Polonia i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i përgjigjet Rusisë, pasi Moska kreu dy sulme masive ajrore në Ukrainë dhe Kievi u kundërpërgjigj me sulme në rajonet kufitare ruse dhe në Krimenë e pushtuar.
Të paktën pesë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ruse me dronë dhe raketa në dhe përreth Kievit, por edhe në Harkiv më 2 janar. Ushtria ukrainase kishte raportuar për sulme në shkallë të njëjtë edhe ditë më parë.
Më 3 janar, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha e Perëndimi duhet t’u përgjigjet sulmeve “në gjuhën që [presidenti rus, Vladimir] Putin e kupton: ashpërsimin e sanksioneve në mënyrë që ai të mos mund të prodhojë armë të tjera me komponentë të kontrabanduar dhe duke i dhënë Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin të kryente sulme në vendet prej ku Rusia kryen sulme dhe në qendrat e komandimit”.
Ditë më parë, Putin ka thënë se shteti i tij do të “intensifikojë” sulmet ndaj Ukrainës, duke shtyrë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të akuzojë Moskën se po kërkon që ta “asgjësojë” Ukrainën.
Gjermania “do të qëndrojë me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.
Rritja e sulmeve vdekjeprurëse, shumica e të cilave kanë për cak zonat e banuara, ka nxitur ambasadorin e Francës në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, të deklarojë se është pesimist për rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë.
Sipas tij, situata në Ukrainë është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë.
Më herët gjatë 3 janarit, dronët ukrainas sulmuan Krimenë, gadishullin që Rusia e aneksoi ilegalisht më 2014, dhe dy rajone ruse në kufi me Ukrainën.
Autoritetet ruse nuk kanë raportuar për viktima nga sulmet në rajonet kufitare. Por, javën e kaluar, si pasojë e sulmeve, që Moska ka thënë se janë kryer nga Ukraina, në rajonin rus të Belgorodit u vranë 25 persona.
Ukraina po i bën thirrje aleatëve perëndimorë që të përshpejtojnë dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të raketave me rreze të gjatë veprimi, dronëve luftarakë, në mënyrë që t’iu kundërpërgjigjet sulmeve ruse./REL