shkruar nga ai, por në Gjykatën e Hagës  ai pranoi publikisht vërtetësinë e disa prej citateve përfshirë edhe këtë të ofertës eventuale për Hollywood.

4.

Në 527 faqet e librit të akademik Bajramit dedikuar Konferencës së Rambouillet, autorit i cili vetëdeklarohet se ka qenë pjesë e kësaj konference, nuk mund të gjenden këto konstatime të thjeshta, të cilat dalin qartazi prej librave të M.Albright, Ch.Hill dhe T.Judah:

•    Veton Surroi përpiloi Deklaratën e Delegacionit të Kosovës me të cilën ky delegacion pranonte Marrëveshjen e Rambouillet dhe premtonte se do ta nënshkruante formalisht pas dy javësh konsultimi me popullin e vet.
•    Deklarata u përpilua në moment të fundit duke nxjerrë pikat koncensuale të shumicës dërmuese të anëtarëve të delegacionit.
•    Hashim Thaçi u pajtua me këtë deklaratë pas bisedës me Jamie Rubin në të cilën u përmend mundësia e një filmi në Hollywood.
•    Veton Surroi e nënshkroi Deklaratën, ua përcolli tre negociatorëve (Hill, Petritsch dhe Majorski) dhe në emër të Delegacionit të Kosovës ua dorëzoi ministrave të Grupit të Kontaktit me konfirmimin me shkrim e gojor se Kosova e ka pranuar Marrëveshjen si të tillë, me mundësi ndryshimesh eventuale teknike.

Pse?

Artikuj të lidhur

Back to top button