Aktualitet/LajmeKryesoreKulture

Portreti i Nolit në Muzeun Historik Kombëtar

Më i spikaturi prej tyre ka qenë Vangjel Zengo (1875-1941), i cili e mësoi artin e ikonografisë në Malin Athos, në atelienë e Grigor Zdrulit . Vangjeli shquhet si ikonografi më cilësor dhe prodhimtar ndër ikonografët dardharë. Firmën e tij mbajnë 180 ikona, të cilat gjenden në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë . Nga punët e tij më të mira janë ato që ka pikturuar në vitet 1906-1911 si për shembull “Shën e Diela”, “Ungjillëzimi”, “Shën Vasili”, “Shën Harallambi”, “Shën Kolli” etj. Ndër skenat mund të përmendim “Fjetja e Shën Mërisë” , “Shesjta” etj. Në vitin 1906 ai pikturoi kishën e “Shën Gjergjit” në Korçë., ndërsa gjatë viteve 1921-1923 pikturoi kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë.

Më 1929 Vangjel Zengo pikturoi kishën e “Shën Mërisë” në Korçë, më 1930 kishën e Hoçishtit dhe më pas kishën e “Shën Kollit” në Bellovodë. Në vitin 1932 ai pikturoi kishën e “Shën Thanasit” në Korçë, më 1933 kishën e “Shën Triadhës” në Korçë dhe në vijim kishat e Polenës, Porodinës, katedralen e Korçës etj. Karakteristike e pikturës së Vangjel Zengos është se në mënyrën e kompozimit të volumeve të ikonave ai gërsheton artin pasbizantin me frymën perëndimore.

Në krijimtarinë e Vangjel Zengos një vend të rëndësishëm zë edhe piktura me përmbajtje laike. Ai ka pikturuar portretet e Fan Nolit, Sotir Pecit, Misto Llacit, Vasil Tromarës si dhe disa kompozime “Beteja e Skënderbeut”, “Skënderbeu me kalë”, “Përcjellja e djalit ushtar etj”. Pikturat e tij aktualisht janë në ruajtje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë .

Në muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ruhet një pikturë e Fan Nolit e pikturuar nga Vangjel Zengo . Punimi është ruajtur për shumë vite në mërgim në SHBA nga Resina (Trimëresha) Çekani. Në vitin 1989 piktura iu dhurua Muzeut Historik Kombëtar. Piktura ka përmasat 105 x 80 cm . Piktura e Fan Nolit është punuar në Shqipëri në vitin 1924 nga piktori Vangjel Zengo nga Dardha e Korçës. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi në pjesën e poshtme të pikturës. Fan Noli paraqitet i veshur me veshje episkopale, në kokë mban mitrën, në dorën e djathtë mban skeptrin. Në trup ka veshur sakon dhe mbi supe ka hedhur omoforin e madh. Në qafë ka të varur një medalion dhe një kryq. Në pjesën e sipërme të pikturës është shkruar: “Hirësi e Tij, Imzot Theofan S. Noli”. Ndërsa në pjesën e poshtme gjendet mbishkrimi: “I pari prift dhe arhipeskop shqiptar”.

Theofan Noli u dorëzua në gradën episkopale më 4 dhjetor 1923 nga Jerotheu dhe Kristofori në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Shërbesa e dorëzimit u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, Pandeli Evangjeli, kryebashkiakut Vasil Avrami, si dhe të mjaft personaliteteve të tjerë. Tabloja ilustron një nga momentet më të rëndësishëm në jetën e Fan Nolit si dhe kontibutin e jashtëzakonshëm të tij në reformimin e jetës shpirtërore të shqiptarëve.

Kur e pyesnin Fan Nolin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Një propozim i ardhur nga radha e intelektualëve patriotë ortodoksë në 1908, të cilët vuanin faktin se përveç që shqipja ndalohej nga autoritetet osmane, ata nuk mund ta praktikonin gjatë liturgjisë fetare, sepse ndalohej nga autoritetet kishtare greke, krijoi premisat e fillimit të punës titanike të Nolit për themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Shqiptarët në fillim të shekullit XX u ndodhën përpara një dileme, nëse duhej të ruanin statusquo-n në gjendjen fetare në Shqipëri apo duhej të përqafonin një degë tjetër të kristianizmit që kështu të hiqnin qafe ndikimin grek dhe të fitonin proteksionin e fuqive dhe popujve të perëndimit?” . Për këtë dilemë pati dy versione, gazeta “Kombi” e Bostonit propozoi “kthimin e shqiptarëve në ortodoksë unikë, domethënë të ruhej liturgjia ortodokse por të njihej Papa si udhëheqës suprem shpirtëror” , një rast i tillë ishte popullsia e Shpatit në Elbasan, kurse shoqëria shqiptare e Egjiptit mbështeste “konvertimin në protestantizëm, e cila jo vetëm kishte pasues të fortë në perëndim por gjithashtu, duke qenë gjë e re në Shqipëri, mund të tërhiqte pasues nga të tre fetë.”

Siç kuptohet dhe nga pyetjet dhe dilemat e ngritura identitetet e veçanta fetare kanë qenë një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe klasa intelektuale shqiptare ishte gati të bënte dhe kompromise të këtij lloji, të cilat natyrisht nuk dihet nëse do të priteshin mirë apo përqafoheshin nga populli i thjeshtë. Në fakt shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për veprime të tilla, pasi ata nuk ishin aq të pjekur politikisht sa të ndërmerrnin një hap të tillë, ndaj në lëvizjen kombëtare shqiptare zuri vend më shumë propozimi i Fan Nolit, i cili nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tre feve, por në faktin që “asnjëra nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët qenë armiq me njëri-tjetrin” .

Më andej Noli shtonte se “fatkeqësia nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të huaj, por shqiptarë dhe patriotë” . Këtu zë fill projekti i Nolit, i cili themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare, duke e shkëputur nga ndikimi grek dhe u duke u dhënë një shembull të mirë edhe shqiptarëve të besimeve të tjera sesi mund të fitonin pavarësinë shpirtërore dhe forcimin e vetëdijes së tyre kombëtare.

Burimet:

1-Kristofor Naslazi, Gjurmime rreth një plejade piktorësh dardharë të mesjetës së vonë, Monumentet 2 / 1991, faqe 8-9.
2-Dhimitër Beduli, Kishë dhe Kulturë, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë, 2006, faqe 214.
3- Dhimitër Beduli, Kodiku i kishës së Shën Prokopit (1818-1922)Tiranë 1997, faqe 55.
4-Arkivi i Muzeut Historik Kombëtar

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button