BlogEditorialKryesoreOpinions

Popull i padorezuar perballe Rames qe godet Drejtesine

Nga Arber Zaimi-

Nga vendimmarrës e diplomatë europianë kam dëgjuar (jopublikisht) analizën se Ramën e forcon fakti që për momentin ai është punëkryesi apo urdhërzbatuesi i tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në rast pikëpyetjesh e sfidash, telefoni i tij është i pari që bie. Para jo shumë vitesh, për konsultime apo kërkesa të ngjashme në rajonin tonë, nuk konsiderohej i pari prefiksi +355 e madje as i dyti. (Në kushte normale kjo shkathtësi a meritë vetjake e kryeministrit do të duhej të nënkuptonte më shumë infrastrukturë – prodhim – mbrojtje – integrim për Shqipërinë, por ja që kur vjen puna për të përfituar publiku e republika, diçka diku po ngec).
Sidoqoftë, po të njëjtët europianë e thonë se i kanë dy probleme aktuale me Ramën: goditjet publike që ai po ia bën Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë dhe ato që po ia bën SPAK-ut në Shqipëri. Të parat edhe pse nuk u pëlqejnë, mund edhe t’ia tolerojnë meqenëse në Kosovë ai nuk ka peshë vendimmarrëse – thonë – ndërsa të dytat as nuk ia pëlqejnë dhe as nuk ia tolerojnë.
Për Ramën të qenit “qehaja” i europianëve në rajon është e domosdoshme, sepse tash në mandatin e katërt edhe po të mos i kishte bagazhet e rënda e hijet e errëta të 13 viteve pushtet, do të ishte e vështirë të kishte mbështetje entuziaste popullore. Prandaj ka shumë mundësi të vazhdojë të jetë kritik më i zëshëm i Speciales në Hagë, e më i tulatur ballë SPAK-ut në Shqipëri.
Pushteti i tij përforcohet sidoqoftë nga opozita e pareformuar apo e fragmentuar, që nuk duket ende e përgatitur në aspektin strukturor apo infrastrukturor për të bërë bashkë 700.000 votat që duhen për të ndryshuar qeverinë. Për ta mbajtur opozitën nën fre ka ndihmuar edhe ndryshimi katastrofal i demografisë në Shqipëri, ku të rinjtë janë larguar masivisht e ata të moshave mbi të mesmen nuk janë segmentet sociale prej nga pritet të vijë ndryshimi. Largimi masiv i rinisë dobëson potencialin e protestave, por edhe rrit konformizmin elektoral.
Mirëpo pikërisht ky përforcim e kjo vetësiguri prej qehajai ka sjellë edhe dobësime e rreziqe (jo dhe aq) të papritura. Skemat e pushtetit që legjitimitetin e marrin nga lart (në këtë rast nga qendrat ndërkombëtare) zakonisht prodhojnë moskokëçarje për nevojat popullore, për moralin shoqëror e qeverisës apo për meritokracinë. Krijohen situata ku pushteti, ashtu siç vjen i deleguar nga Bruksel a Uashingtoni në Tiranë, ashtu edhe delegohet te “subkomandantët” që i prijnë klikave të ndryshme. Këto klika përfshijnë politikanë me peshë rajonale, biznesmenë e banditë të niveleve të ndryshme e kështu me radhë. Klikat garojnë me njëra tjetrën jo për të fituar besimin e popullit a të qytetarit, por thjesht dhe vetëm favorizimin nga lideri.
Prandaj thurjet e shthurjet e kabineteve nuk ngjanë si të njëmendta. Shto në analizë dhe paparashikueshmërinë aktuale të amerikanëve, dhe e gjitha ngjan si telenovelë ku overdoza e suspense-it përdoret për të marrë peng vëmendjen e shikuesit-klient.
Kjo situatë nuk është e re, përkundrazi, ka qenë realiteti global i kohëve parailuministe. E re është teknologjia e sotme e komunikimit dhe e vëzhgimit/përgjimit. Klikat kanë përgjuar e regjistruar njëra-tjetrën, vetveten e ndoshta edhe liderin e ndërkombëtarët, duke prodhuar një situatë ku merimanga ngec vetë në rrjetën e saj.
Dhe europianët janë jo pak në hall: po t’u dështojë projekti me SPAK-un atëherë do detyrohen të heqin dorë nga pretendimi për standarde para integrimit ose nga vetë integrimi, gjë që ua shton sfidat gjeopolitike goxha shumë. Por edhe nëse projekti me SPAK-un do të arrijë të tregohet deri në fund i suksesshëm – siç do të kishin dëshirë shumica e qytetarëve po edhe shumica e punonjësve e specialistëve të mirëfilltë që punojnë në administratën publike në Shqipëri – mund të fillojë ndonjë fenomen mediatik i zbulimit të sekreteve të përgjuara, tip “dosje Epstein” e një shkalle pak më të vogël e më provinciale. Është e mundur që të jenë duke projektuar një “sukses të pjesshëm”, ku SPAK thjesht krijon hapjen e tregjeve vendase për faktorë të rëndësishëm europianë, sepse deri më tash ato tregje kanë qenë të shtrënguara fort prej klikave vendase. Do thoni ju “treg i vogël ne”, mirëpo kujtoni se si Bernard Kouchneri në Kosovë “e bëri faqen shollë” për t’ia dhënë telefoninë kosovare kompanive franceze, apo tani së voni kujtoni interesimin special turk për të marrë tunelin e Llogarasë me të njëjtin zbatues shqiptar ama me disa dhjetra miliona më shumë të përfituara në tender.
Sidoqoftë SPAK gëzon mbështetje dhe shpresë në shoqëri, gjë që tregon se populli ynë as nuk është dorëzuar përballë gjendjes korruptive të qeverisë, as nuk e sheh atë me fatalitet si destin të pandryshueshëm të një Shqipërie që “nuk bëhet”.

Artikuj të lidhur

Back to top button